Kthehu te lista
11 Qershor 2021

“Të rinjtë në politikë” zhvilluan vizitë studimore në ZKA

Vizita ne ZKA 1 11.06.2021

Rreth tridhjetë studentë të forumeve rinore të të gjitha partive politike të premten kanë zhvilluar një vizitë studimore në Zyrën Kombëtare të Auditimit, me ç’rast u priten në takim nga Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani me bashkëpunëtor.

Kjo vizitë u realizua nga Grupi për Ballkan në kuadër të Programit “Të rinjtë në politikë” i cili ka për synim trajnimin dhe ngritjen e kapaciteteve të të rinjve aktiv në parti politike në fushën e sundimit të ligjit, politikat publike, qeverisja e mirë, zhvillimi ekonomik, politikat shoqërore, politikat e edukimit, bashkëpunimi rajonal, etj.

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, pati një bashkëbisedim me politikanët e rinj të cilëve u shpjegoj rolin, misionin, mënyrën se si funksionon Zyra Kombëtare e Auditimit, si dhe detaje të tjera rreth procesit të përpilimit të raporteve të auditimit.

Me këtë rast Osmani ka thënë se ZKA-ja auditon fondet publike për t’i siguruar taksapaguesit që paratë e tyre po përdorën në mënyrë ekonomike, që raportimi financiar është i saktë dhe vendimet janë në pajtim me kërkesat ligjore.

Auditori i Përgjithshëm ka theksuar rëndësinë e zbatimit të  rekomandimeve të ZKA-së dhe ndikimin e tyre në fuqizimin e qeverisjes së mirë dhe llogaridhënies.

Politikanët e rinj u interesuan që të informohen më shumë për realizimin e procesit të auditimit; për gjetjet kryesore më të rëndësishme si dhe ndikimin e tyre në nivelin e përgjithshëm të qeverisjes në vend.

Të ngjashme