Kthehu te lista
16 Dhjetor 2021

ZKA-ja ndanë përvojën e saj të bashkëpunimit me Parlamentin para komunitetit ndërkombëtar të auditimit

takimi

-Bashkëpunimi i ZKA-së me Kuvendin e Kosovës në fokus të punëtorisë “Puna me parlamentet, në veçanti Komisionet e Llogarive Publike”

Në kuadër të Komitetit të INTOSAI-t për Ngritjen e Kapaciteteve, është mbajtur punëtoria “Puna me parlamentet, në veçanti Komisionet e Llogarive Publike” në të cilën Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës ka  prezantuar përvojat e saj sa i përket punës dhe bashkëpunimit me palët e rëndësishme të interesit, në veçanti me parlamentin.

Në këtë punëtori ZKA-ja është përfaqësuar nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Ilir Salihu dhe drejtoresha e Departamentit për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qëndresa Mulaj.

Më këtë rast Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Ilir Salihu ka prezantuar përvojën e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës për bashkëpunimin me Parlamentin, veçanërisht me Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publikë (KMFP) dhe Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere (KBPT).

Para të pranishmëve Salihu ka theksuar se Zyra Kombëtare të Auditimit funksionon sipas modelit westminster, dhe se kjo kërkon bashkëpunim aktiv me Kuvendin. Përfshirja aktive e Kuvendit sidomos në sigurimin e zbatimit të rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm është e domosdoshme.

Tutje ai ka bërë me dije se ZKA-ja ka intensifikuar bashkëpunimin me Parlamentin e Kosovës, duke thënë se në vazhdimësi deputetët mbahen të informuar për rezultatet dhe sfidat e ZKA-së gjatë gjithë vitit. Salihu i ka njoftuar pjesëmarrësit se Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publikë ka shqyrtuar këtë vit  24 raporte të auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Ilir Salihu, ka thënë se përkundër progresit të arritur sfidë mbetet mungesa e vullnetit të subjekteve të audituara për të vepruar në adresimin e gjetjeve dhe për të zbatuar rekomandimet e auditimit si dhe mungesa e një sistemi efektiv monitorimi për të përcjellë ecurinë e zbatimit të rekomandimeve të auditimit.

Të ngjashme