Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.

Lajmet

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në takimin e liderëve të Institucioneve Supreme të Auditimit në kuadër të Rrjetit që u mbajt në Paris

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në takimin e liderëve të Institucioneve Supreme të Auditimit në kuadër të Rrjetit që u mbajt në Paris

Me 15 dhe 16 tetor 2026 në Paris të Francës u mbajt takimi i liderëve të Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) në kuadër të Rrjetit të vendeve kandidate dhe kandidate të mundshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian në bashkëpunim me projektin e EUROSAI-t për Asistencë në Zhvillim (EDA) me mbështetjen e OECD/SIGMA dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë. Takimi pati për qëllim diskutimin e çështjeve me rëndësi për pavarësinë institucionale, forcimin e rolit të auditimit publik dhe shkëmbimin e përvojave profesionale. 

Liderët e Institucioneve Supreme shqyrtuan dhe miratuan Planin e Punës së Rrjetit për periudhën 2027-2028 i cili përfshinë udhëheqjen për ndikimin e auditimit, mbrojtjen e pavarësisë së ISA-ve dhe forcimin e kapaciteteve të auditimit në lidhje me projektet e investimeve kapitale dhe reformat që lidhen me BE-në. 

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, shprehu gatishmërinë që ZKA-ja të jap kontribut në dy aktivitete të këtij plani, në auditimin e projekteve të investimeve kapitale si dhe në shkëmbimin e përvojave në auditimet paralele.   

Në ditën e parë të takimit, diskutimet u përqendruan në mbrojtjen e pavarësisë së Institucioneve Supreme të Auditimit, me fokus në gjetjet dhe rekomandimet e raportit të përbashkët të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) dhe Iniciativës për Zhvillim të INTOSAI-t (IDI). Përveç aspektit ligjor, u trajtuan edhe faktorët e tjerë që ndikojnë në ushtrimin efektiv të pavarësisë, përfshirë marrëdhëniet institucionale, normat profesionale, sjelljen dhe besimin. 

Në kuadër të panelit të parë, me temën “Mbrojtja e pavarësisë së Institucioneve Supreme të Auditimit”, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, prezantoi përvojën e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës në ushtrimin e mandatit kushtetues, pavarësinë dhe integritetin institucional. Znj. Spanca theksoi gjithashtu rëndësinë e integritetit profesional, transparencës dhe komunikimit të hapur me median, shoqërinë civile dhe qytetarët për forcimin e besimit publik. 

Dita e dytë e takimit iu kushtua temave që ndërlidhen me auditimin e projekteve investuese, agjendën e reformave të Bashkimit Evropian dhe auditimin e reformave të lidhura me procesin e integrimit evropian. 

Takimi u drejtua nga Auditori i Përgjithshëm i Maqedonisë së Veriut, Maksim Acevski që aktualisht kryeson Rrjetin, dhe fjalë rasti mbajtën Drejtues i programit SIGMA/OECD, Gregor Virant, President i Gjykatës Evropiane të Auditorëve, Tony Murphy, Auditorja e  Përgjithshme e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë, Christina Gellerbrant Hagberg, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Iniciativës për Zhvillim të INTOSAI-t (IDI), Freddy Njamba, si dhe ekspertë të SIGMA/OCED. 

Në këtë takim morën pjesë edhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj dhe Zyrtarja për Komunikim me Publikun, Shqipe Hetemi.

Homologët ndërkombëtar urojnë Auditoren e Përgjithshme Vlora Spanca për marrjen e mandatit të dytë

Homologët ndërkombëtar urojnë Auditoren e Përgjithshme Vlora Spanca për marrjen e mandatit të dytë

Rizgjedhja e Auditores së Përgjithshme të Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, është përcjellë me urime nga Auditorët e Përgjithshëm nga vende të ndryshme. Në mesazhet e urimit homologët ndërkombëtarë kanë shprehur përgëzimet e tyre për rizgjedhjen e znj. Spanca, duke vlerësuar se mandati i saj i dytë është pasqyrim i punës dhe angazhimit në avancimin e auditimit publik dhe forcimin e llogaridhënies dhe transparencës. 

Urimet pasqyrojnë marrëdhëniet profesionale dhe bashkëpunimin ndërmjet Institucioneve Supreme të Auditimit si dhe rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e auditimit publik. 

