Kthehu te lista
22 Nëntor 2021

Kuvendi i Kosovës shqyrtoi Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2020

AP ne Kuvend 1

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca ka prezantuar të hënën para deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës Raportin Vjetor të Auditimit për vitin fiskal 2020, i cili përmban rezultatet kryesore të punës audituese përfshirë opinionin, gjetjet si dhe rekomandimet e ZKA-së.

Znj. Spanca ka bërë me dije se fokusi kryesor i procesit të auditimit ka qenë në vlerësimet për cilësinë e raportimit financiar; pajtueshmërinë e transaksioneve financiare me ligjet dhe rregulloret; efektivitetin e sistemeve të kontrollit të brendshëm të shpenzuesve buxhetor, përfshirë edhe kontrollet e sigurisë së informacionit dhe kontrollet aplikative të Sistemit Informativ të Menaxhimit Financiar të Kosovës; si dhe në zbatimin e rekomandimeve të auditimit.

Tutje Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca ka thënë se konkluzioni i përgjithshëm është se organizatat buxhetore në fushën e raportimit financiar po bëjnë përmirësime të lehta nga viti në vit, ndonëse shpalosjet lidhur me informatat financiare kanë ende mangësi të theksuara. Po ashtu, gjetjet në fushën e pajtueshmërisë janë mjaft të përhapura dhe domethënëse.

Bazuar në rezultatet e auditimit, Spanca ka theksuar se gjendje më e rënduar ekziston te ndërmarrjet publike – ku si raportimi financiar ashtu edhe pajtueshmëria me kuadrin ligjor, vazhdojnë të kenë të meta serioze. Ndërsa, sa i përket Sistemit Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës, përkundër përmirësimeve ende nevojitet të forcohen mekanizmat e sigurisë, në mënyrë që sistemet e informacionit të jenë më të mbrojtura.

Para deputetëve znj. Spanca ka treguar se Raporti Vjetor i Auditimit për vitin 2020 është rezultat i auditimit të Raportit Vjetor Financiar të Qeverisë për vitin 2020 dhe i 126 raporteve individuale, nga të cilat: 90 auditime financiare dhe të pajtueshmërisë të organizatave buxhetore; 12 auditime të ndërmarrjeve publike; 13 auditime të projekteve të Bankës Botërore dhe të donatorëve tjerë; dhe 11 auditime të performancës.

Duke prezantuar rezultatet e RVA 2020 Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca ka treguar se në raportet e auditimit për organizatat buxhetore ZKA-ja ka thënë 63 opinione të pamodifikuara dhe 27 të kualifikuara. Kurse për ndërmarrjet publike janë dhënë 2 opinione të pamodifikuara, 2 të kualifikuara dhe 8 opinione të kundërta. Ndërsa, për Pasqyrat Financiare të Qeverisë është dhënë opinion i kualifikuar.

Ndërkaq sa i përket rekomandimeve znj. Spanca ka bërë me dije se në auditimet financiare dhe të pajtueshmërisë për vitin 2020 janë dhënë 654 rekomandime. Ndërsa nga 803 rekomandime të dhëna në vitin 2019, përqindja e zbatimit të tyre ishte 45%, që paraqet një përmirësim prej 5%, krahasuar me vitin 2018.Fjalimi i plotë i Auditores së Përgjithshme, Vlora Spanca, para deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës:

I nderuari Kryetar i Kuvendit z. Konjufca, të nderuar deputetë,

I nderuar Kryeministër z. Kurti, të nderuar ministra,

Të nderuar të pranishëm,

Kam kënaqësinë të prezantoj para jush Raportin Vjetor të Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Buxhetit të shtetit, për vitin fiskal 2020.

Meqë ky është adresimi im i parë si Auditore e Përgjithshme – e sapoemëruar nga Kuvendi – shfrytëzoj rastin t’ju falënderoj për besimin që më keni dhënë, dhe zotohem se do të punoj me shumë përkushtim në forcimin e mëtejshëm të rolit dhe ndikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit në rritjen e llogaridhënies dhe përmirësimin e qeverisjes në sektorin publik të Kosovës.

Fokusi ynë kryesor në këtë auditim ka qenë:

  • Cilësia e raportimit financiar;
  • Pajtueshmëria e transaksioneve financiare me ligjet dhe rregulloret;
  • Efektiviteti i sistemeve të kontrollit të brendshëm të shpenzuesve buxhetor, përfshirë edhe kontrollet e sigurisë së informacionit dhe kontrollet aplikative të Sistemit Informativ të Menaxhimit Financiar të Kosovës; dhe
  • Zbatimi i rekomandimeve të auditimit.

