Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.

Lajmet

Auditorja e Përgjithshme takoi Ministrin  e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural

Auditorja e Përgjithshme takoi Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca e shoqëruar nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm Bezad Halilaj, të martën u pritën në takim nga Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja. Takimi pati për qëllim njohjen më të afërt me çështjet dhe rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, si dhe adresimin e tyre, në funksion të përmirësimit të fushave dhe proceseve që mbulohen nga kjo Ministri.

Znj Spanca e informoi z. Muja për çështjet e identifikuara nga auditimet e kryera, si dhe theksoi domosdoshmërinë e adresimit të rekomandimeve përkatëse në Ministri dhe Agjencitë vartëse të saj.

Ndërsa Ministri Armend Muja shprehu gatishmërinë e tij për të trajtuar dhe adresuar këto çështje duke vlerësuar njëkohësisht kontributin e ZKA-së në përmirësimin e menaxhimit të parasë dhe pasurisë publike në kuadër të fushëveprimit të Ministrisë.

 Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në Konferencën e Nivelit të Lartë mbi  Gjithëpërfshirjen e organizuar nga EUROSAI

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në Konferencën e Nivelit të Lartë mbi Gjithëpërfshirjen e organizuar nga EUROSAI

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, Drejtori i Auditimit, Shkelqim Xhema dhe Auditorja Seniore Ariana Rexhëbeqaj me 10 dhe 11 mars 2026 në Pragë morën pjesë në Konferencën e Nivelit të Lartë për Gjithëpërfshirjen (High Level Conference on Inclusiveness), të organizuar nga Zyra Supreme e Auditimit të Republikës Çeke në kuadër të EUROSAI-t, ku morën pjesë përfaqësues të Institucioneve Supreme të Auditimit nga vende të ndryshme evropiane. 

Konferenca trajtoi një sërë temash që lidhen me përfshirjen dhe pjesëmarrjen e institucioneve në aktivitetet e kësaj organizate, përfshirë rëndësinë e përzgjedhjes së temave me prioritet, rritjen e ndërgjegjësimit për aktivitetet dhe komunikimin, si dhe aspektet financiare që lidhen me organizimin dhe zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta. 

Zyra Supreme e Auditimit të Çekisë kishte përgatitur një analizë të detajuar të anketës së zhvilluar me Institucionet Supreme të Auditimit (ISA) anëtare të EUROSAI-t për gjithëpërfshirjen, rezultatet e së cilës tregojnë se shumica e ISA-ve shprehin interesim të lartë për të marrë pjesë në aktivitetet e organizuara por se për shkak të kapaciteteve institucionale dhe prioritizimit të përgjegjësive për realizimin e planeve vetanake ndikojnë që jo gjithmonë të arrijnë këtë. Në kuadër të konferencës u prezantuan rezultatet e anketës dhe u dhanë kontribute nga të ftuarit. 

Programi përfshiu edhe tryeza diskutimi ndërmjet pjesëmarrësve, të cilat shërbyen për shkëmbimin e ideve dhe përvojave lidhur me rritjen e nivelit të përfshirjes dhe pjesëmarrjes në aktivitetet e organizatës. 

Në përmbyllje të konferencës u prezantuan edhe konkluzionet kryesore, të cilat synojnë të kontribuojnë në përmirësimin e bashkëpunimit dhe gjetjen e mekanizmave gjithëpërfshirës në aktivitetet e ardhshme të EUROSAI-t. 

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm takoi Ministrin e Digjitalizimit dhe Administratës Publike

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm takoi Ministrin e Digjitalizimit dhe Administratës Publike

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, të martën u prit në takim nga Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, me të cilin biseduan për fushëveprimin dhe përgjegjësitë e kësaj Ministrie dhe bashkëpunimin ndër institucional në shërbim të forcimit të llogaridhënies. 

Z. Halilaj u njoftua nga Ministri Jagxhiu lidhur me përgjegjësitë e Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike, si dhe për prioritetet për avancimin e shërbimeve digjitale dhe rritjen e efikasitetit në administratën publike. 

