Kthehu te lista
20 Shtator 2021

Auditorja e Përgjithshme priti në takim përfaqësuesit e Sindikatës së ZKA-së

Takimi AP - Sindikata

Kryetari i Sindikatës së Zyrës Kombëtare të Auditimit, Ramadan Gashi, i shoqëruar nga nënkryetarët Fikret Ibrahimi dhe Muhamet Balaj, janë pritur të hënën në takim nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, me të cilën kanë diskutuar për çështjet me interes të përbashkët, në veçanti për  zhvillimin e dialogut social brenda institucionit.

Fillimisht ata kanë uruar Auditoren e Përgjithshme për fillimin e mandatit kushtetues dhe njëherësh kanë shprehur gatishmëri për bashkëpunim të ndërsjellë, me qëllim të avancimit të të drejtave sociale dhe ekonomike të punonjësve të Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Më pas diskutimi u fokusua në çështjen e zgjidhjes së qëndrueshme për objektin e ZKA-së që rrjedhimisht do të rezultonte me kushte me të mira të punës për gjithë punonjësit e ZKA-së, e cila vazhdon  të jetë kërkesë dhe shqetësim sindikal i punëtorëve të ZKA-së. Me këtë rast Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, është zotuar se do të angazhohet maksimalisht në zgjidhjen e problemit të objektit të ZKA-së.

Po ashtu është diskutuar edhe për procesin e rishikimit të kornizës së brendshme rregullative të ZKA-së, për të cilin është thënë se ishte transparent si dhe ka mundësuar që punonjësit të japin kontributin e tyre në të mirën e institucionit, në shërbim të organizimit funksional të ZKA-së dhe punës audituese cilësore.

Auditorja e Përgjithshme dhe sindikata u dakorduan për vazhdim të bashkëpunimit me qëllim të arritjes së objektivave të përbashkëta, në avancimin e të drejtave të punëtorëve dhe forcimin e kapaciteteve të ZKA-së.

Të ngjashme