KONKLUZIONI I PËRGJITHSHËM i auditimit është se:

Organizatat buxhetore në fushën e raportimit financiar po bëjnë përmirësime të lehta nga viti në vit, ndonëse shpalosjet lidhur me informatat financiare kanë ende mangësi të theksuara. Po ashtu, gjetjet në fushën e pajtueshmërisë janë mjaft të përhapura dhe domethënëse.

Gjendje më e rënduar ekziston te ndërmarrjet publike – ku, si raportimi financiar ashtu edhe pajtueshmëria me kuadrin ligjor, vazhdojnë të kenë të meta serioze.

Ndërsa, sa i përket Sistemit Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës, përkundër përmirësimeve të bëra, ende ka nevojë të forcohen mekanizmat e sigurisë, në mënyrë që sistemet e informacionit të jenë më të mbrojtura.

Raporti që po e prezantoj sot, është rezultat i auditimit të Raportit Vjetor Financiar të Qeverisë për vitin 2020 dhe i 126 raporteve individuale, nga të cilat:

  • 90 auditime financiare dhe të pajtueshmërisë të organizatave buxhetore;
  • 12 auditime të ndërmarrjeve publike;
  • 13 auditime të projekteve të Bankës Botërore dhe të donatorëve tjerë; dhe
  • 11 auditime të performancës.

Në raportet e auditimit për organizatat buxhetore, kemi dhënë:

  • 63 opinione të pamodifikuara; dhe
  • 27 të modifikuara

Dëshiroj të sqaroj se mangësitë lidhur me pasurinë, llogaritë e arkëtueshme, llogaritë e pagueshme dhe shpalosjet në përgjithësi nuk janë risi – ato janë identifikuar edhe gjatë auditimeve të kaluara – mirëpo zbatimi i Standardeve Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit dhe përdorimi i metodologjisë së përditësuar të auditimeve financiare dhe të pajtueshmërisë ka ndikuar që në raste të caktuara të kualifikohen opinionet.

Për ndërmarrjet publike janë dhënë:

  • 2 opinione të pamodifikuara;
  • 2 të kualifikuara; dhe
  • 8 opinione të kundërta

Ndërsa, për Pasqyrat Financiare të Qeverisë është dhënë: OPINION I KUALIFIKUAR

Kjo për arsyet se:

  • të hyrat ishin mbivlerësuar për 42 milionë euro, për shkak se të hyrat vetjake të bartura nga viti paraprak ishin përfshirë në planin buxhetor 2020;
  • shpenzimet prej 18 milionë eurosh me ligjin e buxhetit ishin klasifikuar nëpër kategori joadekuate, por, keq-klasifikime ishin bërë edhe me rastin e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore për kompensimin e pagave jubilare e përcjellëse, shujtave dhe shpenzimeve tjera të procedurave gjyqësore, duke nënvlerësuar për të njëjtën shumë kategorinë e Pagave dhe të Mëditjeve;
  • poashtu, në pasqyrën e shpalosjeve, në shtojcat lidhur me pasuritë kapitale mbi 1,000 euro, pasurive nën 1,000 euro, stoqet, detyrimeve kontigjente dhe llogarive të arkëtueshme, të Raportit Financiar Vjetor të Buxhetit të shtetit kishte prezantime të gabuara në shuma të konsiderueshme.

Në auditimet financiare dhe të pajtueshmërisë për vitin 2020 kemi dhënë 654 rekomandime.

Ndërkaq, nga 803 rekomandime të dhëna në vitin 2019, përqindja e zbatimit të tyre ishte 45%, që paraqet një përmirësim prej 5%, krahasuar me vitin 2018.

Ne tashmë kemi pranuar edhe Planin e Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të RVA 2020 dhe presim që të zbatohet plotësisht.

Kur është fjala për financimet buxhetore, vlen të theksohet se në fund të vitit 2020, bilanci bankar në para të gatshme nga 458 milion ishte zvogëluar në 330 milionë apo rreth 28%. Kjo ishte bërë me miratimin e Kuvendit.

Poashtu, për mbulimin e deficiteve buxhetore, borxhi i përgjithshëm publik ishte rritur për 300 milionë euro, dhe tani ka arritur shifrën prej 1.5 miliardë.

Në raport me Bruto Produktin Vendor, borxhi ishte 21.83% nga 40% i lejuar me ligj [Bruto Produkti Vendor për vitin 2020 ishte 6 miliardë e 961 milionë euro].

Megjithatë, shkalla e shpenzimit të fondeve të huazuara është e ulët dhe për shkak të vonesave në shfrytëzimin e kredive, Qeveria ka paguar mbi 800 mijë euro tarifa të zotimit për mjetet e kredive të pa-tërhequra.

