Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.

Lajmet

ZKA dhe UNDP diskutojnë mundësitë për forcimin e kapaciteteve profesionale të stafit

ZKA dhe UNDP diskutojnë mundësitë për forcimin e kapaciteteve profesionale të stafit

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi Morina, Drejtoresha e Departamentit për Çështje Juridike dhe Kundër Mashtrimeve, Minire Begaj Balaj si dhe Udhëheqësja e Njësisë Kundër Mashtrimeve, Natyra Kasumaj Ahmeti, pritën të mërkurën në takim përfaqësueset e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), znj. Marta K. Gazideda, Udhëheqëse e Portofolit për Qeverisje të Mirë dhe Paqe dhe Zëvendëse Koordinatore e Programit, si dhe znj. Fjolla Raifi Luzha, Menaxhere e Projektit.

 

Takimi pati për qëllim diskutimin e aktiviteteve të planifikuara në kuadër të projektit “Luftimi i Korrupsionit dhe Krimit Financiar” me fokus në ngritjen e kapaciteteve profesionale të stafit të ZKA-së përmes trajnimeve dhe programeve të certifikimit profesional në fushën e auditimit, çështjeve juridike dhe identifikimit të mashtrimeve.

 

Palët u dakorduan për avancimin e aktiviteteve të planifikuara në kuadër të projektit, me theks të veçantë në zbatimin e programit të certifikimit profesional. Po ashtu, gjatë takimit u diskutuan edhe mundësitë e bashkëpunimit dhe mbështetjes në të ardhmen, veçanërisht në fushën e digjitalizimit dhe zhvillimit të mëtejmë të kapaciteteve institucionale të ZKA-së.

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm mori pjesë në Forumin CEF 2026 në Shkup

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm mori pjesë në Forumin CEF 2026 në Shkup

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, mori pjesë në Forumin CEF 2026 me temën “Qeverisja në paqëndrueshmëri dhe ndërtimi i institucioneve publike rezistente”, të mbajtur më 22 qershor 2026 në Shkup, Maqedoni e Veriut.

Përfaqësues të lartë të institucioneve supreme të auditimit, bankave qendrore dhe institucioneve qeveritare diskutuan sfidat e qeverisjes në një mjedis gjithnjë e më kompleks dhe qasjet për ndërtimin e institucioneve më rezistente. Gjithashtu, u trajtuan çështje rreth vendimmarrjes, koordinimit ndërinstitucional si dhe forcimit të kapaciteteve për zbatim efektiv të strategjive dhe politikave në shërbim të qytetarëve.

ZKA publikoi edhe 19 raporte të auditimit për sezonin auditues 2025/2026

ZKA publikoi edhe 19 raporte të auditimit për sezonin auditues 2025/2026

Në kuadër të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit 2025/2026, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi edhe 19 raporte të auditimit, prej tyre 11 të nivelit qendror, shtatë të nivelit lokal si dhe një auditim i veçantë. Për 12 prej këtyre institucioneve, ZKA ka dhënë opinion auditimi të kualifikuar që nënkupton se përveç çështjeve të përshkruara në bazën për opinionin e kualifikuar, Pasqyrat Vjetore Financiare paraqesin në mënyrë të drejtë dhe të vërtetë gjendjen financiare në përputhje me standardet dhe kornizën ligjore të zbatueshme. Ndërsa për shtatë institucione të tjera është dhënë opinion i pamodifikuar që nënkupton se Pasqyrat Vjetore Financiare paraqesin në të gjitha aspektet materiale gjendjen financiare në përputhje me standardet dhe kornizën ligjore të zbatueshme.  

Opinion të kualifikuar kanë Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit; Ministria për Komunitete dhe Kthim; Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë; Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës; Korporata Energjetike e Kosovës; Universiteti i Prishtinës; Komuna e Klinës; Komuna e Podujevës; Komuna e Prizrenit; Komuna e Skenderajt; Komuna e Pejës si dhe Komuna e Ferizajt.  

Ndërsa opinion të pamodifikuar kanë Gjykata Kushtetuese e Kosovës; Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës; Ministria e Mbrojtjes; Ministria e Drejtësisë; Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave; Komuna e Mitrovicës Veriore si dhe Raporti i Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetor për qëllime të veçanta të divizioneve të ndara të Korporatës Energjetike të Kosovës për Zyrën e Rregullatorit të Energjisë për vitin 2025. 

