Kthehu te lista
20 Dhjetor 2021

Projektet kapitale të KOSTT-it i nënshtrohen auditimit publik

Auditimi ne KOSTT

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës në Ndërmarrjen Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Kosovës (KOSTT) në fushën e prokurimit publik me temën “Auditimi i projekteve kapitale (2015-2021)”. Qëllimi kryesor i këtyre projekteve kapitale në KOSTT është që të kontribuojnë në ngritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve të sistemit të transmisionit të energjisë elektrike në Kosovë. Trajtimi i kësaj teme të auditimit është e rëndësishme, pasi që KOSTT është shoqëri aksionare 100% në pronësi të Republikës së Kosovës, nuk është audituar nga ZKA që nga viti 2010 si dhe për arsye se projektet kapitale janë me interes të lartë publik dhe ndikim të gjerë social dhe ekonomik.

Aktivitetet e prokurimit në KOSTT, sikurse në çdo autoritet tjetër kontraktues, duhet të zhvillohen në pajtim me parimet e ekonomisë, efikasitetit dhe trajtimit të barabartë, parime të sanksionuara me ligjin e prokurimit publik dhe më gjerë, që kanë për qëllim të sigurojnë se prokurimi arrin qëllimin e përcaktuar.

Investimet kapitale në KOSTT bëhen nga fondet publike si dhe nga financimet e organizatave ndërkombëtare. Projektet e financuara nga fondet publike duhet të kryhen sipas ligjit të prokurimit publik në Kosovë, ndërsa në rastet kur projektet financohen nga organizatat e jashtme, procedurat e prokurimit zhvillohen në përputhje me rregullat dhe politikat e caktuara ndërkombëtare të prokurimit.

Gjatë viteve 2015-2021, KOSTT ka realizuar projekte kapitale në vlerë prej 78,758,545€. Nga kjo vlerë 62,569,411€ e përbëjnë dy projektet ndërkombëtare, projekti i financuar nga Banka Gjermane “Përmirësimi i Rrjetit të Transmisionit Faza IV dhe V nga LOT 1 deri 4” dhe projekti i financuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) “Zhvillimi i Transmisionit të Kosovës LOT 1 deri 3”. Kurse vlera prej 16,189,134€ përfshinë grupin e projekteve të financuara nga buxheti i KOSTT të cilat po ashtu kanë të bëjnë me blerjet dhe rehabilitimin e rrjeteve të transmisioneve të Kosovës.

Objektivi i këtij auditimi është të vlerësojmë nëse menaxhmenti i ndërmarrjes publike KOSTT është siguruar se projektet kapitale për vitet 2015-2021 janë prioritizuar dhe planifikuar në mënyrë të duhur si dhe nëse menaxhimi i proceseve të prokurimit është bërë konform legjislacionit në fuqi dhe janë arritur rezultatet e synuara të prokurimit.

Subjekt i këtij auditimi është KOSTT me njësitë vartëse të ndërlidhura me zhvillimin dhe menaxhimin e projekteve kapitale. Për qëllime të verifikimit dhe marrjes së informatave krahasuese do të përfshijmë edhe Drejtorinë për Çmime dhe Tarifa në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, pasi që kjo zyrë bënë koordinimin, aprovimin dhe monitorimin e KOSTT mbi këto nisma investive. Po ashtu, subjekt i auditimit është edhe Zyra e Inspektoriatit të Energjisë në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë për të siguruar se kjo zyre ka bërë vlerësimin e disa nga pajisjeve elektroenergjetike të cilat bëjnë pjesë tek projektet kapitale fushëveprim i këtij auditimi.

Fushëveprimi i këtij auditimi përfshinë kontratat e prokurimit të nënshkruara për periudhën 2015-2021, ku nga gjithsej 148 projekte kapitale të regjistruara, kemi përzgjedhur për auditim 42 projekte në vlerë prej 50,631,956€ duke përfshirë këtu edhe dy projektet me marrëveshje ndërkombëtare. Përzgjedhja e projekteve është bërë sipas gjykimit profesional, rëndësisë materiale dhe natyrës së projekteve.

Ky auditim synon të rris llogaridhënien, transparencën dhe integritetin e aktiviteteve lidhur me investimet kapitale në KOSTT dhe aty ku është e nevojshme të ofroj rekomandime që fondet publike të shfrytëzohen në mënyrë më efektive dhe efikase dhe të arrijnë qëllimet e synuara.

Të ngjashme