Auditorja e Përgjithshme prezantoi rezultatet e auditimit për vitin 2022
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të martën mbajti konferencë për media, ku prezantoi gjetjet kryesore dhe rekomandimet për 97 raporte të auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë dhe një raporti të auditimit të performancës. Ajo tha se Plani Vjetor i Auditimit kishte paraparë 101 auditime të detyrueshme me ligj, 97 sosh përfunduan, ndërsa, edhe pse ishte iniciuar, procesi i auditimit në katër komunat veriore nuk është zhvilluar për shkak të rrethanave të krijuara.
Znj. Spanca tha se nga 97 auditime, 51 u takojnë institucioneve qendrore, 34 institucioneve lokale, 12 ndërmarrjeve publike, përfshirë RTK-në si dhe KEK-un, i cili këtë vit është audituar për herë të parë në aspektin e Pasqyrave Financiare. Ndërsa, nga 18 auditimet e performancës, deri më tani janë kryer shtatë prej tyre, ndërsa 11 janë në proces. Po ashtu sipas Planit, edhe 11 projekte të donatorëve janë në proces të ekzekutimit të auditimit. Gjithashtu në proces janë edhe dy auditime të pajtueshmërisë për informacionet e klasifikuara në nivel të kufizuar, njëri në Ministrinë e Mbrojtjes dhe tjetri në Ministrinë e Drejtësisë.
Para gazetarëve Auditorja e Përgjithshme prezantoi opinionet e auditimit për 97 institucione, prej të cilave 58 janë të pa modifikuara, ndërsa 39 janë të modifikuara. Në 51 raporte të auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë që i përkasin institucioneve qendrore janë dhënë 39 opinione të pamodifikuara, 12 opinione të modifikuara, përkatësisht të kualifikuara. Kurse në 34 komuna janë dhënë 16 opinione të modifikuara, përkatësisht të kualifikuara, si dhe 18 opinione të pa modifikuara. Ndërsa te 12 ndërmarrje publike janë dhënë 8 opinione të kualifikuara, 3 opinione të kundërta dhe 1 opinion i pamodifikuar për Pasqyrat Vjetore Financiare.
Znj. Spanca ka deklaruar se krahasuar me vitin paraprak, cilësia e raportimit financiar është përmirësuar, si dhe ka ulje të numrit të opinioneve të modifikuara te 7 institucione qendrore dhe 6 komuna. Gjithashtu edhe të ndërmarrjet publike ka një përmirësim të opinionit, nga 10 të kundërta që ishin për vitin 2021, për 2022 janë 7 më pak, pavarësisht se pothuajse të gjitha kanë opinion të kualifikuar.
“Më gëzon fakti se këtë vit, institucionet publike kanë bërë përmirësime në cilësinë e raportimit financiar sepse kjo e rrit besueshmërinë në Pasqyrat Financiare”, është shprehur znj. Spanca. Më tutje, ajo prezantoi çështjet më të theksuara të cilat kanë ndikuar në modifikimin e opinionit të auditimit si: Keq klasifikimet financiare në kategori të ndryshme ekonomike; Prezantim jo i saktë, jo i plotë dhe jo adekuat i pasurive publike; Mbivlerësimet apo nënvlerësimet e zërave të ndryshëm të pasqyrave financiare; Mos prezantimi dhe mos shpalosja adekuate e detyrimeve të papaguara dhe atyre kontingjente; si dhe Pagesa për punë të pa kryera apo mallra dhe shërbime të pa pranuara.
Përveç dhënies së opinionit të auditimit për PVF-të, ZKA-ja ka vlerësuar edhe pajtueshmërinë e aktiviteteve dhe operacioneve të organizatave buxhetore dhe institucioneve tjera publike me kornizën ligjore në fuqi. Znj. Spanca ka treguar se rezultatet e auditimit nxorrën në pah se edhe më tutje ekzistojnë parregullsi thelbësore në menaxhimin financiar dhe kontrollet. Parregullsitë janë të përhapura pothuajse në secilin cikël dhe fushë të shpenzimeve. Në fushën e prokurimit publik në auditimet e vitit 2022 janë identifikuar 198 gjetje që përfshijnë investimet kapitale dhe mallrat e shërbimet, kryesisht në ministri dhe komuna.
Ndërsa sa i përket analizës së bërë për 12 ndërmarrje publike, përfshirë edhe RTK-në mbi rezultatin financiar (fitimi/humbja) vërehet se pesë prej tyre kanë operuar me humbje në vlerë mbi 10 milionë euro, ndërsa shtatë kanë realizuar një fitim mbi 110 milionë euro.
Pjesën më të madhe të humbjeve për vitin 2022 e kishte Ndërmarrja Publike Banesore në shumën prej 4.3 milionë euro, e pasuar nga Telekomi i Kosovës në vlerë prej 3.8 milionë euro kurse fitimin më të madh e kishte realizuar KEK-u në shumën mbi 105 milionë euro. Sidoqoftë, krahasuar me vitin paraprak në 4 ndërmarrje publike vërehet një trend pozitiv në uljen e humbjeve nga të cilat kryeson Telekomi i Kosovës.
Auditorja e Përgjithshme ka folur edhe për realizimin e planit për auditime të performancës, duke treguar se deri më tani janë publikuar gjashtë, si dhe raporti i auditimit “Menaxhimi i Projekteve për Sistemet e Teknologjisë së Informacionit në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit”, i cili do të publikohet nesër. Ajo iu referua edhe fillimit të procesit nga Departamenti për Çështje Juridike dhe Kundër Mashtrimit për analizimin e raporteve të publikuara të auditimit dhe identifikimin e rasteve të dyshimit për kryerjen e veprave penale, të cilat më pas do të dërgohen te Prokurori i Shtetit për trajtim të mëtutjeshëm.