Në kuadër të auditimeve të kryera, ZKA ka vlerësuar gjithashtu pajtueshmërinë e aktiviteteve dhe operacioneve të këtyre organizatave buxhetore me kornizën ligjore në fuqi. Sipas rezultateve të auditimit, 14 prej këtyre institucioneve kanë pranuar konkluzion të kualifikuar të pajtueshmërisë që nënkupton se disa nga aktivitetet apo operacionet e kryera nuk ishin në të gjitha aspektet materiale në përputhje me kornizën ligjore të zbatueshme. Këto institucione janë: Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit; Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës; Ministria e Mbrojtjes; Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë; Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës; Ministria e Drejtësisë; Korporata Energjetike e Kosovës; Universiteti i Prishtinës; Komuna e Klinës; Komuna e Podujevës; Komuna e Prizrenit; Komuna e Skenderajt; Komuna e Pejës dhe Komuna e Ferizajt. 

Ndërsa katër institucione kanë pranuar konkluzion të pakualifikuar të pajtueshmërisë që nënkupton se aktivitetet dhe operacionet e tyre ishin në të gjitha aspektet materiale në përputhje me kornizën ligjore të zbatueshme. Këto institucione janë: Gjykata Kushtetuese e Kosovës; Ministria për Komunitete dhe Kthim; Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave dhe Komuna e Mitrovicës Veriore. 

Për këto 19 raporte të auditimit ZKA ka dhënë 173 rekomandime, zbatimi i së cilave i kontribuon përmirësimit të proceseve, menaxhimit më të mirë të financave publike dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët.   

Deri më tani ZKA-ja ka publikuar 57 raporte të auditimit, prej tyre 54 të rregullsisë (financiar dhe të pajtueshmërisë), një i performancës si dhe dy auditime të veçanta. Procesi i publikimit të raporteve individuale për auditimet e rregullsisë do të vazhdojë deri më 30 qershor 2026 në përputhje me afatin ligjor. 

Për më shumë informata gjeni tabelën përmbledhëse me opinionet, konkluzionet dhe rekomandimet për raportet e lartpërmendura: https://short-url.cc/1xtDc

Si dhe raportet e publikuara i gjeni këtu: https://short-url.cc/1xtCZ

 

 

ZKA fillon auditimin e sistemit për menaxhimin e barnave dhe pajisjeve mjekësore në Kosovë

ZKA fillon auditimin e sistemit për menaxhimin e barnave dhe pajisjeve mjekësore në Kosovë

Në kuadër të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit 2025/2026, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e Sistemit Barnatari të Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale,  përmes së cilit menaxhohen proceset kryesore të regjistrimit, licencimit dhe qarkullimit të barnave dhe pajisjeve medicinale në Kosovë. 

Auditimi do të vlerësojë nëse sistemi Barnatari ofron siguri dhe kontrolle adekuate të të dhënave, disponueshmëri  dhe vazhdimësi efektive të funksionimit për të mbështetur aktivitetet operacionale të institucionit. 

Platforma digjitale Barnatari përdoret që nga viti 2015 nga barnatoret, depot farmaceutike dhe subjektet tjera të sektorit farmaceutik. Janë mbi 1700 barnatore të regjistruara dhe Barnatari ka rol kyç në kontrollin e cilësisë, sigurisë dhe gjurmueshmërisë së produkteve medicinale që furnizojnë tregun e Kosovës. 

 

 

Auditorët e ZKA-së morën pjesë në Konferencën VII Young EUROSAI në Tiranë

Auditorët e ZKA-së morën pjesë në Konferencën VII Young EUROSAI në Tiranë

Auditorët e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), Albana Sahiti dhe Drilon Osmani  me 9 dhe 10 qershor 2026 morën pjesë në Konferencën VII Young EUROSAI (YES Conference), organizuar në Tiranë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit i Shqipërisë.

Konferenca me temën “Auditues të përgatitur për të ardhmen: Nxitës të ndryshimit në një botë të qëndrueshme dhe digjitale”, mblodhi mbi 65 auditorë të rinj nga 32 Institucione Supreme të Auditimit të vendeve anëtare të EUROSAI-t. 

