Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.

Lajmet

ZKA auditon efektivitetin e shërbimit të ngrohjes qendrore nga Termokosi

ZKA auditon efektivitetin e shërbimit të ngrohjes qendrore nga Termokosi

Në vazhdim të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit 2025/2026, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës “Efektiviteti i shërbimit të ngrohjes qendrore”, për periudhën 2023–2025.

Objektivi i këtij auditimi është të vlerësojë nëse Ndërmarrja Publike “Termokos” Sh.A. menaxhon në mënyrë efektive rrjetin e shpërndarjes së energjisë termike, duke siguruar furnizim të barabartë, matje të saktë dhe ngrohje të qëndrueshme për konsumatorët. Po ashtu, auditimi synon të identifikojë mangësitë që ndikojnë në cilësinë, besueshmërinë dhe koston e shërbimit publik të ngrohjes qendrore.

Sistemi i ngrohjes qendrore në Prishtinë mbulon mbi 2.1 milionë metra katror hapësira banimi komerciale dhe institucionale. Në bazë të shqetësimeve të ngritura nga mediat dhe qytetarët rezulton se pavarësisht investimeve të realizuara sistemi i ngrohjes qendrore vazhdon të përballet me humbje të larta në rrjet dhe furnizim të pabarabartë të ngrohjes, duke u përcjellë me ankesa prej konsumatorëve si dhe duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë dhe besueshmërinë e shërbimit publik të ngrohjes qendrore.

Raportimi financiar në komuna në fokus të punëtorisë së përbashkët ZKA-DEMOS

Raportimi financiar në komuna në fokus të punëtorisë së përbashkët ZKA-DEMOS

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), në bashkëpunim me projektin DEMOS, të mërkurën organizoi punëtorinë “Përmirësimi i cilësisë së raportimit financiar në nivelin komunal”, me pjesëmarrjen e zyrtarëve kryesorë financiarë dhe zyrtarëve të tjerë nga komunat e Kosovës. 

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca, në fjalën e saj tha se rezultatet e auditimit të pasqyrave financiare vjetore për vitin 2024 tregojnë se raportimi financiar në nivelin lokal vazhdon të përballet me sfida serioze. “Nga 38 komuna, 31 prej tyre kanë marrë opinion të modifikuar, dhe ky fakt flet qartë se ende ekziston një hendek i konsiderueshëm ndërmjet kërkesave të standardeve të raportimit financiar dhe praktikës aktuale në shumicën e komunave”, u shpreh znj. Spanca. 

Auditorja e Përgjithshme kërkoi vëmendjen e zyrtarëve komunalë për çështjet që kanë ndikuar në përcaktimin e opinionit të auditimit, e që kryesisht lidhen me klasifikimin jo të saktë të shpenzimeve, menaxhimin e pasurive, menaxhimin e llogarive të arkëtueshme, si dhe mangësitë në shpalosjen dhe paraqitjen e detyrimeve të papaguara dhe atyre kontigjente. Ajo tha se kjo punëtori duhet të shërbejë si thirrje për veprim dhe se zbatimi i rekomandimeve të auditimit nuk duhet të shihet vetëm si obligim formal, por si një mjet praktik për përmirësimin e qeverisjes financiare në komuna. 

Nga ana e tij, Menaxheri Projektit DEMOS, Ertan Munoglu, ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin me ZKA-në por edhe me Thesarin dhe Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, duke theksuar se projekti do të vazhdojë të mbështesë komunat në adresimin e çështjeve që ndikojnë në opinion dhe uljen e gabimeve në raportim. 

Gjatë punëtorisë, drejtorët e auditimit, Blerim Kabashi dhe Lavdim Maxhuni, prezantuan çështjet kryesore që kanë ndikuar në opinionin e auditimit në nivelin lokal, si dhe çështjet që lidhen me pagesat për vendime gjyqësore dhe shpjegimet për shpalosje. 