Drejtuesit e Institucioneve Supreme të Auditimit vlerësuan se nën udhëheqjen e znj. Spanca, ZKA-ja do të vazhdojë të mbështesë pavarësinë dhe standardet e larta profesionale si dhe mirëpresin angazhimin e saj për forcimin e bashkëpunimit brenda komunitetit ndërkombëtar të Institucioneve Supreme të Auditimit për avancimin e objektivave të përbashkëta profesionale.  

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca ka pranuar letër urimi nga Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shqipërisë, Arben Shehu, Auditorja e Përgjithshme e Suedisë, Christina Gellerbrant Hagberg, Kryetari i Gjykatës Turke të Llogarive, Metin Yener,  Auditori i Përgjithshëm i Maltës, Charles Deguara, Auditori i Përgjithshëm i Finlandës, Sami Yläoutinen, Auditori i Përgjithshëm i Bahrain, Ahmed Bin Mohammed Al-Khalifa,  Auditorja e Përgjithshme e Belizes, Maria Rodriguez, Auditorja e Përgjithshme e Kanadasë, Karen Hogan, Kryetari i Autoritetit Shtetëror të Auditimit Financiar dhe Administrativ të Omanit, H.E Sheikh Ghuson bin Hilal Al Alawi, Presidenti i Institucionit Suprem të Auditimit të Çekisë, Miloslav Kala, Auditori i Përgjithshëm i Afrikës së Jugut,  Tsakani Maluleka, Kryetarja e Gjykatës së Auditimit të Sllovenisë, Jana Ahcin, Auditori i Përgjithshëm i Estonisë, Janar Holm, Presidentja e Gjykatës Portugeze të Auditorëve, Filipa Urbano Calvão, Presidenti i Gjykatës Federale të Llogarive të Brazilit, Minister Vital do Rêgo si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Iniciativës për Zhvillim e INTOSAI-t, Einar Gørrissen.  

 

 

 

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca takoi Kryetaren e Kuvendit të Kosovës Albulena Haxhiu

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca takoi Kryetaren e Kuvendit të Kosovës Albulena Haxhiu

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të martën u prit në takim nga Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila e përgëzoi për punën e saj dhe rizgjedhjen për një mandat të ri pesëvjeçar. 

Kryeparlamentarja theksoi rëndësinë e raporteve të auditimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit si bazë për mbikëqyrjen parlamentare dhe tha se Kuvendi do t’u kërkojë institucioneve llogari për zbatimin e rekomandimeve të auditimit. “Adresimi i rekomandimeve të auditimit duhet të jetë prioritet i prioriteteve për institucionet publike”, theksoi ndër të tjera znj. Haxhiu. 

Znj. Spanca rikonfirmoi përkushtimin e saj për të vazhduar punën në avancimin e cilësisë së auditimeve, forcimin e llogaridhënies dhe transparencës, si dhe rritjen e ndikimit të auditimit publik në përmirësimin e menaxhimit të parasë publike. Ajo theksoi se ruajtja dhe mbrojtja e pavarësisë institucionale dhe integritetit profesional të Zyrës Kombëtare të Auditimit do të jetë pjesë kyçe e vizionit të saj për 5 vitet e ardhshme. 

Auditorja e Përgjithshme, i dorëzoi edhe personalisht Kryetares së Kuvendit Albulena Haxhiu, Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2025 dhe e njoftoi shkurtimisht për rezultatet thelbësore të auditimit të buxhetit të përgjithshëm të shtetit.

Përfaqësuesit e ZKA-së morën pjesë në konferencën rajonale për integritetin financiar në kuadër të Procesit të Berlinit

Përfaqësuesit e ZKA-së morën pjesë në konferencën rajonale për integritetin financiar në kuadër të Procesit të Berlinit

Drejtori i Departamentit për Planifikim Strategjik, Raportim dhe Analiza, Muhamet Balaj, Drejtori i Departamentit për Metodologji, Naser Arllati dhe Drejtori i Departamentit të Cilësisë, Fitim Haliti të premten morën pjesë në konferencën rajonale “Përtej pajtueshmërisë: Ndërtimi i ekonomive reziliente përmes integritetit financiar”, organizuar nga Ministria e Financave e Republikës së Kosovës në kuadër të Procesit të Berlinit. 

