Kthehu te lista
07 Shtator 2021

ZKA-ja fillon zbatimin e planit të trajnimeve

Plani i trajnimeve

Zhvillimi i vazhdueshëm i kapaciteteve profesionale është domosdoshmëri dhe prioritet i Zyrës Kombëtare të Auditimit. Synimi për të ndikuar në rritjen e përgjegjësisë institucionale që paraja publike të shpenzohet për të mirën e qytetarëve, dhe marrë parasysh ndryshimet që ndodhin në ambientin në të cilin e auditojmë, kërkon nga Zyra Kombëtare e Auditimit që në vazhdimësi t’i avancojë njohuritë profesionale të auditorëve. Kërkesave nga palët e interesit ne duhet të jemi në gjendje t’iu përgjigjemi në mënyrën dhe kohën e duhur.

Prandaj, me qëllim të zhvillimit profesional dhe avancimit të njohurive punonjësit e ZKA-së gjatë këtij sezoni do të zbatojnë një plan të ngjeshur të trajnimeve të brendshme. Përveç, trajnimeve të brendshme, punonjësit e ZKA-së do të përfitojnë edhe nga trajnimet e ofruara nga institucionet e tjera vendore dhe ndërkombëtare si dhe do të jenë pjesë në shumë punëtori dhe aktivitete ndërkombëtare.

Aktualisht është duke u mbajtur trajnimi i organizuar nga Thesari i Kosovës për modulin “Pamje dhe Raportim në Sistemin Informativ të Menaxhimit të Financave të Kosovës” ku do të diskutohen në detaje modulet e këtij sistemi.

Po ashtu auditorët do të jenë pjesë aktive edhe e trajnimeve dhe seminareve të ofruara nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë për Kontrollin dhe Sigurimin e Cilësisë; trajnimin për auditimin e performancës që ndërlidhen me analizat e thella si dhe shkimin e raporteve shkrimin miqësor ndaj lexuesit, teknika për gjuhën e thjeshtë, strukturën e tekstit, infografinë.  Këto trajnime ofrohen në kuadër të zbatimit të marrëveshjes “Bashkëpunimi për Zhvillim Institucional me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës 2020-2023”.

Kurse në kuadër të marrëveshjeve me shoqatat profesionale, auditorët do të ndjekin edhe edukimin  e vazhdueshëm profesional (EVP).

Me qëllim të maksimizimit të kohës,  plani i trajnimeve është kryesisht i fokusuar që të zbatohet në muajt jashtë fazës intensive të procesit auditues.

Të ngjashme