Gjatë diskutimeve të hapura, zyrtarët komunalë ngritën shqetësime lidhur me vështirësitë në trajtimin e çështjeve që kanë ndikuar në opinionin e auditimit, përfshirë pagesat nga vendimet gjyqësore dhe përmbarimore, veçanërisht ato që lidhen me kontratën kolektive dhe barrën financiare që paraqesin për komunat.

Punëtoria shërbeu si platformë për dialog profesional dhe shkëmbim përvojash, duke riafirmuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet ZKA-së, DEMOS-it dhe komunave për rritjen e transparencës, përmirësimin e raportimit financiar dhe forcimin e llogaridhënies në nivelin lokal.

ZKA-ja fillon auditimin paralel “Fuqizimi i rolit të grave në udhëheqje dhe marrje të vendimeve”

ZKA-ja fillon auditimin paralel “Fuqizimi i rolit të grave në udhëheqje dhe marrje të vendimeve”

Në kuadër të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit 2025/2026, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës “Fuqizimi i rolit të grave në udhëheqje dhe marrje të vendimeve”. Ky auditim po realizohet në bashkëpunim me Kontrollin e Lartë të Shtetit të Shqipërisë dhe Zyrën e Revizionit të Maqedonisë së Veriut, me mbështetjen e UN Women. 

Auditimi do të përfshijë subjektet kryesore përgjegjëse për menaxhimin e burimeve njerëzore dhe do të shqyrtojë përfshirjen e indikatorit gjinor në pozitat vendimmarrëse në kuadër të administratës shtetërore. Subjekt i auditimit do të jenë Agjencia për Barazi Gjinore, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil, Ministria e Punëve të Brendshme, përkatësisht  Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë dhe Departamenti për Reformat e Administratës Publike.

Auditimi synon të vlerësojë nëse institucionet përgjegjëse kanë ndërmarrë hapa konkretë për realizimin e objektivave strategjike globale të BE-së, përkatësisht objektivit të pestë strategjik, i cili synon krijimin e kushteve dhe qasjes  së barabartë për të gjitha gratë dhe vajzat. Ky auditim do të shqyrtojë masat e ndërmarra dhe efektin e tyre në realizimin e pjesëmarrjes, sigurimit të mundësive dhe përfaqësimit të barabartë gjinor.

Sipas të dhënave statistikore, administrata shtetërore nuk ka arritur balancim gjinor në pozitat e kategorive drejtuese. Gratë janë të nënpërfaqësuara në masë të konsiderueshme në krahasim me burrat në pozitat vendimmarrëse të kategorisë së ulët, të mesme dhe të lartë. Edhe pse gratë përbëjnë 42% të të punësuarve në administratën publike, ato zënë vetëm 20–25% të pozicioneve drejtuese.

ZKA-ja fillon auditimin për sigurinë e nxënësve në shkollat publike në Kosovë

ZKA-ja fillon auditimin për sigurinë e nxënësve në shkollat publike në Kosovë

Në kuadër të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit 2025/2026, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës me temën “Siguria e nxënësve në shkollat publike në Kosovë” nga klasa VI-XII për periudhën 2022-2025.  

Auditimi synon të vlerësojë nëse shkollat publike në Kosovë ofrojnë ambient të sigurt dhe të përshtatshëm për nxënësit si dhe nëse institucionet përgjegjëse kanë vendosur dhe zbatojnë mekanizma efektivë për parandalimin, trajtimin, raportimin dhe monitorimin e incidenteve të dhunës në shkolla.

Fushëveprim i këtij auditimi do të përfshijë Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit, Inspektoratin e Arsimit si dhe Drejtoritë  e Arsimit në komunat e Prishtinës, Ferizajt dhe Gjakovës. Gjithashtu, në fushëveprim mund të përfshihen edhe Policia e Kosovës dhe drejtoritë e saj rajonale, si dhe Qendrat për Punë Sociale të tri komunave që i nënshtrohen këtij auditimi.