Përfaqësuesit e ZKA-së përmes prezantimit shpalosën përvojën e ZKA-së në përshtatjen me zhvillimet teknologjike dhe digjitalizimin si dhe angazhimin e saj për zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe përdorimin e teknologjisë në funksion të rritjes së cilësisë dhe ndikimit të auditimit publik. 

Pjesëmarrësit shkëmbyen praktikat më të mira në fushën e auditimit publik si dhe trajtuan tema që lidhen me transformimin digjital, përdorimin e teknologjive të reja në auditim, inteligjencën artificiale, zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe qëndrueshmërinë institucionale.  

Auditorja e Përgjithshme u prit në takim nga Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Auditorja e Përgjithshme u prit në takim nga Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, e shoqëruar nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj dhe Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi Morina, të mërkurën u prit në takim nga Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Rrustem Thaqi, ku u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimit institucional në funksion të transparencës, llogaridhënies dhe qeverisjes së mirë. 

Gjatë këtij takimi palët shkëmbyen pikëpamje mbi forcimin e koordinimit ndërinstitucional dhe mbështetjen e proceseve që kontribuojnë në rritjen e efikasitetit, integritetit dhe performancës institucionale.

Auditoret e Përgjithshme të Suedisë dhe Kosovës u pritën në takim nga U.D. Presidentja e Republikës së Kosovës

Auditoret e Përgjithshme të Suedisë dhe Kosovës u pritën në takim nga U.D. Presidentja e Republikës së Kosovës

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti të martën në takim Auditoren e Përgjithshme të Suedisë, Christina Gellerbrant Hagberg dhe Auditoren e Përgjithshme të Kosovës, Vlora Spanca. 

Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e auditimit të pavarur në forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe menaxhimit të përgjegjshëm të financave publike. Po ashtu, u vlerësua bashkëpunimi i suksesshëm ndërmjet Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë, si dhe mbështetja e vazhdueshme suedeze në zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe institucionale të ZKA-së. 

Në takim morën pjesë edhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj  si dhe nga delegacioni i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë, Drejtoresha për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Eva Theisz  dhe Këshilltari i Lartë për Bashkëpunim Ndërkombëtar njëherësh Menaxher i Projektit, Kameran Khudur. 

U mbajt Takimi i Komitetit Drejtues të projektit të bashkëpunimit ndërmjet ZKA-së së Kosovës dhe ZKA-së së Suedisë

U mbajt Takimi i Komitetit Drejtues të projektit të bashkëpunimit ndërmjet ZKA-së së Kosovës dhe ZKA-së së Suedisë

Zyra Kombëtare e Auditimit e Republikës së Kosovës dhe Zyra Kombëtare e Auditimit e Suedisë të hënën mbajtën Takimin e Komitetit Drejtues në kuadër të projektit të bashkëpunimit institucional ndërmjet dy Institucioneve Supreme të Auditimit. 

Takimi u kryesua nga Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, ku u  shqyrtua progresi i arritur deri më tani dhe u diskutuan aktivitetet e planifikuara për periudhën maj 2026 – qershor 2027. Auditoret e Përgjithshme të Kosovës dhe Suedisë prezantuan zhvillimet kryesore në institucionet e tyre, prioritetet strategjike dhe planet për periudhën në vijim, duke riafirmuar rëndësinë e bashkëpunimit bilateral dhe zhvillimit profesional të të dy institucioneve. 

Raporti i progresit të projektit evidentoi rezultatet kyçe të arritura në fushat e mbështetura nga projekti, përfshirë auditimet e performancës, udhëheqjen dhe komunikimin e brendshëm, si dhe menaxhimin e cilësisë. Gjithashtu u trajtuan sfidat e mundshme si dhe çështje të tjera me interes për vazhdimin e bashkëpunimit.

Në përfundim të takimit, Auditorja e Përgjithshme e Kosovës dhe Auditorja e Përgjithshme e Suedisë vlerësuan arritjet e deritanishme dhe rikonfirmuan përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit profesional, me synim forcimin e kapaciteteve të auditimit dhe rritjen e llogaridhënies në sektorin publik. Ato theksuan se partneriteti ka dhënë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e qëndrueshëm të kapaciteteve profesionale të ZKA-së, forcimin e sistemeve të menaxhimit të cilësisë dhe rritjen e ndikimit të auditimit në sektorin publik.  

Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës dhe ajo e Suedisë rikonfirmojnë bashkëpunimin 15-vjeçar

Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës dhe ajo e Suedisë rikonfirmojnë bashkëpunimin 15-vjeçar

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Drejtoresha për Komunikim me Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qendresa Mulaj dhe bashkëpunëtorë të tjerë priten të hënën në takim Auditoren e Përgjithshme të Suedisë, Christina Gellerbrant Hagberg, Drejtoreshën për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Eva Theisz si dhe Këshilltarin e Lartë për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Menaxher i Projektit, Kameran Khudur.

Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet aktuale në fushën e auditimit publik, prioritetet strategjike të dy Institucioneve Supreme të Auditimit, si dhe mundësitë për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërinstitucional.

“Partneriteti afatgjatë me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë ka luajtur rol të rëndësishëm në avancimin e kapaciteteve profesionale dhe institucionale të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës. Falë këtij bashkëpunimi, kemi forcuar funksionet tona të auditimit, kemi ngritur standardet e cilësisë dhe kemi konsoliduar praktika që sot janë pjesë përbërëse e punës sonë të përditshme, duke kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e llogaridhënies, transparencës dhe qeverisjes së mirë në Republikën e Kosovës”, theksoi Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca.

Auditorja e Përgjithshme e Suedisë, Christina Gellerbrant Hagberg, rikonfirmoi gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe mbështetjes profesionale në fusha me interes të përbashkët. “Jam e kënaqur teksa shoh se investimi ynë i përbashkët në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës po jep rezultate konkrete në forcimin e kapaciteteve, si në nivel individual ashtu edhe në nivel institucional, duke siguruar pajtueshmëri me parimet dhe standardet ndërkombëtare të auditimit”, deklaroi ajo.

Delegacioni suedez u prit në takim të veçantë edhe nga Ndihmës Auditorët e Përgjithshëm, drejtorët e departamentit të auditimit si dhe departamenteve profesionale mbështetëse.

Auditorja e Përgjithshme e Suedisë me bashkëpunëtorë po qëndron për vizitë dyditore në Kosovë.

ZKA publikoi edhe 14 raporte të auditimit për sezonin auditues 2025/2026

ZKA publikoi edhe 14 raporte të auditimit për sezonin auditues 2025/2026

Në kuadër të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit 2025/2026, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi edhe 14 raporte të auditimit, prej tyre 12 institucione të nivelit qendror si dhe dy të nivelit lokal/komuna. Për shtatë prej këtyre institucioneve ZKA ka dhënë opinion të auditimit të kualifikuar, ndërsa për shtatë të tjera opinion të pamodifikuar.  

Opinion të kualifikuar kanë Zyra e Rregullatorit për Energji, Zyra e Kryeministrit, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Zhvillimit Rajonal, Komuna e Malishevës si dhe Komuna e Suharekës. 

Ndërsa opinion të pamodifikuar kanë Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Zyra e Presidentit, Kuvendi i Republikës së Kosovës si dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.  

ZKA ka vlerësuar gjithashtu edhe pajtueshmërinë e aktiviteteve/operacioneve të këtyre organizatave buxhetore me kornizën ligjore në fuqi dhe sipas rezultatit të auditimit, pesë prej këtyre institucioneve konkluzionin e pajtueshmërisë e kanë të kualifikuar si: Zyra e Rregullatorit për Energji, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, Komuna e Malishevës si dhe Komuna e Suharekës. Ndërsa nëntë institucione kanë konkluzion të pajtueshmërisë të pamodifikuar si: Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Zyra e Kryeministrit, Zyra e Presidentit, Kuvendi i Republikës së Kosovës, Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, Ministria e Ekonomisë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal.   

Për këto 14 raporte të auditimit ZKA ka dhënë 75 rekomandime zbatimi i së cilave i kontribuon përmirësimit të proceseve, menaxhimit më të mirë të financave publike dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët.  

Për më shumë informata gjeni tabelën përmbledhëse me opinionet, konkluzionet dhe rekomandimet për raportet e lartë përmendura. 

