Kthehu te lista
11 Qershor 2021

ZKA-ja shënon progres në fushën e komunikimit me publikun

Foto 11.06.2021

Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës është vlerësuar se ka shënuar progres në fushën e  komunikimit me publikun gjatë vitit 2020. Kështu është konstatuar në Raportin Kombëtar të monitorimit nen projektin rajonal WeBER 2.0 të Grupit për Studime Juridike dhe Politike i cili është publikuar në tryezën “Reforma në Administratën Publike”. Për ZKA-në tregues i monitorimit të këtij Raporti ka qenë  “Komunikimi dhe bashkëpunimi i Institucionit Suprem të Auditimit me publikun që ka të bëjë me punën e tij”.

Gjetjet e raportit  tregojnë se ZKA-ja ka marrë vlerësim pozitiv sa i përket hartimit të Strategjisë së Komunikimit për të arritur te publiku. “Në monitorimin e mëparshëm ZKA-ja nuk kishte një strategji specifike të komunikimit, ndërsa monitorimi i vitit 2020 njeh se Strategjia e Komunikimit e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës për periudhën 2020-2022 është zhvilluar me qëllime dhe objektiva të përcaktuara për ZKA-në. Dokumenti është në përputhje me Planin Strategjik 2018-2021. Në Strategji është treguar se ZKA-ja duhet të mbajë marrëdhënie të mira me degët ekzekutive dhe legjislative për të inkurajuar zbatimin dhe për të lehtësuar mbikëqyrjen dhe llogaridhënien e publikut. Plani do të rishikohet çdo vit dhe do të jetë nën Departamentin e Komunikimit të ZKA-së”, është thënë në raport.

Poashtu ZKA-ja ka marrë vlerësim pozitiv edhe për konsultimin me Organizatat e Shoqërisë Civile dhe punën e tyre me qëllim të identifikimit të rreziqeve në sektorin publik. “Shoqëria civile ka qenë vazhdimisht pjesëmarrëse në grupet e këshillimit për hartimin e dokumenteve strategjike të ZKA-së dhe pjesë e hartimit të strategjisë së komunikimit të ZKA-së. Ky proces konsultimi zyrtarizohet përmes rregullores (ZKA) nr.02/2020 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës ku parashikohet Forumi Konsultativ me Shoqërinë Civile”, është thënë më tutje në raport.

Ndërsa progres të pjesshëm ZKA-ja ka shënuar në përdorimin e mënyrave të ndryshme të komunikimit me publikun si dhe në komunikimin pro aktiv dhe sigurimin e reagimeve ndaj publikut. “ZKA-ja si në raportet e mëparshme të monitorimit ka përkushtuar të paktën një pozitë pune për komunikim proaktiv dhe ofrimin e komenteve ndaj publikut. Për më tepër, hulumtimet e mëparshme kanë treguar që ZKA-ja përdor të paktën dy mjete shtesë të komunikimit me publikun. Më konkretisht, duke mirëmbajtur aktivisht llogarinë në ‘Facebook’ dhe duke mbajtur konferenca për shtyp ku u prezantuan Raportet e Auditimit të Performancës së ZKA-së dhe u zhvillua diskutimi në tryezë të rrumbullakët”, është thënë ndër të tjera në raport.

Megjithatë ky raport ka identifikuar edhe dy çështje në të cilat ZKA-ja duhet të përmirësohet meqë aktualisht nuk qëndron mirë, siç janë mungesa e një kanali specifik në ueb faqen e ZKA-së për paraqitjen e ankesave ose iniciativave për çështje të identifikuara nga palët e jashtme të interesit, si dhe mungesa e përmbledhjes miqësore ndaj qytetarëve të raporteve të auditimit.

Të ngjashme