Po ashtu u diskutuan çështjet kryesore të identifikuara në auditimet që lidhen me këtë ministri, me fokus të veçantë në gjetjet dhe rekomandimet që dalin nga auditimet e teknologjisë së informacionit. 

Palët theksuan gatishmërinë për bashkëpunim ndërinstitucional, në funksion të përmirësimit të qeverisjes së mirë dhe shërbimeve për qytetarët. 

Pjesë e këtij takimi ishte edhe Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi Morina dhe Auditorja Seniore e TI-së, Poliksena Berisha.

ZKA vazhdon të investojë në avancimin profesional të stafit

ZKA vazhdon të investojë në avancimin profesional të stafit

Përgjatë muajve janar dhe shkurt, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka mbajtur një seri trajnimesh për stafin, duke u fokusuar në zhvillimin profesional dhe përmirësimin e praktikave të auditimit. 

Trajnimet përfshinë menaxhimin e cilësisë sipas standardit SNISA 140, analizën e problemeve bazuar në teoritë e shkencave shoqërore, përdorimin e softuerit IDEA në nivel të avancuar, si dhe analizën e të dhënave dhe rolin e teknologjisë së informacionit në auditimin modern. 

Trajnimet mbuluan gjithashtu fazën e paraplanifikimit, mostrimin dhe vlerësimin e gabimeve, elementet e gjetjeve dhe formulimin e opinionit, si dhe sesione informuese për ndryshimet në kornizën ligjore dhe të rregulloreve të ZKA-së. 

Vëmendje e veçantë iu kushtua trajnimit për përdorimin e gjuhës së thjeshtë, për të siguruar që komunikimi dhe raportet të shkruhen qartë dhe të jenë të kuptueshme për të gjithë qytetarët.

ZKA auditon efektivitetin e përdorimit të kriterit “Tenderi Ekonomikisht më i Favorshëm” për dhënie të kontratës në prokurimin publik

ZKA auditon efektivitetin e përdorimit të kriterit “Tenderi Ekonomikisht më i Favorshëm” për dhënie të kontratës në prokurimin publik

Në kuadër të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit 2025/2026, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës “Efektiviteti i përdorimit të kriterit Tenderi Ekonomikisht më i Favorshëm (TEMF) për dhënien e kontratave në prokurimin publik”. 

Auditimi ka për qëllim të vlerësojë nëse organizatat publike e kanë zbatuar kriterin TEMF në mënyrë të duhur dhe efektive për të siguruar vlerën më të mirë për para. Ky kriter synon përzgjedhjen e ofertës që ofron kombinimin optimal ndërmjet cilësisë dhe çmimit/kostos, duke garantuar përdorim sa më efikas dhe racional të fondeve publike. 

Subjekt i këtij auditimi janë Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, Komuna e Pejës dhe Komuna e Suharekës. 

ZKA dhe Prokuroria e Shtetit thellojnë bashkëpunimin në identifikimin dhe referimin e dyshimeve për vepra penale

ZKA dhe Prokuroria e Shtetit thellojnë bashkëpunimin në identifikimin dhe referimin e dyshimeve për vepra penale

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) dhe Zyra e Prokurorit të Shtetit të mërkurën mbajtën punëtorinë “Forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional në identifikimin dhe referimin e dyshimeve për vepra penale”, me qëllim të përmirësimit të koordinimit, shkëmbimit të informacionit, dokumentimit dhe referimit të dyshimeve për vepra penale në funksion të rritjes së llogaridhënies dhe sundimit të ligjit. 

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, tha se kjo punëtori është vazhdimësi e përpjekjeve të ZKA-së në parandalimin dhe luftën kundër keqpërdorimit të parasë publike. Ai theksoi se puna dhe kontributi i përbashkët në parandalimin e korrupsionit është e vetmja mënyrë që të sigurohet ruajtja dhe menaxhimi i mirë i parasë së taksapaguesve, dhe kjo arrihet duke promovuar dhe nxitur llogaridhënien dhe transparencën publike. Z. Halilaj tha se ZKA vazhdon të kontribuojë fuqishëm për të siguruar që institucionet publike mbahen përgjegjëse për veprimet e tyre në menaxhimin e parasë dhe pasurisë publike.  