Konferenca mblodhi përfaqësues të institucioneve vendore dhe rajonale, organizatave ndërkombëtare dhe ekspertë të fushës për të diskutuar parandalimin dhe luftimin e financave të paligjshme, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkufitar, si dhe rëndësinë e hetimeve financiare dhe rikuperimit të aseteve të përfituara nga aktivitetet e paligjshme. 

Në hapje të konferencës, fjalë rasti mbajtën ministri i Financave, Hekuran Murati, ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj, që përfaqëson shtetin që kryeson Procesin e Berlinit këtë vit, si dhe zëvendës ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Silke Bellmann, që përfaqëson shtetin iniciues të këtij procesi. Gjatë diskutimeve pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e zbatimit efektiv të standardeve dhe kërkesave ligjore në praktikë, koordinimit institucional dhe shkëmbimit të informacionit. 

ZKA-ja mori pjesë në trajnimin rajonal të Programit Ballkanik për Auditimin e Teknologjisë së Informacionit

ZKA-ja mori pjesë në trajnimin rajonal të Programit Ballkanik për Auditimin e Teknologjisë së Informacionit

Përfaqësuesit e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, Administratori i Sistemit, Selami Ibishi dhe Auditori i TI-së, Gazmend Lushtaku, morën pjesë në trajnimin rajonal “Auditimi bazë i Microsoft Active Directory Domain Services”, organizuar në kuadër të Programit Ballkanik për Auditimin e Teknologjisë së Informacionit, i cili u mbajt nga 28 shtatori deri më 1 tetor 2026 në Shkup nga Institucioni Suprem i Auditimit të Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Norvegjisë.

Trajnimi u fokusua në parimet bazë të Microsoft Active Directory Domain Services, parimet e sigurisë dhe rreziqet në këtë sistem, si dhe në auditimin bazë të Active Directory dhe kontrolluesve të domenit. Pjesëmarrësit zhvilluan ushtrime praktike për nxjerrjen dhe analizimin e të dhënave përfshirë përdorimin e Excel-it si dhe u prezantuan me shembuj nga auditimet reale.  

 Vlora Spanca rizgjedhet Auditore e Përgjithshme e Republikës së Kosovës

Vlora Spanca rizgjedhet Auditore e Përgjithshme e Republikës së Kosovës

Kuvendi i Republikës së Kosovës me shumicë votash të hënën, me 5 tetor 2026, ka rizgjedhur Vlora Spancën në pozitën e Auditores së Përgjithshme të Republikës së Kosovës, për një mandat të ri pesëvjeçar. 

Rizgjedhja e Auditores së Përgjithshme u bë me propozim të U.D. Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu dhe rekomandimit të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP).  

Znj. Spanca ka mbajtur pozitën e Auditorit të Përgjithshëm dhe ka udhëhequr Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA) gjatë pesë viteve të fundit (2021-2026) duke drejtuar institucionin në përmbushjen e mandatit të tij kushtetues dhe ligjor dhe në avancimin e rolit të auditimit publik. Kontributi i saj në udhëheqjen e ZKA-së, ka qenë kyç në forcimin dhe përmirësimin e proceseve të menaxhimit të përgjegjshëm të parasë publike. 

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, mirënjohëse ndaj deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për besimin e dhënë, shpreh përkushtimin për të vazhduar përmbushjen e mandatit të Auditores se Përgjithshme dhe drejtimin e ZKA-së me përgjegjësi, profesionalizëm dhe integritet. Ajo zotohet se edhe në mandatin e ri, ZKA do të vazhdojë të punojë për forcimin e llogaridhënies, transparencës se menaxhimit të mirë të parasë publike, gjithnjë në shërbim dhe për interes të qytetarëve të  vendit.

Sqarim për opinionin publik nga Zyra Kombëtare e Auditimit

Sqarim për opinionin publik nga Zyra Kombëtare e Auditimit

Lidhur me artikullin e publikuar nga portali Kujdestari për vizitën zyrtare të delegacionit të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës në Zyrën Supreme të Auditimit të Republikës së Sllovakisë, e vlerësojmë të nevojshme të sqarojmë opinionin publik se vizita është zhvilluar me ftesë zyrtare të institucionit homolog sllovak dhe në përputhje të plotë me mandatin kushtetues e ligjor të ZKA-së për bashkëpunim ndërkombëtar. 

