Kthehu te lista
16 Nëntor 2021

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrtoi Planin Vjetor të Auditimit 2021/22

AP ne KMFP - PVA

Plani Vjetor i Auditimit për sezonin 2021/22 i Zyrës Kombëtare të Auditimit është shqyrtuar të martën në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike. Para deputetëve Plani në mënyrë të detajuar është prezantuar nga Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës Vlora Spanca.

Fillimisht znj. Spanca i ka siguruar deputetët se nën udhëheqjen e saj ZKA-ja do të kryej auditime cilësore dhe me interes për Kuvendin, qytetarët si dhe në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit. “Zyra Kombëtare e Auditimit tashmë ka përvojën e mjaftueshme t’i kryej detyrat e veta, por gjatë mandatit tim mendoj se mund t’i realizojë në mënyrë edhe më efikase dhe më efektive”, është shprehur znj. Spanca.

Më pas Auditorja e Përgjithshme ka prezantuar Planin Vjetor të Auditimit, duke bërë më dije se për sezonin auditues 2021/2022 janë planifikuar 131 auditime dhe 4 auditime te papërfunduara nga sezoni i kaluar. Prej tyre janë 118 auditime financiare dhe te pajtueshmërisë për pasqyrat financiare për vitin 2021 përfshirë auditimin e raportit vjetor financiar të Qeverisë së Republikës së Kosovës, pasqyrave financiare për institucionet publike siç janë: ministritë, institucionet e pavarura, komunat, ndërmarrjet publike si dhe fondet e donatorëve. Tek auditimet financiare dhe të pajtueshmërisë të institucioneve publike është përfshirë edhe auditimi i pasqyrave financiare të Radio Televizionit të Kosovës.

Tutje znj. Spanca ka treguar se përzgjedhja e ndërmarrjeve publike për auditim është bërë bazuar në madhësinë e buxhetit, kompleksitetin e ndërmarrjeve, nivelin e përfaqësimit, rrezikun e auditimit, llojit të veprimtarive dhe interesin e publikut.

Ndërsa sa i përket auditimeve të performancës, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se janë 10 auditime performancës dhe se këtë vit auditimet e performancës janë shtrirë edhe tek Ndërmarrjet Publike si Korporata Energjetike e Kosovës, KOSTT-i dhe Trepça e po ashtu edhe auditimi i performancës se Radio Televizionit të Kosovës.

Të ngjashme