Kthehu te lista
26 Maj 2021

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar Raportin Vjetor të Performancës së ZKA-së për vitin 2020

KMFP AP
Raporti Vjetor i Performancës i Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2020 është shqyrtuar të mërkurën nga Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Me këtë rast Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani ka prezantuar në mënyrë të detajuar aktivitetin, të arriturat dhe sfidat e ZKA-së gjatë vitit 2020, si dhe u është përgjigjur interesimit të deputetëve për çështjet e parashtruara.

Osmani ka thënë se pavarësisht se viti 2020 ka qenë sfidues për shkak të ndikimit të pandemisë COVID  19, ZKA-ja ka arritur t’i përmbush të gjitha kërkesat dhe afatet ligjore për punën  audituese, duke forcuar mbulueshmërinë dhe cilësinë e auditimit. “Gjatë vitit  2020 kemi kryer numrin më të lartë të auditimeve të rregullsisë (financiare dhe të pajtueshmërisë) që nga themelimi i ZKA-së. Kemi audituar 95 organizata buxhetore me një buxhet të përgjithshëm rreth 2.5 miliardë euro; 14 ndërmarrje publike kryesisht në fushën e telekomunikimit, furnizimit me ujë dhe trajtimit të mbeturinave; 8 auditime të performancës me  fokus tema komplekse, si dhe 9 projekte të financuara nga fondet e donatorëve”, ka deklaruar Osmani, duke shtuar se përmes rekomandimeve praktike, ZKA-ja ka shtrirë më tej ndikimin e saj, ku është vërejtur një progres i lehtë në rritjen e shkallës së zbatimit të rekomandimeve të auditimit.

Ai ka treguar se paralelisht me realizimin e planit të auditimit, gjatë vitit 2020 Zyra Kombëtare e Audiitmit ka përditësuar doracakët dhe letrat e punës sipas Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit dhe praktikave të mira ndërkombëtare si dhe ka digjitalizuar procesin e punës audituese ku kemi lancuar sistemin elektronik të auditimit SITA, përmes së cilit do të racionalizohet koha në auditim, rritet cilësia dhe siguria e auditimeve dhe forcohet transparenca.

Gjithashtu në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile, mediat dhe partnerët ndërkombëtar, ZKA-ja ka hartuar strategjinë e komunikimit, si mjet thelbësor për promovimin e praktikave të mira, të llogaridhënies dhe rritjen e transparencës.

Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, ka njoftuar deputetët se një prej të arriturave më të rëndësishme, që e ka karakterizuar performancën e Zyrës Kombëtare të Auditimit në rrafshin ndërkombëtar gjatë vitit 2020, është anëtarësimi me të drejta të plota në dy organizata ndërkombëtare, Organizatën Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI) dhe në Organizatën Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI).  “Integrimi i ZKA-së në organizatat ndërkombëtare, përbën suksesin më të madh në historinë e auditimit të jashtëm, të sektorit publik të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Osmani.

Gjatë prezantimit të Raportit Vjetor të Performancës Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani i ka siguruar anëtarët e Komisionit se Zyra Kombëtare e Auditimit do të përmbush mandatin e vet kushtetues dhe ligjor duke i ofruar Kuvendit të Republikës së Kosovës auditime cilësore dhe profesionale.

Anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike kanë bërë pyetje të shumta dhe vërejtje gjatë shqyrtimit të Raportit Vjetor të Performancës së ZKA-së për vitin 2020.

Për më shumë raportin e gjeni në këtë vegzë.

Të ngjashme