Ftesa zyrtare, e nënshkruar nga Presidenti i Zyrës Supreme të Auditimit të Republikës së Sllovakisë, njëkohësisht Zëvendëspresident i Parë i EUROSAI-t, z. Ľubomír Andrassy, i është drejtuar Auditores së Përgjithshme të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës, duke e përcaktuar shprehimisht si takim bilateral. Delegacioni i ZKA-së i udhëhequr nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, është pritur në nivelin më të lartë institucional nga Presidenti Andrassy dhe drejtuesit e lartë të institucionit. 

Bashkëpunimi me Zyrën Supreme të Auditimit të Sllovakisë ka rëndësi të veçantë edhe në kuadër të EUROSAI-t pasi në vitin 2027, në Bratislavë, do të presë Kongresin XIII të organizatës kur edhe do të marrë Presidencën e EUROSAI-t. Prandaj, ndërtimi i marrëdhënieve profesionale me këtë institucion është me interes strategjik për ZKA-në dhe për fuqizimin e pozitës së saj në kuadër të bashkëpunimit evropian. 

ZKA-ja angazhohet të përfaqësoj me dinjitet Republikën e Kosovës në fushën e auditimit publik dhe lobon të avancojë interesat e vendit dhe ato institucionale përmes bashkëpunimit bilateral dhe në forumet ndërkombëtare. Prandaj, fakti që Republika e Sllovakisë nuk e ka njohur Republikën e Kosovës nuk e pengon dhe as nuk e zvogëlon rëndësinë e bashkëpunimit profesional ndërmjet dy institucioneve supreme të auditimit. Përkundrazi, zhvillimi i një vizite zyrtare me ftesë, adresimi institucional i Auditores së Përgjithshme dhe i Republikës së Kosovës, si dhe pritja në nivelin më të lartë të institucionit homolog dëshmojnë respektin institucional dhe gatishmërinë për bashkëpunim profesional. Dialogu dhe bashkëpunimi profesional me institucionet e shteteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën nuk përbëjnë mangësi por një mundësi për të forcuar praninë, kredibilitetin dhe subjektivitetin institucional të Kosovës. 

ZKA-ja e vlerëson ftesën dhe gatishmërinë e Zyres Supreme të Auditimit të Sllovakisë për bashkëpunim dhe respekton në tërësi politikat redaktuese të njoftimeve në kanalet e komunikimit të institucionit pritës. Kjo nuk mund të përdoret si kriter për të mohuar rëndësinë, karakterin zyrtar apo përmbajtjen e vizitës. 

Auditorja e Përgjithshme zhvilloi takimin e parë bilateral me Auditorin e Përgjithshëm të Sllovakisë

Auditorja e Përgjithshme zhvilloi takimin e parë bilateral me Auditorin e Përgjithshëm të Sllovakisë

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Drejtoresha e Departamentit për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qendresa Mulaj dhe Drejtori i Departamentit të Auditimit, Lavdim Maxhuni vizituan Zyrën Supreme të Auditimit të Republikës së Sllovakisë në Bratislavë nga 29 shtatori deri më 1 tetor 2026. Vizita shënoi takimin e parë bilateral ndërmjet dy Institucioneve Supreme të Auditimit dhe pati për qëllim shkëmbimin e përvojave profesionale, prezantimin e praktikave institucionale dhe diskutimin e çështjeve me interes të përbashkët, me synim forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve. 

Në kuadër të takimit, përfaqësuesit e ZKA-së dhe ISA-së së Sllovakisë diskutuan për rolin, mandatin, fushëveprimin, strukturën organizative, strategjitë dhe proceset e brendshme të institucioneve që përfaqësojnë. Diskutimet u fokusuan edhe në udhëheqjen dhe etikën, auditimin e pajtueshmërisë, si dhe në strategjinë e komunikimit institucional, përfshirë zhvillimet e fundit në komunikim, ndikimin e digjitalizimit dhe inteligjencës artificiale dhe praktikat e aplikuara nga të dy institucionet. 

