Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.

Lajmet

Ftesë për media: Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca mban konferencë për media

Ftesë për media: Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca mban konferencë për media

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Ju ftojmë të ndiqni konferencën për media të Auditores së Përgjithshme, Vlora Spanca, ku do të shpalosen rezultatet dhe rekomandimet e dy raporteve të auditimit të Teknologjisë së Informacionit: “Modernizimi i Sistemit të Edukimit në Kosovë përmes e-Edukimit” si dhe “Sistemi Informativ për Menaxhimin e Stokut Farmaceutik (SIMSF)”.

Në konferencë do të prezantohen edhe rezultatet e para nga auditimet financiare dhe të pajtueshmërisë për vitin 2023 si dhe Raporti Vjetor i Performancës i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për vitin 2023.

 

Konferenca do të mbahet:

 

Të hënën, 29 prill 2024

Ora: 11:00

Vendi: Ambientet e Zyrës Kombëtare të Auditimi (ZKA)

 

 

 

 

 

Ju mirëpresim!

 


Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere (KBPT) shqyrtoi Raportin Vjetor Financiar të ZKA-së për vitet 2022 dhe 2023

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere (KBPT) shqyrtoi Raportin Vjetor Financiar të ZKA-së për vitet 2022 dhe 2023

Anëtarët e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere (KBPT) në mbledhjen e së mërkurës shqyrtuan Raportin Vjetor Financiar të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për vitet 2022 dhe 2023. Para deputetëve, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca prezantoi informatat financiare për qëllimet dhe mënyrën se si janë shfrytëzuar dhe menaxhuar fondet e dedikuara për Zyrën Kombëtare të Auditimit me Ligjin e Buxhetit për periudhën raportuese. Buxheti i ZKA-së për vitin 2022, ishte 3,046,355€, ndërsa për vitin 2023 ishte 3,051,646€.

Auditorja e Përgjithshme i informoi deputetët se edhe në buxhetin për vitin 2022 dhe 2023 pjesëmarrja më e madhe ishte në paga dhe shtesa rreth 76%, kurse për mallra dhe shërbime rreth 22%, për shpenzimet komunale mbi 1% si dhe për investimet kapitale 2%. Për vitin 2022 shpenzimet totale kanë qenë në vlerë prej 2,785,368€, apo 91%. Prej tyre pagat dhe shtesat përfshijnë 77,3%; mallra dhe shërbime 20,5%; ndërsa shërbimet komunale dhe ato kapitale mbi 2%. Kurse shpenzimet për vitin 2023 kanë qenë në vlerë 2,877,000 €, apo 94%. Prej tyre pagat dhe shtesat përfshijnë 75.5%; mallra dhe shërbime 22%; ndërsa shërbimet komunale  dhe ato kapitale  mbi 2.5%.

Znj. Spanca theksoi se opinioni i auditimit të jashtëm për Pasqyrat Vjetore Financiare (PVF) të vitit 2022 të ZKA-së është i pamodifikuar, dhe çështjet e identifikuara nga auditimi janë adresuar me kohë dhe janë zbatuar rekomandimet e dhëna. Sa i përket vitit 2023, znj. Spanca tregoi se është pranuar drafti i raportit të auditimit i cili ka opinion të pamodifikuar dhe nuk evidenton asnjë gjetje.

“Shpenzimet për kategorinë mallra dhe shërbime në fund të vitit 2022 ishin në vlerë prej 572,249€ ose 84%, ndërsa për vitin 2023 ishin 633,487€ apo 83%. Shpenzimet më të mëdha në këtë kategori vazhdojnë të jenë ato të qirasë së objektit ku pjesëmarrja e saj në totalin e shpenzimeve në vitet 2022 dhe 2023 përfshijnë rreth 28% ose në vlerë prej 162,000€”, deklaroi znj. Spanca. Ajo theksoi se në vazhdimësi ka adresuar këtë çështje tek instancat përgjegjëse, por ende nuk ka një zgjidhje konkrete.

 

 


Auditorja e Përgjithshme merr pjesë në konferencën “Zhvillimi i Sistemit të Prokurimit Publik në Kosovë”

Auditorja e Përgjithshme merr pjesë në konferencën “Zhvillimi i Sistemit të Prokurimit Publik në Kosovë”

Në vazhdën e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e prokurimit publik në Kosovë të martën u mbajt konferenca “Zhvillimi i Sistemit të Prokurimit Publik në Kosovë”, organizuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik me mbështetjen e Projektit “Asistenca Teknike e BE-së për Mbështetjen e Zbatimit të Reformave të Menaxhimit të Financave Publike në Kosovë” si dhe SIGMA/OECD.