Prokurori i Shtetit, njëherësh koordinator për raste të auditimit, Bahri Hyseni, tha se janë në rrugë të drejtë për të pasur progres dhe avancim në trajtimin e çështjeve që vijnë nga Auditori i Përgjithshëm. Ai theksoi se takimet e tilla janë të mirëseardhura dhe i shërbejnë qëllimit të përbashkët për ruajtjen e parasë publike në interes të qytetarëve dhe vendit tonë. 

Përfaqësuesja e UNDP-së, Fjolla Arifi Luzha, përgëzoi organizatorët për mbajtjen e punëtorisë dhe rikonfirmoi mbështetjen edhe për takimet e ardhshme në kuadër të Projektit “Luftimi i Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”. 

Gjatë sesionit të parë të punëtorisë u trajtua kuadri institucional dhe standardet për identifikimin e dyshimeve për vepra penale, ku u theksua roli i auditimit në evidentimin e shkeljeve me elemente penale, standardet e dokumentimit dhe procedurat e referimit nga perspektiva institucionale. Sesioni i dytë u fokusua në qasjen e Prokurorisë ndaj referimeve dhe kuadrin ligjor për vlerësimin e elementeve të veprës penale, ku u diskutuan sfidat e klasifikimit juridik të gjetjeve të auditimit dhe elementet minimale që duhet të përmbajë një dosje referimi. 

Drejtoresha e Departamentit për Çështje Juridike dhe Kundër Mashtrimit në ZKA, Minire Begaj Balaj, në përmbyllje të punëtorisë tha se konkluzionet e kësaj tryeze do të shërbejnë si bazë për koordinim më të strukturuar dhe më efektiv në të ardhmen në identifikimin, dokumentimin dhe referimin e rasteve me elemente penale.

 

 

 

 

Kryetari i KLSh-së vizitoi Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës

Kryetari i KLSh-së vizitoi Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, të martën priti në takim Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSh), me bashkëpunëtorë. Në takim u vlerësua bashkëpunimi shumë i mirë ndër vite ndërmjet ZKA-së dhe KLSh-së, i ndërtuar mbi profesionalizëm, besim dhe mbështetje të ndërsjellë. 

Spanca dhe Shehu u zotuan për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit profesional, me theks të veçantë në realizimin e auditimeve paralele në fushën e bujqësisë, blegtorisë, si dhe të sigurisë në vend. Deri më tani janë realizuar disa auditime paralele, duke dëshmuar gatishmërinë dhe kapacitetin e dy institucioneve për të koordinuar qasje dhe metodologji të përbashkëta. 

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, tha se bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve ka qenë i qëndrueshëm dhe përmbajtjesor, duke shtuar se shkëmbimi i përvojave dhe mbështetja profesionale ndërmjet dy institucioneve ka kontribuar drejtpërdrejt në ngritjen e kapaciteteve dhe forcimin e rolit të institucioneve në shërbim të llogaridhënies publike. Po ashtu, palët theksuan lidhjen e veçantë që i bashkon si pjesë e të njëjtit komb, çka e bën bashkëpunimin jo vetëm institucional, por edhe natyrshëm të afërt në misionin për forcimin e transparencës dhe përgjegjshmërisë. 

Pjesë e takimit nga ZKA ishin edhe Ndihmës Auditorët e Përgjithshëm, Zukë Zuka, Emine Fazliu, Agron Fetiu, Myrvete Gashi Morina, si dhe Drejtori i Përgjithshëm, Safet Berisha. Ndërsa nga KLSH ishin Drejtoresha e Departamentit të Sigurimit të Cilësisë dhe Zbatimit të Standardeve, Joniada Gocaj, Drejtoresha e Departamentit të Auditimit të Buxhetit të Shtetit, Joana Troqe,  Drejtori i Departamentit të Auditimit të Vetëqeverisjes Vendore, Agron Halili,  Drejtoresha e Departamentit të Komunikimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë, Xhesila Nano,  si dhe këshilltari  Ardian Myslimaj.