Në fjalën e saj, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, falënderoi homologun e saj për ftesën dhe mikpritjen, duke theksuar se takimi përbën një mundësi të rëndësishme për të shkëmbyer përvoja, për të mësuar nga njëri-tjetri dhe për të ndërtuar një marrëdhënie profesionale të qëndrueshme ndërmjet dy institucioneve. Ajo nënvizoi rëndësinë e pavarësisë, integritetit, profesionalizmit dhe llogaridhënies për besueshmërinë e Institucioneve Supreme të Auditimit, si dhe rolin e komunikimit të qartë në rritjen e mirëkuptimit dhe llogaridhënies publike. 

Presidenti i Zyrës Supreme të Auditimit të Republikës së Sllovakisë, Ľubomír Andrassy, mirëpriti delegacionin e ZKA-së dhe theksoi rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe njohurive ndërmjet dy institucioneve. Takimi krijoi hapësirë për diskutim të praktikave në fusha të ndryshme të punës së institucioneve supreme të auditimit dhe për identifikimin e mundësive për bashkëpunim të mëtejshëm. 

Në kuadër të vizitës u shkëmbyen përvojat edhe në fushën e komunikimit institucional me prezantime nga përfaqësuesit përgjegjës për komunikim të të dy institucioneve. 

ZKA-ja mori pjesë në tryezën e diskutimit të INPO-së për integritetin dhe ligjshmërinë në prokurim

ZKA-ja mori pjesë në tryezën e diskutimit të INPO-së për integritetin dhe ligjshmërinë në prokurim

Përfaqësuesja e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), auditorja seniore, Donjeta Dreshaj, të mërkurën mori pjesë në tryezën e diskutimit të organizuar nga Iniciativa për Progres - INPO, me rastin e publikimit të raportit “Integriteti dhe ligjshmëria në ciklin e tenderimit”. 

Në kuadër të tryezës u diskutuan gjetjet e raportit, i cili trajton rreziqet për integritet dhe ligjshmëri në faza të ndryshme të ciklit të prokurimit publik, si dhe sfidat në zbatimin e rregullave në praktikë. 

Gjatë diskutimit në panel, përfaqësuesja e ZKA-së znj. Dreshaj kontribuoi me perspektivën institucionale dhe profesionale lidhur me çështjet e ngritura në raport, duke theksuar rëndësinë e llogaridhënies, kontrolleve dhe zbatimit të qëndrueshëm të rregullave gjatë proceseve të prokurimit publik. 

Pjesëmarrësit theksuan se problematikat dhe rreziqet e identifikuara në raport paraqiten edhe në praktikë dhe kërkojnë adresim të vazhdueshëm. Në veçanti, u theksua nevoja për rritjen e llogaridhënies së autoriteteve kontraktuese, forcimin e kontrolleve dhe zbatimin më të qëndrueshëm të rregullave në të gjitha fazat e ciklit të prokurimit. 

ZKA prezantoi përvojën në angazhimin e shoqërisë civile në auditimin e sektorit publik

ZKA prezantoi përvojën në angazhimin e shoqërisë civile në auditimin e sektorit publik

Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi Morina, Drejtoresha e Departamentit të Auditimit, Mjellma Dibra dhe Drejtoresha e Departamentit të Auditimit, Blerina Krasniqi të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), më 23 dhe 24 shtator 2026 në Lisbonë morën pjesë në Konferencën XI të EUROSAI – OLACEFS me titull “Angazhimi i shoqërisë civile në auditimin e sektorit publik”.  

Konferenca trajtoi rolin e qytetarëve dhe shoqërisë civile në punën e institucioneve supreme të auditimit, duke ofruar mundësi për diskutime dhe ndarjen e praktikave ndërmjet institucioneve anëtare të EUROSAI-t dhe OLACEFS-it. 

Në kuadër të sesionit kushtuar kësaj teme, Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi Morina, prezantoi përvojën e ZKA-së në angazhimin e shoqërisë civile në auditimin e sektorit publik, duke ndarë praktikat e institucionit në këtë drejtim. 

Programi i konferencës përfshiu gjithashtu sesione plenare dhe punëtori tematike, të fokusuara në forcimin e pjesëmarrjes së qytetarëve dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve supreme të auditimit dhe shoqërisë civile.