ZKA-ja dhe Fondacioni Jahjaga diskutojnë mundësitë për bashkëpunim në kuadër të Rrjetit të Grave në Sektorin e Sigurisë

ZKA-ja dhe Fondacioni Jahjaga diskutojnë mundësitë për bashkëpunim në kuadër të Rrjetit të Grave në Sektorin e Sigurisë

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, së bashku me Ndihmës Auditoren e Përgjithshme, Emine Fazliu dhe Drejtoreshën e Departamentit për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qendresa Mulaj, priten të mërkurën në takim përfaqësuesit e projektit “Promovimi i përfshirjes së komunitetit, siguria publike dhe fuqizimi i grave për një sektor të qëndrueshëm të sigurisë në Kosove” (MATRA). Projekti përkrahet nga Qeveria e Holandës dhe zbatohet nga BIRN, Fondacioni Jahjaga dhe Instituti Prevent. 

Projekti MATRA, i prezantuar nga përfaqësuesit, Rozafa Ukimeraj, Skënder Presteshi dhe Alba Cikaqi, ka për qëllim krijimin e Rrjetit të Grave në Sektorin e Sigurisë, me fokus takimet e rregullta ndërinstitucionale, shkëmbim përvojash profesionale si dhe zhvillimin e programeve të mentorimit dhe trajnimit.

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca i njoftoi mysafirët për angazhimin e ZKA-së në fuqizimin e grave dhe rritjen e përgjegjshmërisë së institucioneve publike përmes procesit të auditimit. Znj. Spanca dhe znj. Ukimeraj shqyrtuan mundësitë e bashkëpunimit, përfshirë ofrimin e ekspertizës së ZKA-së për nevojat e projektit, ndonëse ZKA nuk është institucion i drejtpërdrejtë i sektorit të sigurisë, si dhe angazhimin në trajnime dhe këshilldhënie për gratë. 

Projekti britanik do ta mbështesë ZKA-në në teknologjinë e informacionit dhe rritjen e sigurisë kibernetike

Projekti britanik do ta mbështesë ZKA-në në teknologjinë e informacionit dhe rritjen e sigurisë kibernetike

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi-Morina dhe Drejtori i Departamentit për Auditimet e TI-së, Samir Zymberi të martën pritën në takim David Smith dhe Bertie Kerr, përfaqësues të Kompanisë BAE Systems të Londrës, në fushën e teknologjisë së informacionit përkatësisht sigurisë së sistemeve, si dhe Behar Fazliu dhe Rilind Idrizi nga kompania Arcus në Prishtinë.

Takimi kishte për qëllim diskutimet për projektin trevjeçar të Qeverisë së Britanisë, i mbështetur nga Ambasada Britanike në Kosovë në fushën e teknologjisë së informacionit me fokus në  sigurinë kibernetike. Ky projekt synon përkrahjen e ZKA-së në fushën e teknologjisë së informacionit, përkatësisht rritjen e sigurisë kibernetike për sistemet e saj dhe zhvillimin e mëtejmë të kapaciteteve për auditimet e teknologjisë së informacionit.

Në vijim, palët do të angazhohen për hartimin e memorandumit të bashkëpunimit dhe të planit për realizimin e projektit.

Stafi i ZKA-së vazhdon traditen e përvitshme të dhurimit të gjakut

Stafi i ZKA-së vazhdon traditen e përvitshme të dhurimit të gjakut

Dje, më 22 dhjetor 2025, në ambientet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), u mbajt aktiviteti tradicional i dhurimit të gjakut, i organizuar me iniciativën e Sindikatës së ZKA-së, në bashkëpunim me Qendrën Kosovare të Transfuzionit të Gjakut.

Punonjësit e ZKA-së si në çdo vit tjetër i janë përgjigjur thirrjes për këtë gjest human, i cili kontribuon drejtpërdrejt në shpëtimin e jetëve. Aktiviteti u zhvillua me sukses dhe dëshmoi angazhimin e vazhdueshëm të ZKA-së për humanizëm dhe mirëqenie shoqërore.

