Auditori i Përgjithshëm kërkon vëmendjen e Kryeministrit Haradinaj në zbatimin e rekomandimeve të Auditorit
Me kërkesën e Auditorit të Përgjithshëm, z. Besnik Osmani sot në ambientet e Qeverisë është realizuar takimi me Kryeministrin e Republikës së Kosovës z. Ramush Haradinaj.
Në këtë takim, z. Osmani ka informuar Kryeministrin Haradinaj për punën e Auditorit të Përgjithshëm, si institucion suprem i kontrollit ekonomik dhe financiar në Republikën e Kosovës. Auditori i Përgjithshëm ka theksuar përkushtimin e tij dhe të auditorëve të Zyrës Kombëtare të Auditimit për të përmbushur mandatin kushtetues e ligjor, në funksion të përmirësimit të vazhdueshëm të qeverisjes e të llogaridhënies në institucionet publike të Kosovës në menaxhimin e fondeve publike si dhe të përmirësimit të shërbimit ndaj qytetarëve.
Auditori i Përgjithshëm ka prezantuar çështjet kryesore lidhur me pasqyrat vjetore financiare dhe dobësitë e evidentuara në lidhje me pajtushmërinë e vendimeve dhe veprimeve të zyrtarëve publik në raport me legjislacionin përkatës. Rekomandimet e dala nga raportet e auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit vënë theksin në çështje të rëndësishme që kanë të bëjmë me menaxhimin e pasurisë jofinanciare, menaxhimin e prokurimit publik, menaxhimin e llogarive të arkëtushme dhe të obligimeve, theksoi Auditori i Përgjithshëm.
Z. Osmani e ka njoftuar Kryeministrin edhe me auditimet e performancës si vlerësim i arritjes së vlerës për para nga përdorimi i fondeve publike dhe theksoi rëndësinë që të përmirësohet edhe më tej efikasiteti dhe efektiviteti në shpenzimin e parasë publike.
Gjatë bashkëbisedimit, vëmendje e veçantë i është kushtuar nivelit të ulët të zbatimit të rekomandimeve dhe mungesës së një plani sistematik për adresimin e tyre, nga ana e organizatave buxhetore. Auditori i Përgjithshëm, i ka rekomanduar Kryeministrit Haradinaj që Qeveria të aplikoj një proces sistematik të monitorimit të zbatimit të rekomandimeve të dhëna në raportet e auditimit dhe të kërkojë nga organet e Qeverisë që të zbatojnë dhe raportojnë mbi progresin e arritur.
Kryeministri Haradinaj ka vlerësuar punën e Auditorit të Përgjithshëm dhe të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe ka shprehur interesimin e tij për një komunikim më proaktiv ndërinstitucional për të reaguar në kohën e duhur për mbarëvajtjen e proceseve dhe përmirësimin e qeverisjes. Ai ka shprehur gatishmërinë dhe përkushtimin e Qeverisë për të ruajtur pavarësinë institucionale të Zyres Kombëtare të Auditimit dhe ka theksuar zotimin e tij për zbatimin e rekomandimeve të Auditorit në mënyrë që të forcohet kontrolli i brendshëm dhe të përmirësohet qeverisja në institucionet publike.








Ambasadori O’Connell takoi edhe grupin menaxhues dhe auditues senior në ZKA, ku është njoftuar më për së afërmi me objektivat dhe qasjen në auditim si dhe ka bashkëbiseduar me ta lidhur me rëndësinë që ka institucioni suprem i auditimit dhe puna audituese për një vend në zhvillim siç është Kosova.