 

Të pranishëm ishin drejtues dhe përfaqësues të lartë të institucioneve relevante në Kosovë dhe më gjerë, të cilët diskutuan problemet, sfidat dhe mundësitë për përmirësimet e nevojshme në fushën e prokurimit me qëllim të zbatimit të vazhdueshëm të kornizës rregullative të prokurimit publik.

 

 “Prokurimi publik mbetet në fokus të auditimeve tona, prandaj dua të sjell në vëmendjen tuaj, nevojën e menjëhershme për ndërlidhjen e e-prokurimit me çështjet e buxhetimit të projekteve, përkatësisht nevojën për ndërlidhjen e projekteve me zotimin e mjeteve”, tha Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca, duke shtuar se ZKA-ja është duke e kryer misionin e vet në kuadër të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore që prokurimi publik të jetë proces transparent dhe llogaridhënës.

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm priti në takim ekspertët e SIGMA-s

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm priti në takim ekspertët e SIGMA-s

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj me bashkëpunëtorë priti të martën në takim ekspertët e OECD/ SIGMA-s, Inguna Sudraba, Pilar Ormijana, Piotr-Nils Gorecki dhe Maya Kunst për të diskutuar rreth procesit të vlerësimit të reformave në administratën publike në Republikën e Kosovës.   

Ky takim kishte për qëllim ofrimin e informatave specifike sa i përket vlerësimit të menaxhimit financiar dhe kontrollit, si dhe diskutimin e çështjeve në aspekt të përgjithshëm sa i përket reformave në administratën publike dhe zbatimit të Parimeve të Administratës Publike të rishikuara së fundmi nga OECD dhe Komisioni Evropian.    

Të pranishëm në takim ishin edhe Drejtori për Planifikim Strategjik, Raportim dhe Analiza, Ramadan Gashi, auditorët specialistë Selvete Foniqi dhe Arben Selimi si dhe Valmira Rexhbeqaj, konsulente.    

ZKA-ja auditon procesin e lejeve të ndërtimit në komunën e Prishtinës

ZKA-ja auditon procesin e lejeve të ndërtimit në komunën e Prishtinës

Në vazhdën e zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit për sezonin auditues 2023/2024, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) është duke realizuar auditimin e performancës “Procesi i lejeve të ndërtimit në komunën e Prishtinës” për periudhën 2021-2023.

Auditimi do të vlerësojë nëse komuna e Prishtinës përdori në mënyrë efektive dhe efikase mekanizmat që sigurojnë së ndërtimet e larta janë në përputhje me planifikimet hapësinore si dhe nëse komuna përdori mekanizmat në dispozicion për të siguruar se janë lëshuar certifikatat e përdorimit e që përbëjnë vërtetim të cilësisë dhe sigurisë së ndërtesave për përdorim.

Duke pasur parasysh zhvillimin e hovshëm të ndërtimeve të larta në komunën e Prishtinës dhe sigurimin e kushteve sa më cilësore të banimit, Zyra Kombëtare e Audimit përmes këtij auditimi do të vlerësojë gjendjen aktuale me qëllim të përmirësimit të procesit të lejeve të ndërtimit dhe pajisjes me certifikata të përdorimit në Komunën e Prishtinës.

ZKA-ja vlerëson se është me interes për publikun vlerësimi i procesit të dhënies së lejeve të ndërtimit që nga planifikimi e deri të lëshimi i certifikatave të përdorimit.

Auditorja e Përgjithshme: Duhen veprime të menjëhershme në  zbatim të rekomandimeve të auditimit  për trajtimin e rasteve të dhunës në familje

Auditorja e Përgjithshme: Duhen veprime të menjëhershme në zbatim të rekomandimeve të auditimit për trajtimin e rasteve të dhunës në familje

Për shkak të ngritjes drastike të numrit të rasteve të dhunës dhe vrasjeve në baza gjinore në Kosovë, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca sërish u bën thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse për të forcuar sistemet e tyre të reagimit dhe mbështetjes për viktimat e dhunës në familje.

