Kthehu te lista
25 Nëntor 2021

Përfaqësuesit e ZKA-së morën pjesë në punëtorinë “Përmirësimi i praktikave të auditimit në komuna”

Punetoria osbe 1

Ndihmës Auditorja e Përgjithshme Emine Fazliu e shoqëruar nga drejtorët e Departamentit të  Auditimit Faruk Rrahmani dhe Zukë Zuka kanë marrë pjesë në punëtorinë “Përmirësimi i praktikave të auditimit në komuna” të organizuar nga OSBE-ja me datat 16,18 dhe 23 nëntor 2021.

Të pranishëm në këto punëtori ishin zyrtarët kryesor financiar dhe auditorët e brendshëm të komunave si dhe përfaqësues nga Ministria e  Administrimit të Pushtetit Lokal, ku janë diskutuar sfidat më të cilat ballafaqohen komunat në zbatimin e rekomandimeve të dhëna nga ZKA si dhe sfidat tjera.

Punëtoritë janë zhvilluar në regjionin e Prishtinës, Gjilanit dhe Pejës, ku znj. Emine Fazliu ka prezantuar çështjet kryesore të paraqitura në raportet individuale të vitit 2020 për komunat siç janë opinioni i auditimit, konkluzioni për pajtueshmëri; theksimi i çështjes; implementimi i rekomandimeve, sfidat buxhetore, sfidat në proceset e të hyrave, sfidat në proceset e shpenzimeve; llogaritë e pagueshme, detyrimet kontigjente, llogaritë e arkëtueshme, menaxhimi i pasurive, shpenzimet për Covid – 19 si dhe çështjet e tjera.

Shqetësimet e ngritura nga përfaqësuesit e komunave rreth zbatimit të rekomandimeve ishin kryesisht te keq-klasifikimi i shpenzimeve bazuar në pagesat direkte nga Thesari (vendimet gjyqësore/përmbarimore) që ndërlidhen me kontratën kolektive respektivisht pagat jubilare, shujtat, shpenzimet e rrugës etj; si dhe mosfunksionimi i sistemit e-pasuria.

Gjithashtu, në këto punëtori nga pjesëmarrësit është vlerësuar lartë puna dhe bashkëpunimin profesional i auditorëve të ZKA-së, me ç’ rast janë zotuar se në të ardhmen do të japin më shumë kontribut për zbatimin e rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Të ngjashme