 Auditorja e Përgjithshme dhe Kryeministri diskutuan për forcimin e llogaridhënies dhe transparencës

Auditorja e Përgjithshme dhe Kryeministri diskutuan për forcimin e llogaridhënies dhe transparencës

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të premten u prit në takim nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ku u diskutua për thellimin e bashkëpunimit institucional në funksion të rritjes së llogaridhënies dhe transparencës në sektorin publik.

Znj. Spanca prezantoi prioritetet dhe rezultatet e arritura nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) duke theksuar avancimin e vazhdueshëm në profesionalizëm, pavarësinë institucionale dhe zbatimin e standardeve ndërkombëtare të auditimit. Ajo veçoi rritjen e besimit të qytetarëve ndaj institucionit të Auditorit të Përgjithshëm si tregues i fuqishëm i kredibilitetit dhe ndikimit të punës së ZKA-së, e cila përgjatë viteve të fundit mban titullin e liderit në rajon për nga besimi i qytetarëve. 

Gjithashtu Auditorja e Përgjithshme e njoftoi z. Kurti për sfidat me të cilat ballafaqohet ZKA-ja me theks të veçantë vendosjen sa më të shpejtë në objekt publik si dhe ndryshimin e Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm për të përshtatur me standardet dhe praktikat e reja ndërkombëtare.

Auditorja e Përgjithshme takoi Avokatin e Popullit të Maltës

Auditorja e Përgjithshme takoi Avokatin e Popullit të Maltës

Gjatë qëndrimit në Maltë, Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca është pritur në takim nga Avokati i Popullit Judge Emeritus Joseph Zammit McKeon, me të cilin bisedoi për rolin e institucioneve të pavarura në forcimin e llogaridhënies dhe besimit publik.  

Auditorja e Përgjithshme dhe Avokati i Popullit diskutuan për rëndësinë e bashkëpunimit në mes të institucioneve të mbikëqyrjes kushtetuese në forcimin e llogaridhënies dhe qeverisjes së mirë. Ata theksuan se mbikëqyrja e pavarur, dialogu institucional dhe bashkëpunimi ndërkombëtar mbeten shtylla thelbësore në forcimin e qeverisjes demokratike. 

Avokati i Popullit e njoftoi znj. Spanca për bashkëpunimin e mirë në mes të Zyrës së Avokatit të Popullit dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Maltës, duke përfshirë memorandumin e tyre të mirëkuptimit dhe iniciativat e përbashkëta. Po ashtu ai përmendi edhe bashkëpunimin e mirë që ka Zyra e  Avokatit të Popullit në Maltë me  Institucionin e Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, e informoi Avokatin e Popullit lidhur me rolin dhe mandatin e ZKA-së si dhe theksoi rëndësinë e shkëmbimit të përvojave ndërmjet institucioneve të pavarura për forcimin e llogaridhënies dhe besimit publik.  Pjesë e këtij takimi ishte edhe Auditori i Përgjithshëm i Maltës, Charles Deguara. 

Auditorja e Përgjithshme vizitoi Zyrën Kombëtare të Auditimit të Maltës

Auditorja e Përgjithshme vizitoi Zyrën Kombëtare të Auditimit të Maltës

Me 24 dhe 25 shkurt 2026, Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, e shoqëruar nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Drejtori i Departamentit të Auditimit, Faruk Rrahmani dhe Shefja e Kabinetit, Shqipe Çavdarbasha, vizitoi Zyrën Kombëtare të Auditimit të Maltës dhe u prit në takim nga Auditorit i Përgjithshëm, Charles Deguara me bashkëpunëtorë. Vizita dyditore pati për qëllim avancimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve dhe shkëmbimin e përvojave profesionale.  