Me shumë keqardhje për vrasjet e ditëve të fundit dhe duke bashkëndier me familjet e viktimave, Auditorja e Përgjithshme kërkon vëmendjen e subjekteve përgjegjëse në zbatimin e menjëhershëm të rekomandimeve të dhëna në raportin e auditimit “Efektiviteti i institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje”. I publikuar në gusht të vitit 2023, objektiva e raportit të auditimit ishte vlerësimi nëse institucionet përgjegjëse kanë ndërmarrë aktivitetet dhe masat e duhura për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, siç janë reagimi, mbrojtja dhe rehabilitimi i viktimave të dhunës, për të siguruar mbështetje dhe përkrahje institucionale. Trajtimi i rasteve të dhunës në familje, bëhet nga një numër i institucioneve si: Policia e Kosovës, Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, Prokuroria Themelore, Gjykatat Themelore, Qendrat për Punë Sociale dhe Strehimoret, të cilat ofrojnë shërbime të ndryshme nëpër faza të caktuara.

Auditimi identifikoi fusha të rëndësishme për përmirësim dhe nxorri gjithsej 19 rekomandime në gjashtë institucione: tri rekomandime për Policinë e Kosovës, tri për Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, katër për Qendrat për Punë Sociale, dy për Prokurorinë Themelore, dy për Gjykatat Themelore si dhe pesë për Ministrinë e Drejtësisë. Lista e rekomandimeve është paraqitur në Kapitullin 5 të këtij raporti.

Raportin e plotë e gjeni këtu.

 

 

Auditorja e ZKA-së bëhet pjesë e ekipit profesional të projektit të IDI “Analiza e të Dhënave gjatë Auditimit të ISA-ve”

Auditorja e ZKA-së bëhet pjesë e ekipit profesional të projektit të IDI “Analiza e të Dhënave gjatë Auditimit të ISA-ve”

Nga datat 8-12 prill 2024 në Oslo të Norvegjisë, Iniciativa për Zhvillim e INTOSAI-t (IDI)  organizoi punëtorinë për të diskutuar kompetencat e duhura të auditorëve të sektorit publik, në fushën e analizës së të dhënave, për të qenë në hap me kohën dhe zhvillimet e teknologjisë në mënyrë që të realizojnë auditime me ndikim.

Gjatë punëtorisë u zhvillua një strukturë kompetencash, duke theksuar kompetencat themelore të nevojshme për auditorët e Institucioneve Supreme të Auditimi (ISA)  për të përdorur analizën e të dhënave, duke përfshirë inteligjencën artificiale, gjatë realizimit të  auditimit. Struktura gjithashtu theksoi përdorimin etik, të përgjegjshëm dhe gjithëpërfshirës të përdorimit të këtyre teknologjive. Është krijuar një kurrikulë tre nivelesh për të zhvilluar në mënyrë progresive kompetencat themelore e deri te ato të avancuara.

Një ekip i dedikuar i profesionistëve me përgatitje të lartë profesionale dhe nga zona gjeografike të ndryshme punuan me përkushtim për të hartuar dizajnin e Iniciativës për Analizat e të Dhënave gjatë Auditimit të ISA-ve dhe tani do të fokusohen në zhvillimin e  mëtejshëm të saj.

Pjesë e këtij  ekipi ishte edhe Kosova, përkatësisht  Zyra Kombëtare e Auditimit, me pjesëmarrjen e Auditores seniore të TI-së, Poliksena Berisha, e ftuar nga IDI për të dhënë kontributin për projektin e ri “Analiza e të Dhënave gjatë Auditimit të ISA-ve” në nivel të ekspertit, pasi që është vlerësuar për punën dhe angazhimin e treguar në kuadër të projektit paraprak - LOTA Pioneers.

Iniciativa do të ndihmojë auditorët të qëndrojnë në hap me teknologjinë më të re të analizës së të dhënave, duke përfshirë inteligjencën artificiale dhe për të kryer auditime me ndikim. Suksesi i kësaj punëtorie i atribuohet kontributit të profesionistëve të përkushtuar të këtij ekipi dhe që Kosova ishte njëra ndër pesë vendet pjesëmarrëse për krijimin e kësaj iniciative.

