Kthehu te lista
09 Nëntor 2021

Auditorja e Përgjithshme pret në vizitë Ambasadorin Tomáš Szunyog

Vizita e shefit te BE

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, priti sot në vizitë ambasadorin Tomáš Szunyog, njëherësh Shef i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësues Special i BE-së në Kosovë. Në këtë rast, znj. Spanca informoi ambasadorin Szunyog rreth aktiviteteve të tanishme në Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA) me nisjen e sezonit të ri të auditimit 2021/22 si dhe rreth vizionit strategjik për të ardhmen e ZKA-së. Duke paraqitur rezultatet e auditimit, znj. Spanca vuri theksin mbi auditimin e performancës për Covid-19, i cili është duke u finalizuar dhe raportet e të cilit do të publikohen së shpejti.

Tutje, Auditorja e Përgjithshme falënderoi z. Szunyog për bashkëpunimin mes Zyrë së BE-së në Kosovë me ZKA-në si dhe shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen e vazhdueshme që BE-ja i ka dhënë ZKA-së, veçanërisht në ngritjen e kapaciteteve.

Z. Szunyog uroi znj. Spanca për rolin e saj të ri dhe shprehu vlerësimin që BE-ja ka për ZKA-në si një partner kyç në Kosovë për të kërkuar llogaridhënie nga institucionet publike jo vetëm për mënyrën si e shpenzojnë ata paranë publike, por edhe për performancën e tyre. Këto janë aspekte kyçe të procesit të reformës në administratën publike, të cilën është duke e mbështetur BE-ja.

Të dyja palët konsideruan se Raporti i Progresit për Kosovën për vitin 2021 e pranon progresin e bërë nga ZKA-ja, megjithëse e thekson se është e rëndësishme që organizatat buxhetore dhe ndërmarrjet publike të punojnë më shumë në drejtim të zbatimit të rekomandimeve të auditimit për një menaxhim më të mirë të parasë publike dhe përmirësim të performancës së administratës publike në tërësi.

Të ngjashme