Për të përmirësuar menaxhimin financiar dhe kontrollin, ZKA-ja ka dhënë gjithsej 768 rekomandime përmes raporteve të auditimeve për vitin 2022, që krahasuar me vitin e kaluar janë 134 rekomandime më pak. Znj. Spanca ka treguar se rekomandimet kanë qëllim përmirësimin e proceseve, aktiviteteve dhe operacioneve të organizatave. Kjo padyshim se do të ndikojë në përmirësimin e përgjithshëm të menaxhimit më të mirë të parasë publike dhe cilësisë së shërbimeve të ofruara.
Me këtë rast Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, rekomandoi drejtuesit e institucioneve publike të ndërmarrin veprime konkrete që paraja publike të shpenzohet në përputhje me kornizën ligjore dhe për qëllimin e synuar. Më tutje, ajo kërkoi që brenda afatit ligjor, organizatat buxhetore të përgatisin planet e veprimit për zbatimin e rekomandimeve të ZKA-së.



















Në vazhdim, zyrtarë të ZKA-së prezantuan rezultatet nga auditimet e TI-së si dhe për procesin e zhvillimit dhe funksionimin e SITA-s. Samir Zymberi, drejtor i Departamentit të Auditimeve të Teknologjisë së Informacionit, foli mbi zhvillimin e departamentit, aplikimin e metodologjisë së auditimit në pajtim me praktikat ndërkombëtare si: ISSAI, GUID 5100, Manualin për auditimet e TI-së nga IDI si dhe dokumentet e ZKA-së. Ai theksoi bashkëpunimet ndërkombëtare dhe mbështetjen nga ekspertët e Institucionit Suprem të Auditimit të Polonisë dhe Portugalisë për zhvillimin e auditimeve cilësore. Më tutje z. Zymberi foli mbi numrin dhe llojin e auditimeve të TI-së të kryera deri me tani, rëndësinë dhe ndikimin e tyre në funksion të sigurisë së sistemeve dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët.
Poliksena Berisha, Auditore Seniore prezantoi procesin e auditimeve individuale të TI duke filluar nga prezantimi i temës, ekzekutimi i auditimit e deri te auditimet përcjellëse për zbatimin e rekomandimeve. Ndër të tjera, ajo theksoi metodologjinë e përdorur, teknikat e auditimit, veglat e auditimit, dizajnuar nga grupi punues për auditimet e TI-së në EUROSAI etj. Ajo prezantoi procesin e auditimit të TI-së “Sistemi Informativ i Gjendjes Civile në Agjencinë e Regjistrit Civil”, objektiven e auditimit, përmbajtjen e raportit, konkluzionet dhe rekomandimet kryesore.
Kurse Shqipe Azemi, Specialiste e Teknologjisë së Informacionit foli mbi krijimin dhe funksionimin e SITA-s duke informuar pjesëmarrësit për rrjedhën e procesit që nga fillimi e deri në vënien në përdorim të SITA-s, se si ky sistem e ka bërë punën më efikase pas strukturimit të të dhënave të procesit të auditimit dhe integrimin e tyre në bazën e të dhënave. Tutje znj. Azemi tregoi se SITA ka rritur transparencën në punën audituese duke mundësuar që të gjithë përdoruesit e autorizuar të kenë mundësi të qasen dhe të monitorojnë punën në çdo moment kohor. Po ashtu ajo ka thënë se parametrizimi efikas ka bërë të mundur gjenerimin e dokumenteve direkt nga sistemi me të gjitha tabelat dhe analizat e nevojshme. Gjithashtu Azemi ka folur edhe për mundësitë e zbatuara në SITA për të komunikuar me sisteme të tjera si: sistemet e organizatave buxhetore, sistemin për analizimin e të dhënave IDEA dhe ueb faqen e ZKA-së për prezantimin e rekomandimeve të auditimit.
Prezantimi është përcjellë me interesim të madh, në veçanti për SITA, e cila u cilësua si model edhe për ISA-t e tjera.

Shefja për Bashkëpunim Ndërkombëtar e Institucionit Suprem të Auditimit të Bosnjë Hercegovinës, Jasmina Galijaševic, ka prezantuar më gjerësisht përvojën e këtij institucioni në ndërtimin e bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile përmes takimeve vjetore ku prezantohen temat e mundshme për auditime të performancës. Përvojat e institucioneve të tyre për komunikimin e rezultateve të auditimeve dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile i kanë prezantuar edhe përfaqësuesit e Zyrave Kombëtare të Auditimit të Suedisë dhe Letonisë. Ndërkohë në kuadër të paneleve të diskutimit, përfaqësuesit e Institucioneve Supreme të Auditimit të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë, Turqisë, Moldavisë dhe Ukrainës, kanë shkëmbyer përvojat e tyre për rritjen e angazhimit me palët e jashtme. Në këtë kuadër, drejtoresha e Departamentit për auditimet e prokurimit, Fatlinda Ramosaj Miroci, ka treguar se Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës angazhohet në mënyrë aktive me organizatat e shoqërisë civile, organizatat joqeveritare dhe publikun për të sjellë në vëmendje tema të rëndësishme për auditim. Ajo ka theksuar se ZKA-ja ka bashkëpunim shumë të mirë me shoqërinë civile i cili promovon transparencën, llogaridhënien dhe gjithëpërfshirjen. 