Ky aktivitet tashmë i kthyer në traditë synon të rrisë vetëdijen për rëndësinë e dhurimit vullnetar të gjakut dhe të inkurajojë stafin që përmes veprimeve konkrete, të kontribuojë në ndihmë të sistemit shëndetësor dhe pacientëve në nevojë.
ZKA dhe Oda e Inxhinierëve të Republikës së Kosovës nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për fushat me interes të përbashkët

ZKA dhe Oda e Inxhinierëve të Republikës së Kosovës nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për fushat me interes të përbashkët

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) dhe Oda e Inxhinierëve të Republikës së Kosovës (OIRK) kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me qëllim të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional në fushat me interes të përbashkët.   

Marrëveshja e nënshkruar të premten nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca dhe Kryetari i Odës së Inxhinierëve të Republikës së Kosovës (OIRK), Arsim Rapuca parasheh shkëmbimin e përvojave dhe ekspertizave, si dhe avancimin e aktiviteteve profesionale në funksion të transparencës, integritetit dhe interesit publik.

Palët vlerësuan se bashkëpunimi i ndërsjellë do të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve profesionale dhe në përmirësimin e praktikave në fushat përkatëse, në veçanti do të rris cilësinë e ndërtimeve infrastrukturore si në sektorin publik ashtu edhe privat.

 Auditorja e Përgjithshme takoi përfaqësuesit e Zyrës së BE-së në Kosovë

Auditorja e Përgjithshme takoi përfaqësuesit e Zyrës së BE-së në Kosovë

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të enjten priti në takim Udhëheqësen e Ekipit të Qeverisjes së Mirë në kuadër të Projektit Reforma në Administratën Publike/ Menaxhimi i Financave Publike në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Laura Fallavollita. Takimi u mbajt në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe me qëllim të informimit të dyanshëm lidhur me zhvillimet e fundit. 

Auditorja e Përgjithshme mirëpriti vendimin e Bashkimit Evropian për heqjen e masave ndaj Kosovës, në veçanti mbështetjen e planifikuar për Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA). Ndërsa znj. Fallavollita foli për hapat e ardhshëm dhe rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm në proceset vijuese. Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për aktivitetet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, me fokus në zbatimin e Planit Vjetor të Auditimit 2025/2026 dhe forcimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë në funksion të rritjes së transparencës, llogaridhënies dhe efektivitetit të auditimit publik.

Në takim morën pjesë edhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj dhe Ndihmës Auditorja e Përgjithshme Myrvete Gashi. Nga Zyra e BE-së ishin Burbuqe Kelmendi, Menaxhere Projekti/Koordinatore Binjakëzimi dhe Edon Kalludra Menaxher i Projektit. 

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në shënimin e 26-vjetorit të Zyrës Shtetërore të Auditimit të Maqedonisë së Veriut

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në shënimin e 26-vjetorit të Zyrës Shtetërore të Auditimit të Maqedonisë së Veriut

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj dhe Drejtori i Departamentit të Auditimit, Jusuf Kryeziu morën pjesë në ceremoninë solemne të shënimit të 26-vjetorit të Zyrës Shtetërore të Auditimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. 

Ceremonia u mbajt të martën në Shkup dhe mblodhi përfaqësues të Institucioneve Supreme të Auditimit nga rajoni duke shërbyer si një platformë e rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, shkëmbimin e përvojave dhe riafirmimin e përkushtimit të përbashkët ndaj llogaridhënies, transparencës dhe qeverisjes së mirë. 

Auditorja e Përgjithshme uroi homologun e saj për këtë përvjetor të rëndësishëm si dhe vlerësoi lartë punën e Zyrës Shtetërore të Auditimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në fushën e auditimit publik. Znj. Spanca tha se bashkëpunimi ndërmjet Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës dhe Zyrës Shtetërore të Auditimit të Maqedonisë së Veriut mbetet i qëndrueshëm dhe me vlerë të veçantë, duke shërbyer si mekanizëm i rëndësishëm për shkëmbimin e përvojave profesionale dhe për avancimin e mëtejmë të transparencës dhe llogaridhënies në të dy vendet.

