Kthehu te lista
01 Nëntor 2021

Gazeta e INTOSAI-t shkruan për emërimin e Auditores së Përgjithshme të Republikës së Kosovës

AP ne gazeten e INTOSAI-t

Organizata Ndërkombëtare e Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI) ka publikuar edicionin vjeshtor të gazetës së saj. Në pjesën e lajmeve për Institucionet Supreme të Auditimit shkruan edhe për emërimin e Auditores së Përgjithshme të Republikës së Kosovës, Vlora Spanca.

Në këtë lajm është theksuar se Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca është e përkushtuar që të vazhdojë të forcojë rolin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në sektorin publik.

Tutje thuhet se nën udhëheqjen e saj, ZKA-ja si anëtar i INTOSAI-t dhe Organizatës Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI)- do të vazhdojë gjithashtu të kontribuojë në mënyrë aktive në përpjekjet bashkëpunuese për zhvillimin e kompetencës profesionale dhe shkëmbimin e përvojave në zbatimin e standardeve të auditimit.

Gjithashtu gazeta ka shkruar edhe për përvojën e znj. Spanca në auditimin e sektorit publik në veçanti për angazhimin e saj 14-vjecar në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës.

“Zonja Spanca ka 14 vite përvojë në auditimin e sektorit publik, 12 prej të cilave në poste drejtuese. Para zgjedhjes së saj Auditore e  Përgjithshme, znj. Spanca shërbeu për katër vjet si Ndihmës Auditore e Përgjithshme e ZKA-së. Gjatë kësaj periudhe, ajo ishte përgjegjëse për disa departamente auditimi, duke përfshirë auditimin e performancës, auditimin e teknologjisë së informacionit dhe auditimin e prokurimit, si dhe për mbikëqyrjen e auditimeve financiare të projekteve të financuara nga donatorët”, është thënë në artikullin e prezantuar në gazetë.

“Nga viti 2009 deri në vitin 2016, znj. Spanca ishte Drejtuese e Departamentit të Auditimit të Rregullsisë (financiare dhe përputhshmërisë), i cili përfshin ministritë dhe institucionet e pavarura. Nga viti 2015 deri në vitin 2016 ka qenë përgjegjëse për auditimin e Pasqyrave Vjetore Financiare të Buxhetit të Kosovës. Znj. Spanca gjithashtu ka koordinuar zbatimin e iniciativave të ndryshme për ngritjen e kapaciteteve. Znj. Spanca, është Auditore e Certifikuar në Sektorin Publik, ka diplomuar në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës. Ajo ka kryer shumë trajnime për kontabilitet, auditim, administratë publike, lidership dhe prokurim publik, si dhe ka marrë pjesë në konferenca dhe seminare të shumta ndërkombëtare”, është thënë ndër të tjera në lajmin e publikuar në edicionin vjeshtor të gazetës së INTOSAI-t.

Kjo gazetë botohet çdo tre muaj në 5 gjuhë të botës si botim zyrtar i INTOSAI-t dhe ka për qëllim mbështetjen e auditimit të jashtëm dhe promovimin e llogaridhënies.

Edicionin vjeshtor të gazetës së INTOSAI-t mund ta lexoni në këtë vegëz.

 

Të ngjashme