Kthehu te lista
21 Dhjetor 2021

Auditorja e Përgjithshme e mirëpret iniciativën e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike për mekanizmat shtesë për zbatimin e rekomandimeve të auditimit

AP ne KPMF - Zbatimi i rekomandimeve

Anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP) në mbledhjen e së martës kanë diskutuar për rritur fokusin në mbikëqyrjen e zbatimit të rekomandimeve të dhëna nga Zyra Kombëtare e Auditimit për organizatat buxhetore. E pranishme në këtë mbledhje ishte edhe Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, për të ofruar më shumë informata rreth çështjeve të ngritura nga anëtarët e KMFP-së.

Deputetët dhe Auditorja e Përgjithshme kanë diskutuar për gjetjen e praktikave më të mira për të nxitur zbatimin e rekomandimeve të auditimit, meqë ky është edhe qëllimi i përbashkët.

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca ka thënë se pavarësisht se ka një rritje të nivelit të zbatimit të rekomandimeve të auditimit, nga 40 në 45% në nivel të përgjithshëm për vitin 2019, kjo rritje nuk është e kënaqshme dhe pret që institucionet të angazhohen më seriozisht që rekomandimet e dhëna në vitin 2020 të zbatohen në tërësi.

Znj. Spanca ka theksuar se për të rritur nivelin e zbatimit të rekomandimeve, nevojitet të shtohet kujdesi dhe përgjegjësia në kryerjen e detyrave zyrtare, masa shtesë nga ana e qeverisë ndaj organizatave buxhetore si dhe forcimi i masave të llogaridhënies nga Kuvendi i Kosovës dhe Asambleve Komunale.

Në këtë takim është theksuar se fokusi i punës së Komisionit mbetet rritja e nivelit të zbatimit të rekomandimeve. Për këtë qëllim, anëtarët e komisionit kanë vendosur të vizitojnë disa institucione, veçanërisht ato të cilat kanë opinion të auditimit të kualifikuar, në mënyrë që të informohen për së afërmi me ngecjet gjatë procesit të adresimit të rekomandimeve.

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike gjatë këtij viti ka shqyrtuar 27 raporte të auditimit të perfomancës dhe të pasqyrave vjetore financiare për institucionet publike.

Të ngjashme