Spanca: Zbatimi i rekomandimeve të auditimit është thelbësor për qeverisje të mirë dhe integritet institucional

Spanca: Zbatimi i rekomandimeve të auditimit është thelbësor për qeverisje të mirë dhe integritet institucional

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të premten mori pjesë në tryezën vjetore “Progresi dhe sfidat në zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit”, organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB). Tryeza pati për qëllim rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe avancimin e transparencës dhe llogaridhënies në institucionet publike.

Takimi u hap nga Sekretarja e Përgjithshme e MPB-së, znj. Fahrije Tërnava-Sheremeti, e cila theksoi rëndësinë e takimeve ndërmjet institucioneve të pavarura dhe institucioneve qeveritare për të reflektuar mbi progresin por edhe sfidat në zbatimin e rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe gjetjen e modaliteteve adekuate për avancimin e bashkëpunimit dhe rritjen e transparencës dhe llogaridhënies se institucioneve shtetërore.  

Auditorja e Përgjithshme znj. Spanca prezantoi nivelin e zbatimit të rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit nga institucionet dhe theksoi nevojën për mekanizma më të qëndrueshëm të llogaridhënies. Ajo rikujtoi se zbatimi i rekomandimeve të auditimit është thelbësor për qeverisje të mirë dhe integritet institucional. “Zbatimi i rekomandimeve nuk është vetëm kërkesë formale por është një investim i drejtpërdrejtë në cilësinë e shërbimeve publike dhe në besimin qytetar ndaj institucioneve”, deklaroi znj. Spanca.  

Auditorja e Përgjithshme tha se aktualisht niveli i zbatimit të rekomandimeve të auditimit nuk është në nivelin e duhur, prandaj u bëri thirrje institucioneve që të angazhohen më shumë për zbatimin e tyre.  

Tryeza u përmbyll me konkluzione dhe rekomandime për avancimin e mëtejmë të praktikave të monitorimit dhe transparencës.

Përfaqësueset e ZKA-së morën pjesë në punëtorinë ndërkombëtare të EUROSAI-t në Stamboll

Përfaqësueset e ZKA-së morën pjesë në punëtorinë ndërkombëtare të EUROSAI-t në Stamboll

Nga 2 deri më 5 dhjetor 2025, në Stamboll u mbajt punëtoria e parë e organizuar në kuadër të Projekt Grupit për Aktivitetet e Zhvillimit të EUROSAI-t, ku morën pjesë përfaqësues të Institucioneve Supreme të Auditimit nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Turqia, Gjeorgjia, Ukraina, Moldavia dhe Kazakistani.  

Drejtoresha e Departamentit për Auditim Financiar, Mjellma Dibra Morina,  Drejtoresha e Departamentit për Auditim të Performancës, Ariana Gjonbalaj Shala dhe Zyrtarja për Komunikim me Publikun, Shqipe Hetemi, përfaqësuan Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës në këtë aktivitet.   

Punëtoria u fokusua të ndikimi i auditimit duke përfshirë procesin që nga planifikimi, mbledhja e provave, vlerësimi i rrezikut dhe menaxhimi i cilësisë deri te raportimi dhe komunikimi i rezultateve si dhe angazhimi me palët e interesit për të rritur ndikimin. Gjatë sesioneve të shumta interaktive, pjesëmarrësit shkëmbyen përvojat dhe praktikat e mira si dhe sfidat me të cilat ballafaqohen.  

Përfaqësueset e ZKA-së kontribuan në diskutime lidhur me rëndësinë e auditimit të orientuar drejt rezultateve, si dhe në avancimin e metodologjive për forcimin e transparencës, komunikimit dhe sigurisë së cilësisë në proceset e auditimit.  

Projekt Grupi për Aktivitetet e Zhvillimit të EUROSAI-t udhëhiqet nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë dhe ka për qëllim të mbështet Institucionet Supreme të Auditimit nga rajoni për të adresuar nevojat për zhvillim. Fushat për zhvillim do të caktohen në bashkëpunim me ISA-t pjesëmarrëse.