Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
10/15/2026 9:24:00 AM

Homologët ndërkombëtar urojnë Auditoren e Përgjithshme Vlora Spanca për marrjen e mandatit të dytë

Rizgjedhja e Auditores së Përgjithshme të Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, është përcjellë me urime nga Auditorët e Përgjithshëm nga vende të ndryshme. Në mesazhet e urimit homologët ndërkombëtarë kanë shprehur përgëzimet e tyre për rizgjedhjen e znj. Spanca, duke vlerësuar se mandati i saj i dytë është pasqyrim i punës dhe angazhimit në avancimin e auditimit publik dhe forcimin e llogaridhënies dhe transparencës. 

Urimet pasqyrojnë marrëdhëniet profesionale dhe bashkëpunimin ndërmjet Institucioneve Supreme të Auditimit si dhe rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e auditimit publik. 

Drejtuesit e Institucioneve Supreme të Auditimit vlerësuan se nën udhëheqjen e znj. Spanca, ZKA-ja do të vazhdojë të mbështesë pavarësinë dhe standardet e larta profesionale si dhe mirëpresin angazhimin e saj për forcimin e bashkëpunimit brenda komunitetit ndërkombëtar të Institucioneve Supreme të Auditimit për avancimin e objektivave të përbashkëta profesionale.  

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca ka pranuar letër urimi nga Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shqipërisë, Arben Shehu, Auditorja e Përgjithshme e Suedisë, Christina Gellerbrant Hagberg, Kryetari i Gjykatës Turke të Llogarive, Metin Yener,  Auditori i Përgjithshëm i Maltës, Charles Deguara, Auditori i Përgjithshëm i Finlandës, Sami Yläoutinen, Auditori i Përgjithshëm i Bahrain, Ahmed Bin Mohammed Al-Khalifa,  Auditorja e Përgjithshme e Belizes, Maria Rodriguez, Auditorja e Përgjithshme e Kanadasë, Karen Hogan, Kryetari i Autoritetit Shtetëror të Auditimit Financiar dhe Administrativ të Omanit, H.E Sheikh Ghuson bin Hilal Al Alawi, Presidenti i Institucionit Suprem të Auditimit të Çekisë, Miloslav Kala, Auditori i Përgjithshëm i Afrikës së Jugut,  Tsakani Maluleka, Kryetarja e Gjykatës së Auditimit të Sllovenisë, Jana Ahcin, Auditori i Përgjithshëm i Estonisë, Janar Holm, Presidentja e Gjykatës Portugeze të Auditorëve, Filipa Urbano Calvão, Presidenti i Gjykatës Federale të Llogarive të Brazilit, Minister Vital do Rêgo si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Iniciativës për Zhvillim e INTOSAI-t, Einar Gørrissen.  

 

 

 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca takoi Kryetaren e Kuvendit të Kosovës Albulena Haxhiu

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca takoi Kryetaren e Kuvendit të Kosovës Albulena Haxhiu

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të martën u prit në takim nga Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila e përgëzoi për punën e saj dhe rizgjedhjen për një mandat të ri pesëvjeçar. 

Kryeparlamentarja theksoi rëndësinë e raporteve të auditimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit si bazë për mbikëqyrjen parlamentare dhe tha se Kuvendi do t’u kërkojë institucioneve llogari për zbatimin e rekomandimeve të auditimit. “Adresimi i rekomandimeve të auditimit duhet të jetë prioritet i prioriteteve për institucionet publike”, theksoi ndër të tjera znj. Haxhiu. 

Znj. Spanca rikonfirmoi përkushtimin e saj për të vazhduar punën në avancimin e cilësisë së auditimeve, forcimin e llogaridhënies dhe transparencës, si dhe rritjen e ndikimit të auditimit publik në përmirësimin e menaxhimit të parasë publike. Ajo theksoi se ruajtja dhe mbrojtja e pavarësisë institucionale dhe integritetit profesional të Zyrës Kombëtare të Auditimit do të jetë pjesë kyçe e vizionit të saj për 5 vitet e ardhshme. 

Auditorja e Përgjithshme, i dorëzoi edhe personalisht Kryetares së Kuvendit Albulena Haxhiu, Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2025 dhe e njoftoi shkurtimisht për rezultatet thelbësore të auditimit të buxhetit të përgjithshëm të shtetit.

Lexo më shumë
Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në takimin e liderëve të Institucioneve Supreme të Auditimit në kuadër të Rrjetit që u mbajt në Paris

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në takimin e liderëve të Institucioneve Supreme të Auditimit në kuadër të Rrjetit që u mbajt në Paris

Me 15 dhe 16 tetor 2026 në Paris të Francës u mbajt takimi i liderëve të Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) në kuadër të Rrjetit të vendeve kandidate dhe kandidate të mundshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian në bashkëpunim me projektin e EUROSAI-t për Asistencë në Zhvillim (EDA) me mbështetjen e OECD/SIGMA dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë. Takimi pati për qëllim diskutimin e çështjeve me rëndësi për pavarësinë institucionale, forcimin e rolit të auditimit publik dhe shkëmbimin e përvojave profesionale. 

Liderët e Institucioneve Supreme shqyrtuan dhe miratuan Planin e Punës së Rrjetit për periudhën 2027-2028 i cili përfshinë udhëheqjen për ndikimin e auditimit, mbrojtjen e pavarësisë së ISA-ve dhe forcimin e kapaciteteve të auditimit në lidhje me projektet e investimeve kapitale dhe reformat që lidhen me BE-në. 

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, shprehu gatishmërinë që ZKA-ja të jap kontribut në dy aktivitete të këtij plani, në auditimin e projekteve të investimeve kapitale si dhe në shkëmbimin e përvojave në auditimet paralele.   

Në ditën e parë të takimit, diskutimet u përqendruan në mbrojtjen e pavarësisë së Institucioneve Supreme të Auditimit, me fokus në gjetjet dhe rekomandimet e raportit të përbashkët të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) dhe Iniciativës për Zhvillim të INTOSAI-t (IDI). Përveç aspektit ligjor, u trajtuan edhe faktorët e tjerë që ndikojnë në ushtrimin efektiv të pavarësisë, përfshirë marrëdhëniet institucionale, normat profesionale, sjelljen dhe besimin. 

Në kuadër të panelit të parë, me temën “Mbrojtja e pavarësisë së Institucioneve Supreme të Auditimit”, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, prezantoi përvojën e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës në ushtrimin e mandatit kushtetues, pavarësinë dhe integritetin institucional. Znj. Spanca theksoi gjithashtu rëndësinë e integritetit profesional, transparencës dhe komunikimit të hapur me median, shoqërinë civile dhe qytetarët për forcimin e besimit publik. 

Dita e dytë e takimit iu kushtua temave që ndërlidhen me auditimin e projekteve investuese, agjendën e reformave të Bashkimit Evropian dhe auditimin e reformave të lidhura me procesin e integrimit evropian. 

Takimi u drejtua nga Auditori i Përgjithshëm i Maqedonisë së Veriut, Maksim Acevski që aktualisht kryeson Rrjetin, dhe fjalë rasti mbajtën Drejtues i programit SIGMA/OECD, Gregor Virant, President i Gjykatës Evropiane të Auditorëve, Tony Murphy, Auditorja e  Përgjithshme e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë, Christina Gellerbrant Hagberg, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Iniciativës për Zhvillim të INTOSAI-t (IDI), Freddy Njamba, si dhe ekspertë të SIGMA/OCED. 

Në këtë takim morën pjesë edhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj dhe Zyrtarja për Komunikim me Publikun, Shqipe Hetemi.

Lexo më shumë