 

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në Takimin Ndërkombëtar të Auditorëve në Bern

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në Takimin Ndërkombëtar të Auditorëve në Bern

Me pjesëmarrjen e Auditores së Përgjithshme të Kosovës, Vlora Spanca dhe homologë e përfaqësues të tjerë të Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) nga vendet e rajonit dhe Evropës, Zyra Federale e Auditimit të Zvicrrës në bashkëpunim me Iniciativën për Zhvillim të INTOSAI organizoi Takimin Ndërkombëtar të Auditorëve në Bern më 11 dhe 12 prill 2024.

Aktiviteti trajtoi tema të rëndësishme për ISA me fokus në rolin e autoriteteve të auditimit të brendshëm dhe të jashtëm -  bashkëveprimi i tyre si dhe pavarësia e ISA-ve. Pjesëmarrësit diskutuan çështje të auditimit të brendshëm si kujdestar i qeverisjes, rolin e Zyrës Federale të Auditimit të Zvicrës si autoriteti suprem mbikëqyrës si dhe analiza të EUROSAI-t mbi bashkëpunimin në mes të auditimit të jashtëm dhe të brendshëm.

Tendencat globale, ato rajonale si dhe vështrimet nga raporti global i inventarizimit INTOSAI 2023 u shtjelluan me prezantime dhe diskutime mbi pavarësinë e ISA-ve, ndërsa është biseduar edhe për kërcënimet e reja ndaj pavarësinë së ISA-ve brenda EUROSAI-t, Mekanizmin Reaktiv të INTOSAI-t (SIRAM), si dhe qasjes së integruar për të mbështetur këtë pavarësi. 

 

 

Auditorja e Përgjithshme pritet nga Ambasadori suedez dhe deputeti shqiptar i Parlamentit të Suedisë

Auditorja e Përgjithshme pritet nga Ambasadori suedez dhe deputeti shqiptar i Parlamentit të Suedisë

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të martën takoi deputetin shqiptar të Parlamentit të Suedisë, z. Adnan Dibrani dhe kandidatin për deputet z. Arbër Gashi, të cilët po qëndrojnë për vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës. Pjesë e takimit ishin edhe ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj dhe Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi Morina.

Znj. Spanca shprehu falënderimet dhe mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit të Suedisë ndaj Kosovës, dhe në veçanti ndaj Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës. Ajo i njoftoi ligjvënësit për rolin, mandatin dhe punën e Zyrës Kombëtare të Auditimit, me theks të veçantë për portofolin e auditimeve,  bashkëpunimin me Kuvendin, përkatësisht për procesin e transparencës dhe llogaridhënies si dhe për buxhetin dhe sfidat me të cilat ballafaqohet ZKA-ja.

Deputeti Adnan Dibrani dhe kandidati për deputet Arbër Gashi vlerësuan lartë në përgjithësi të arriturat e shtetit të Kosovës dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit. Ata folën për angazhimet e tyre në jetën politike suedeze si dhe rolin e tyre që mund të shërbej si urë lidhëse në mes të vendit të tyre të lindjes dhe Suedisë ku jetojnë dhe veprojnë aktualisht.

Auditorja e Përgjithshme në Konferencën e Bankës Botërore “Rishikimi i shpenzimeve si mjet për fuqizimin e qeverisjes lokale”

Auditorja e Përgjithshme në Konferencën e Bankës Botërore “Rishikimi i shpenzimeve si mjet për fuqizimin e qeverisjes lokale”

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca mori pjesë në konferencën dyditore të Bankës Botërore “Rishikimi i shpenzimeve si mjet për fuqizimin e qeverisjes lokale në Ballkanin perëndimor,” mbajtur më 3 dhe 4 prill në Vjenë të Austrisë dhe mbështetur nga Fondi i Mirëbesimit të Bashkimit Evropian për fuqizimin e qeverisjes fiskale në Ballkanin Perëndimor.

 

Konferenca e mirëpritur solli në një vend zyrtarë të lartë të politikës fiskale, buxhetimit, përfaqësues të Bankës Botërore, Komisionit të Evropës, OECD, institucioneve supreme të auditimit, Ministrive të Financave nga Ballkani perëndimor, përfaqësues përkatës të shteteve të Bashkimit Evropian si dhe partnerë të tjerë që praktikojnë rishikimin e shpenzimeve si mjet. Qëllimi i aktivitetit qe gjenerimi dhe shkëmbimii përvojave me qasje praktike për disenj, kryerje dhe zbatim të rezultateve të rishikimeve të shpenzimeve si dhe integrimi i tyre në proceset buxhetore.

