Kthehu te lista
17 Janar 2022

Auditorja e Përgjithshme dhe Avokati i Popullit realizuan një takim virtual me Avokatin e Popullit dhe Auditorin e Përgjithshëm të Izraelit

AP dhe Auditorja e Pergjithshme online me Ombudsmanin nga Izraeli

Auditorja e Përgjithshme znj. Vlora Spanca dhe Avokati i Popullit, z. Naim Qelaj realizuan një takim njoftues virtual me z. Matanyahu Engelman, Auditor dhe Avokat i Popullit të Izraelit si dhe znj. Dr. Esther Ben-Haim, Shefe e Zyrës së Avokatit të Popullit në Izrael.

Auditorja e Përgjithshme znj. Spanca dhe Avokati i Popullit z. Qelaj e njoftuan homologun e tyre lidhur me rolin, mandatin dhe bazën kushtetuese dhe ligjore mbi të cilën realizojnë misionin e tyre, por gjithashtu edhe për sfidat me të cilat përballën dhe mundësitë dhe vizionin e tyre për t’i trajtuar ato në ardhmen.

Në anën tjetër, z. Matanyahu dhe znj. Ben- Haim, prezantuan mandatin dhe punën e tyre dhe gjithashtu njoftuan lidhur me organizimin unik të këtij institucioni në Izrael, në të cilin institucioni i Avokatit të Popullit dhe Auditorit Shtetëror veprojnë nën të njëjtën ombrellë, të ndara në dy departamente të veçanta, njëri sa i përket auditimit dhe tjetri për trajtimin e ankesave lidhur me të drejtat e njeriut. Ata njoftuan që ky institucion u themelua në vitin 1949, i cili në baza vjetore auditon 1500 autoritete shtetërore, lëshon 120 raporte të auditimit dhe pranon 18,000 ankesa. Ata tutje shtuan se me kënaqësi mirëpresim iniciativa të shkëmbimit të stafit përmes organizimit të tryezave të diskutimit për tematika të auditimit në fusha me interes për qytetaret.

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës e falënderoi homologun e saj izraelit për takimin dhe e mirëpriti gatishmërinë e tij për bashkëpunim në të ardhmen. Marr parasysh përvojën shumëvjeçare të Auditorit Shtetëror të Izraelit në fushën e auditimit publik si dhe rolin që ky institucion ka në komunitetin ndërkombëtarë të auditimit si INTOSAI dhe EUROSAI, Auditorja e Përgjithshme mirëpret forcimin e bashkëpunimit me qëllim të rritjes së ndikimit të punës së ZKA-së në përmirësimin e menaxhimit të fondeve publike në Kosovë.

Të ngjashme