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rolin e Institucioneve Supreme të Auditimit në menaxhimin e financave publike dhe qeverisjes. “Edhe pse vendet tona dallojnë për nga relievi, ne jemi të bashkuar nga një qëllim: t’u shërbejmë qytetarëve tanë me integritet, profesionalizëm dhe pavarësi. Institucionet tona kanë një përgjegjësi jetike në forcimin e llogaridhënies, rritjen e transparencës dhe ndërtimin e besimit publik. Vlera e vërtetë e punës sonë arrihet kur rekomandimet tona sjellin përmirësime të qëndrueshme dhe konkrete”, deklaroi znj. Spanca. 

Përfaqësuesit e dy institucioneve mbajtën sesione të përbashkëta pune ku prezantuan praktikat dhe përvojat e tyre mbi auditimin e performancës, lidershipin, organizimin institucional, strategjinë e komunikimit, rishikimin nga kolegët (SIGMA Peer Review 2023), si dhe monitorimin e zbatimit të rekomandimeve. 

Auditorët e Përgjithshëm nga të dyja vendet në përmbyllje të vizitës riafirmuan gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave profesionale në funksion të forcimit të rolit dhe ndikimit të auditimit publik në Kosovë dhe Maltë. 

ZKA mori pjesë në punëtorinë ndërkombëtare për auditimin e performancës të mbajtur në Stokholm

ZKA mori pjesë në punëtorinë ndërkombëtare për auditimin e performancës të mbajtur në Stokholm

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj dhe Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi Morina, morën pjesë në “Punëtorinë për Menaxherët e auditimit të performancës” të organizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë nga 16 - 20 shkurt 2026 në Stokholm. Punëtoria mblodhi menaxherë dhe ekspertë të auditimit të performancës nga 19 Institucione Supreme të Auditimit nga vendet e ndryshme të botës. Aktiviteti pati për qëllim shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e praktikave profesionale dhe udhëheqëse në fushën e lidershipit me theks në auditimet e performances. 

Pjesëmarrësit trajtuan tema lidhur me rritjen e ndikimit të auditimit të performancës, përmirësimin e cilësisë së raporteve, përdorimin e metodave sasiore dhe cilësore, si dhe forcimin e lidershipit dhe menaxhimit në procesin e auditimit. Në këtë kuadër, u diskutuan aspekte të rëndësishme të modeleve të lidershipit, sigurisë emocionale si dhe roli i inteligjencës artificiale, sfidat dhe mundësitë që ato sjellin për auditimin modern. 

Gjithashtu pjesëmarrësit realizuan edhe një vizitë në ambientet e punës së Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë për t’u njohur nga afër me praktikat dhe qasjen e saj në auditimin e performancës.

Mbahet Takimi Rajonal i Punës “Fuqizimi i grave në pozita udhëheqëse dhe vendimmarrëse”

Mbahet Takimi Rajonal i Punës “Fuqizimi i grave në pozita udhëheqëse dhe vendimmarrëse”

Të enjten në Tiranë u mbajt Takimi Rajonal i Punës “Fuqizimi i grave në pozita udhëheqëse dhe vendimmarrëse” në mes të Kontrollit të Lartë të Shtetit të Shqipërisë (KLSh), Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës (ZKA) si dhe Entit Shtetëror të Revizionit të Maqedonisë së Veriut, me mbështetjen e UN Women. 

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në këtë takim u përfaqësua nga Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi Morina, Drejtoresha e Departamentit të Auditimit, Ariana Gjonbalaj Shala, si dhe auditoret seniore Ylfete Osmani dhe Ardiana Myftari, të cilat janë duke e realizuar auditimin paralel.   

Takimi Rajonal i Punës pati për qëllim diskutimin dhe prezantimin e gjetjeve paraprake të auditimit të përbashkët/paralel të performancës. Gjatë punëtorisë dyditore, përfaqësuesit e Institucioneve Supreme të Auditimit nga të tria vendet u  dakorduan për hapat e radhës drejt fazës së raportimit, planifikimin e komunikimit të procesit dhe gjetjeve të auditimit, si dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve pjesëmarrëse dhe UN Women.