Kthehu te lista
27 Nëntor 2021

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca uron homologun Arben Shehu për 109-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

28 nentori

Në prag të shënimit të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe 109-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Shqipërisë, Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, i ka dërguar letër urimi kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), Arben Shehu.

“Në emrin tim personal dhe në emër të Zyrës Kombëtare të Auditimit, ju shpreh urimet më të përzemërta me rastin e shënimit të Ditës së Flamurit dhe 109-të vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Shqipërisë. Gjatë vizitës sime të fundit në Kontrollin e Lartë të Shtetit u ndjeva tejet e nderuar me mirëpritjen vëllazërore dhe nivelin më të lartë të partneritetit bilateral dhe miqësisë në mes të institucioneve tona”, është thënë ndër të tjera në urimin e znj. Spanca.

Me këtë rast Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca ka rikonfirmuar përkushtimin personal dhe institucional për thellimin e mëtutjeshëm të raporteve në mes të dy institucioneve.

“Njëkohësisht, jam e bindur se lidhja natyrale mes vendeve tona dhe interesi i përbashkët profesional dhe kombëtar na çon drejtë avancimit të qëndrueshëm të bashkëpunimit në mes institucioneve tona në të gjitha fushat e interesave të përbashkëta.  Edhe një herë, në këtë ditë të veçantë, ju shpreh urimet më të mira për mirëqenien tuaj dhe kolegëve të KLSh-së, si dhe atë të popullit shqiptar!”, është theksuar në urimin e Auditores së Përgjithshme dërguar homologut të saj shqiptar Arben Shehu.

Të ngjashme