Me kërkesë të Qeverisë, Kuvendi kishte bërë rritjen e përkohshme të kufirit të deficitit buxhetor nga 2 në 6,5%, për vitin 2020. Megjithatë sipas auditimit, deficiti i përgjithshëm në bazë të Buxhetit të rishikuar ishte pak mbi 493 milionë. Në fund të vitit, deficiti aktual buxhetor ishte 5.3%.

Duke mos dashur që t’ju marr shumë kohë me paraqitjen e detajeve të cilat janë përshkruar në RVA, dëshiroj vetëm të potencoj shkallën e ultë të shpenzimeve për investimet kapitale e cila ishte vetëm 53% nga planifikimi buxhetor.

Shuma e obligimeve të papaguara, përfshirë edhe obligimet për shpronësime në fund të vitit 2020, ishte rreth 363 milionë euro. Krahasuar me vitin paraprak, detyrimet janë rritur rreth 17%, derisa detyrimet kontingjente janë rreth 217 milionë.

Shuma e llogarive të arkëtueshme është 692 milionë euro, apo 57 milionë euro më të larta se vitin paraprak. Pjesa dërmuese e këtyre borxheve të pa-mbledhura ka të bëj me Administratën Tatimore dhe Doganën e Kosovës, të cilat së bashku kanë 408 milionë euro apo rreth 59% të shumës totale, komunat kanë rreth 214 milionë, dhe 70 milionë organizatat tjera.

Qeveria duhet të ketë një qasje më pragmatike se si të veprohet me shumat e larta të detyrimeve të papaguara, por edhe trajtimin e llogarive të arkëtueshme, pasi që me kalimin e kohës ato shndërrohen në borxhe të këqija, dhe si të tilla, bëhen të pa-mbledhëshme.

Të nderuar deputetë,

Përderisa sistemi i menaxhimit financiar dhe kontrollit tek Organizatat Buxhetore është më i mirë, përmirësime thelbësore kërkohen te Ndërmarrjet Publike. Këtë e dëshmon fakti se nga 12 ndërmarrjet e audituara, për 8 prej tyre kemi dhënë opinione të kundërta dhe për 2 të tjera të kualifikuara.

Stabiliteti financiar i këtyre ndërmarrjeve është shumë i brishtë. Ato, të gjitha së bashku, kanë mbi 89 milionë euro detyrime afatshkurtra dhe mbi 80 milionë euro detyrime afatgjata.

Kthimi i këtyre detyrimeve është mjaft i pasigurt, marrë parasysh faktin se të gjitha ndërmarrjet e audituara mezi mbulojnë shpenzimet operative, e disa prej tyre  operojnë edhe me humbje. Aksionarët (Qeveria dhe komunat) kanë nevojë të trajtojnë thellësisht problemet me të cilat përballen ndërmarrjet publike dhe të zbatojnë masat e sanimit të gjendjes.

Për të vlerësuar nëse fondet publike po shfrytëzohen në mënyrë efikase dhe efektive, Zyra Kombëtare e Auditimit ka kryer edhe 11 auditime të performancës në fusha të ndryshme me interes shoqëror, si:

-mirëqenie sociale, ekonomi, shëndetësi, siguri, ambient, teknologji të informacionit dhe në fushën e prokurimit publik.

Të gjitha mangësitë dhe parregullsitë e identifikuara përmes auditimeve janë përshkruar në raportet individuale, duke sugjeruar edhe rekomandimet për përmirësim.

 Të nderuar deputetë,

Këtë vit, në kuadër të auditimit të buxhetit të shtetit, Zyra Kombëtare e Auditimit ka kryer edhe auditimin e Sistemit Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës për të vlerësuar nëse sistemi është i sigurt në integritetin, konfidencialitetin dhe disponueshmërinë e të dhënave.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Thesari, në vazhdimësi kishin bërë konfigurime për mbrojte ndaj ndërhyrjeve të brendshme dhe të jashtme në sistemet e informacionit. Mirëpo, ende nuk kishin arritur të krijojnë një strukturë që ofron siguri të plotë të informacionit, nuk kishin përcaktuar personat përgjegjës për siguri të informacionit, kishte mangësi në procedura, mangësi në menaxhimin e qasjeve të përdoruesve si dhe nuk kishte mjaftueshëm ndërgjegjësim mbi sigurinë e informacionit.

Në fund të këtij adresimi, më lejoni t’ju falënderoj për mbështetjen dhe bashkëpunimin korrekt me ZKA-në, gjatë këtij sezoni auditues.

Dëshiroj po ashtu, të shpreh vlerësimin tim për sjelljen bashkëpunuese të Ministrisë së Financave dhe Thesarit përgjatë gjithë auditimit.

Falënderoj po ashtu stafin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për profesionalizmin dhe angazhimin e pakursyer që përkundër sfidave me situatën pandemike realizuan planin vjetor të auditimit.

Ju faleminderit për vëmendjen!

Të ngjashme