 

Konferenca u hap nga Xiaoqing Yu, Drejtor i Bankës Botërore në vend dhe Uwe Stamm, Kryesues i njësisë DG EFCIN nga Komisioni Evropian. Zhvilluar në panele të ndryshme, kishte kontribute nga përfaqësues të lartë nga Ministria e Financave në Danimarkë, Autoriteti i Pavarur Fiskal i Spanjës, Ministria e Financave në Holandë, Ministria e Financave e Estonisë si dhe ajo e Sllovakisë.Paneli në përmbyllje trajtoi sfidat përkatëse të rishikimit të shpenzimeve në Ballkani Perëndimor, ndërsa Republika e Kosovës qe përfaqësuar nga Salvador Elmazi, Drejtor i Departamentit të Buxhetit nga Ministria e Financave.

 

 

ZKA-ja auditon shitjet direkte të AKP-së

ZKA-ja auditon shitjet direkte të AKP-së

 

Në kuadër të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit 2023/2024, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) është duke realizuar auditimin e performancës “Vlerësimi i Procedurave të Shitjes Direkte të Aseteve nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit”, për periudhën 2019-2021. Shitjet direkte të realizuara që nga viti 2006 (dhe në vazhdim) i takojnë natyrave të ndryshme si: objekte, toka dhe asete të luajtshme, të cilat gjenden në lokacione të ndryshme dhe kanë vlera të ndryshme.

Ky auditim do të vlerësojë nëse procedurat e shitjes direkte të aseteve nën menaxhim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) janë realizuar në mënyrën e duhur, përkatësisht nëse AKP-ja ka qenë efikase në trajtimin e kërkesave për shitje direkte, në trajtimin dhe klasifikimin e aseteve për shitje direkte, si dhe në mënyrën se si është bërë përzgjedhja e vlerësuesve për përcaktim të vlerës së aseteve.

Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore, rëndësinë që ka ky proces për përmbylljen e likuidimit të ndërmarrjeve si dhe mjedisin në përgjithësi, ZKA-ja vlerëson se është me interes për publikun të bëhet një vlerësim nëse procedurat lidhur me shitjet direkte janë realizuar si duhet.   AKP-ja vazhdon të përballet me kërkesa për blerje të aseteve të cilat janë apo mund të jenë në shfrytëzim të palëve të treta, dhe në këtë rast pamundësohet shitja e tyre përmes procedurës së tenderimit publik.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) përmes këtij auditimi synon të bëjë vlerësimin e gjendjes si dhe nëse AKP-ja ka qenë efektive në menaxhimin e shitjeve direkte, duke pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi, interesin publik si dhe ndikimin e tyre në mjedisin shoqëror dhe ekonomik.

 

 

Auditorja e Përgjithshme pret në takim përfaqësuesin e misionit të FMN-së

Auditorja e Përgjithshme pret në takim përfaqësuesin e misionit të FMN-së

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca priti sot në takim përfaqësuesin e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) z. Javier Kapsoli, Ekonomist i Lartë nga Departamenti Evropian. Ky mision ndërlidhet me rishikimin e dytë të Marrëveshjes së kujdesit paraprak Stand-By (SBA) dhe Instrumentit të Reziliencës dhe Qëndrueshmërisë (RSF) që Kosova ka me FMN-në.

Palët biseduan mbi procesin e auditimit, rezultatet kryesore të Raportit Vjetor të Auditimit për vitin 2022, si dhe rezultatet e auditimit që ndërlidhen me parandalimin dhe luftimin e korrupsionit. Pas informimit të përfaqësuesit të FMN-së lidhur me mandatin, rolin dhe fushëveprimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) si dhe rezultatet e auditimit, Auditorja e Përgjithshme theksoi rëndësinë e transparencës dhe llogaridhënies në procesin e auditimit duke nënvizuar edhe nevojën për vlerësime gjithëpërfshirëse dhe objektive.

Përfaqësuesi i misionit, duke vlerësuar punën e ZKA-së, e njoftoi Auditoren e Përgjithshme në lidhje me misionin e FMN-së, duke theksuar rëndësinë e mbikëqyrjes efektive në institucione publike. Ai gjithashtu vuri në pah ndikimin e auditimit në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në menaxhimin e parasë publike.

Në takim të pranishëm ishin edhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm Bezad Halilaj, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm Zukë Zuka dhe Drejtori i Departamentit të Auditimit Faruk Rrahmani.