Kthehu te lista
10 Janar 2022

ZKA-ja nisë auditimin e sistemit të licencimit të hidrocentraleve

Auditimi i hidrocentraleve 1

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës në fushën e energjisë dhe mjedisit me temën “Sistemi i licencimit të hidrocentraleve dhe ndikimi i tyre në mjedis dhe ujëra (2015 – 2021)”.  Trajtimi i kësaj teme të auditimit është me rëndësi të veçantë pasi që shfrytëzimi i ujërave për prodhimin e energjisë elektrike duhet të bëhet në mënyrën e duhur duke mos ndikuar në cilësinë dhe rrjedhën e ujërave.

Raportimet e ndryshme në media dhe hulumtimet fillestare në fazën e planifikimit në këtë fushë tregojnë se ka indikacione që procesi i licencimit të hidrocentraleve karakterizohet me mangësi dhe mungesë të transparencës. Poashtu ka indikacione për moskoordinim mes palëve përgjegjëse gjatë procesit të licencimit, mungesë të mbikëqyrjes së duhur nga institucionet përgjegjëse që për pasojë mjedisi mund të rrezikohet nga kjo veprimtari. Ndikimi që ka kjo veprimtari në mjedis dhe treguesit fillestar të problemeve në këtë fushë kanë shërbyer që ZKA-ja të fillojë këtë auditim.

Objektivë e këtij auditimi është vlerësimi i dhënies së licencave për hidrocentralet dhe aktivitetet e institucioneve publike për mbrojtjen e mjedisit nga veprimtaria e hidrocentraleve. Qëllimi  kryesor i këtij auditimi është që të kontribuojë në përmirësimin e procesit të licencimit dhe të sigurojë se shfrytëzimi i ujërave bëhet në mënyrë më efikase dhe efektive duke arritur qëllimin e synuar dhe të sigurohet mbrojtja e ujërave dhe mjedisit.

Procesit të auditimit do t’i nënshtrohen  Zyra e Rregullatorit të Energjisë; Ministria  e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës; Ministria e Ekonomisë si dhe komuna e Dragashit, Mitrovicës, Deçanit dhe komuna  e Shtërpcës. Poashtu, auditimit mund t’i nënshtrohen edhe Agjencia e Pyjeve të Kosovës dhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit varësisht nëse kanë ndërlidhje me fushën e audituar. Në kuadër të këtyre institucioneve fokus i auditimit do të jenë departamentet e lëshimit të lejeve dhe departamentet e inspektoratit lidhur me ndikimin në mjedis dhe ujëra. Fushëveprimi do të fokusohet te dhënia e licencave për hidrocentralet përgjatë viteve 2015 -2020 dhe ndikimi i tyre në mjedis dhe ujëra.

Qëllimi kryesor i ndërtimit të hidrocentraleve në Kosovë është arritja e cakut prej 25% krahas marrëveshjes së Direktivës së vendosur të BE-së 2019/32/EC për prodhimin e energjisë së ripërtëritshme deri në vitin 2020 duke zvogëluar ndikimin në mjedis dhe ujëra. Në Kosovë përgjatë viteve 2015–2020 janë ndërtuar rreth 20 hidrocentrale të vogla të cilat ofrojnë një kapacitet të prodhimit rreth 86 MW. Hidrocentralet duhet të ndërtohen në koncesion me institucionet publike, të pajisen dhe të zbatojnë rregullat dhe kriteret e lejeve mjedisore me qëllim të mbrojtjes së ujërave dhe mjedisit dhe të sigurojnë cilësinë e prurjes së ujërave dhe rrjedhën e tyre.

Aktivitetet e secilit institucion përgjegjës për ndërtimin e hidrocentraleve dhe funksionalizimin e tyre me qëllim të prodhimit të energjisë elektrike duhet të zhvillohen në pajtim me parimet e pajtueshmërisë, ekonomisë, efikasitetit dhe efektivitetit. Po ashtu të ofrojnë transparencë dhe trajtim të barabartë për operatorët ekonomik të cilët synojnë shfrytëzimin e ujërave për prodhim të energjisë.

ZKA-ja është e përkushtuar të kryej tema relevante dhe të rëndësishme për Kuvendin e Kosovës dhe qytetarët duke ofruar rekomandime të dobishme për mbrojtjen e mjedisit dhe fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

Të ngjashme