Auditorja e Përgjithshme: Zbatimi i rekomandimeve nuk duhet të shihet si detyrim formal, por mekanizëm për përmirësimin e qeverisjes publike

Auditorja e Përgjithshme: Zbatimi i rekomandimeve nuk duhet të shihet si detyrim formal, por mekanizëm për përmirësimin e qeverisjes publike

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të hënën mori pjesë si paneliste në Forumin kundër Korrupsionit, të organizuar nga BIRN Kosova. Në panelin me temën “Parandalimi i korrupsionit përmes rritjes së transparencës dhe meritokracisë”, u diskutua për rolin e deklarimit të pasurisë në parandalimin e korrupsionit dhe llogaridhënien në zbatimin e gjetjeve të raporteve të auditimit. 

Në fjalën e saj, Auditorja e Përgjithshme theksoi se procesi i auditimit nuk përfundon me publikimin e raportit, por vazhdon përmes reagimit institucional dhe adresimit të rekomandimeve. Ajo nënvizoi se vlera e një gjetjeje të auditimit matet përmes ndryshimeve konkrete që ajo sjell në përmirësimin e proceseve, forcimin e kontrolleve të brendshme dhe menaxhimin më të mirë të parasë publike. 

“Prandaj, le ta shohim zbatimin e rekomandimeve jo si një detyrim formal, por si mekanizëm për përmirësimin e qeverisjes publike, kjo sepse qëllimi përfundimtar i auditimit nuk është të tregojë vetëm se çfarë nuk ka funksionuar. Qëllimi është të ndihmojë që nesër të funksionojë më mirë. Dhe kjo kërkon një kulturë të përbashkët të përgjegjësisë, transparencës dhe llogaridhënies, nga menaxhmenti, nga institucionet mbikëqyrëse dhe nga të gjithë ne që kemi përgjegjësi në sektorin publik”, deklaroi Auditorja e Përgjithshme. 

Duke iu referuar punës së Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) ajo njoftoi se gjatë vitit 2025 janë kryer 131 auditime në institucione publike dhe janë dhënë 1,032 rekomandime për përmirësimin e menaxhimit financiar dhe kontrolleve të brendshme. 

Në këtë kuadër znj. Spanca theksoi rolin e ZKA-së në trajtimin e gjetjeve që mund të përmbajnë elemente të mashtrimit apo veprave penale ku deri me tani janë dërguar te Prokurori i Shtetit rreth 500 raste dhe se janë në proces të vlerësimit edhe rastet për auditimet e vitit 2025. 

Forumi përfshiu edhe panelin e dytë me temën “Sfidat në hetimin dhe llogaridhënien për rastet e korrupsionit”, ku u diskutua lidhja e korrupsionit me dëmtimin e mjedisit, sfidat në hetimin e krimeve mjedisore dhe mungesa e mekanizmave efektivë të kontrollit. 

Forumi u organizua në kuadër të projektit “Society against Corruption in Montenegro and Western Balkans”, me mbështetjen financiare të Bureau of Democracy, Human Rights, and Labor (DRL) të Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Përfaqësuesit e ZKA-së morën pjesë në seminarin dhe takimin vjetor të Grupit Punues të EUROSAI-t për Auditimin e Komunave (WGMA)

Përfaqësuesit e ZKA-së morën pjesë në seminarin dhe takimin vjetor të Grupit Punues të EUROSAI-t për Auditimin e Komunave (WGMA)

Auditorët e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), Erëmira Bytyqi Pllana dhe Elvir Krasniqi  me 23 dhe 24 shtator 2026 në Bukuresht morën  pjesë në Seminarin IX “Të hyrat vetanake të qeverisjes lokale (autonomia financiare): ndërmjet potencialit të pashfrytëzuar dhe varësisë nga transferet nga buxheti i shtetit” dhe Takimin X Vjetor të Grupit Punues të EUROSAI-t për Auditimin e Komunave (WGMA).

Seminari trajtoi çështje që lidhen me të hyrat vetanake të qeverisjes lokale dhe autonominë financiare, ndërsa gjatë sesioneve të punës pjesëmarrësit diskutuan temat e prezantuara në kuadër të punimeve të seminarit. 

Në Takimin X Vjetor të WGMA-së, ndër të tjera pjesëmarrësit diskutuan të arriturat e Grupit Punues gjatë dhjetë viteve, progresin në aktivitetet e vitit 2025, Çmimi i WGMA-së për auditimin më të mirë komunal, si dhe aktivitetet e ardhshme të Grupit Punues.