Si dhe raportet e publikuara i gjeni këtu: https://shortlink.uk/1wqpw

Studentët e UBT-së realizuan vizitë studimore në Zyrën Kombëtare të Auditimit

Studentët e UBT-së realizuan vizitë studimore në Zyrën Kombëtare të Auditimit

Një grup studentësh të Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi të Kolegjit UBT, të shoqëruar nga profesori/ligjëruesi Mic Ukaj, të premten realizuan vizitë studimore në Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA), në kuadër të lëndës “Metodat Statistikore në Biznes”. Studentët u pritën nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Drejtori i Departamentit për Planifikim Strategjik, Raportim dhe Analiza, Muhamet Balaj dhe Shefja e Kabinetit të AP-së, Shqipe Çavdarbasha.

Auditorja e Përgjithshme mirëpriti studentët dhe i njoftoi ata me rolin e ZKA-së dhe rëndësinë e auditimit në forcimin e llogaridhënies dhe transparencës në sektorin publik, si dhe me mundësitë që institucioni ofron për zhvillimin profesional të të rinjve. 

Ajo theksoi rëndësinë e lidhjes së njohurive akademike me praktikën profesionale dhe rolin e analizës së të dhënave në mbështetje të auditimit publik. “Investimi në arsimimin dhe formimin e brezave të rinj është investim në të ardhmen e vendit tonë. Në veprimtarinë tonë të përditshme, të dhënat përbëjnë themelin e analizës dhe vlerësimit objektiv. Përmes metodave statistikore dhe qasjeve analitike, ne sigurojmë që gjetjet dhe rekomandimet e auditimit të mbështeten në dëshmi të besueshme, profesionalizëm dhe pavarësi. Përmes raporteve të auditimit, kontribuojmë në forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe qeverisjes së mirë, duke ndihmuar në menaxhimin më të mirë të parasë publike”, tha znj. Spanca. 

Profesori Mic Ukaj falënderoi Auditoren e Përgjithshme për pritjen si dhe vlerësoi këtë mundësi duke thënë se përmes kësaj vizite studentët mund të njihen nga afër me zbatimin praktik të koncepteve statistikore në auditimin e sektorit publik, duke lidhur njohuritë teorike të fituara gjatë studimeve me praktikat profesionale të ZKA-së.  

Drejtori i Departamentit për Planifikim Strategjik, Raportim dhe Analiza, Muhamet Balaj, para studentëve prezantoi proceset dhe praktikat e auditimit, me theks të veçantë në grumbullimin, analizimin dhe interpretimin e të dhënave, si dhe në përdorimin e metodave statistikore në mbështetje të gjetjeve dhe raporteve të auditimit.

ZKA shënoi 1 Qershorin me aktivitete edukative në shkolla

ZKA shënoi 1 Qershorin me aktivitete edukative në shkolla

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, përfaqësues të lartë të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) të hënën realizuan vizita në katër shkolla fillore, “Naim Frashëri” dhe “Mehmet Gjevori” në Prishtinë, “28 Nëntori” në Bresanë të Dragashit dhe shkollën “Ilir Konushevci” në Llugë të Podujevës. 

Gjatë këtyre aktiviteteve, nxënësve iu prezantua në mënyrë të përshtatur për moshën e tyre roli dhe funksioni i Zyrës Kombëtare të Auditimit, si dhe rëndësia e auditimit në promovimin e llogaridhënies, transparencës dhe menaxhimit të mirë të parasë publike. Vizitat u realizuan në kuadër të mbështetjes së ofruar për këto shkolla përmes donacioneve me inventar dhe pajisje teknologjike, bazuar në marrëveshjet e nënshkruara nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca. 

Drejtuesit e shkollave shprehën mirënjohjen e tyre për vizitat dhe mbështetjen e ofruar, duke theksuar se pajisjet dhe inventari i dhuruar kontribuojnë në përmirësimin e kushteve të mësimit dhe zhvillimin e procesit edukativo-arsimor. Përmes këtyre aktiviteteve, znj. Spanca riafirmon përkushtimin e saj për mbështetur arsimin dhe promovuar te gjeneratat e reja vlerat e llogaridhënies, transparencës dhe përgjegjshmërisë qytetare.