Kthehu te lista
13 Shtator 2021

Komuna e Prizrenit do t’i adresojë gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit

Debati ne Prizren

Në Komunën e Prizrenit të hënën është mbajtur debati i radhës për zbatimin e rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Në këtë debat të pranishëm kanë qenë kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, Udhëheqësi i Auditimit nga Zyra Kombëtare të Auditimit (ZKA), Arian Haxha, Visar Prebreza nga BIRN si dhe këshilltarët e Kuvendit Komunal.

Udhëheqësi i Auditimit nga Zyra Kombëtare të Auditimit (ZKA), Arian Haxha, ka thënë se Komuna e Prizrenit ka shënuar progres sa i përket zbatimit të rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm, mirëpo ekzistojnë edhe disa çështje të cilat duhet të adresohen. Sipas tij, fakti se prej 23 rekomandimeve sa kanë qenë në vitin 2019, për vitin 2020 janë 15 rekomandime tregon interesimin e Komunës së Prizrenit  për adresimin e gjetjeve dhe zbatimin e rekomandimeve.

Haxha ka folur edhe për pandeminë, duke thënë se përveç disa vonesave pandemia nuk ka pasur ndikim në cilësinë e punës. Ai ka thënë se puna audituese është kryer në mënyrë të rregullt dhe të gjitha mostrat e planifikuara janë testuar.

Ndërkaq kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka bërë me dije se pas pranimit të raportit të auditorit është hartuar plani i veprimit për zbatimin e rekomandimeve. Sa i përket vonesave për  pagesat e  faturave dhe shpenzimeve të tjera, Haskuka ka bërë me dije se janë duke krijuar një program digjital përmes së cilit do të përcillet i gjithë proces që nga lëshimi i faturës deri të dorëzimi i saj në thesar.

Kurse Visar Prebreza nga BIRN-i, ka theksuar se raporti i auditimit për Komunën e Prizrenit tregon për punët e mira që janë bërë, por edhe evidenton disa shkelje të cilat duhet të adresohen sa më shpejtë, dhe njëra prej tyre është borxhi i komunës ndaj operatorëve ekonomik.

Ai ka thënë se Prizreni ka ulur numrin e rekomandimeve në dy vitet e fundit nga 23 në 15 rekomandime. Prebreza ka vlerësuar se kjo komunë nuk qëndron keq edhe me zbatimin e rekomandimeve, por sipas tij, duhet të vazhdohet edhe më tutje të punohet në adresimin e gjetjeve dhe zbatimin e rekomandimeve.  Prebreza ka theksuar se ekzekutimi i buxhetit vazhdon të jetë problem, prandaj duhet shikuar shkaqet që po ndikojnë në suficit, sidomos për investimet kapitale.

Ky debat është organizuar nga BIRN Kosova në  kuadër të Projektit me USAID TEAM i cili ju ka ndihmuar komunave që t’i zbatojnë rekomandimet e auditorit. Debati ka për qellim ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e raporteve të auditimit dhe zbatimin e rekomandimeve.

Të ngjashme