Kthehu te lista
08 Qershor 2021

Auditori rekomandon rritjen e sigurisë dhe integritetit të sistemeve të informacionit në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë

Raporti i performances AZhB MBPZhR

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) të martën ka publikuar raportin e auditimit të teknologjisë së informacionit “Sistemet elektronike për menaxhimin e granteve dhe subvencioneve në AZhB-MBPZhR”. Auditimi është kryer në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë e cila është në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe ka rol ekzekutiv me qëllim të zbatimit të programeve për mbështetjen e bujqësisë dhe zhvillimit rural.

Ky auditim përfshin periudhën 2018-2020 dhe kishte për qëllim të vlerësojë nëse sistemet e informacionit për menaxhimin e granteve dhe subvencioneve bujqësore kanë arritur qëllimin e tyre dhe nëse sigurojnë integritetin, vlefshmërinë dhe besueshmërinë e të dhënave gjatë përpunimit të tyre.

Me vënien në funksion të këtyre aplikacioneve, Agjencia ka arritur që të menaxhoj më me lehtësi proceset për mbështetjen financiare të fermerëve dhe ato kanë ndikuar në rritjen e transparencës. Megjithatë, auditimi ka nxjerrë në pah mangësi të theksuara lidhur me qeverisjen e  teknologjisë së informacionit si dhe në sigurimin e integritetit, vlefshmërisë dhe besueshmërisë së të dhënave që përmbajnë këto aplikacione.

Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë nuk kishte hartuar planin strategjik apo strategjinë e teknologjisë së informacionit dhe as politikat dhe procedurat e teknologjisë së informacionit. AZhB-ja  poashtu nuk kishte bërë shpërndarjen e burimeve financiare dhe njerëzore sipas nevojave të saj dhe kishte krijuar varësi nga palët e treta duke rrezikuar disponueshmërinë, integritetin dhe besueshmërinë e proceseve të teknologjisë së informacionit.

Në aplikacionet që përdor Agjencia nuk ishin vendosur kontrolle për t’u siguruar që ato pranojnë vetëm të dhëna të autorizuara, të sakta dhe të plota. Si pasojë, bazat e shënimeve përmbanin të dhëna jo të sakta. Poashtu, mangësi janë vërejtur edhe në sigurinë e sistemeve të informacionit të cilat rrezikojnë që infrastruktura dhe sistemet të jenë të pasigurta dhe të cenueshme kundrejt gabimeve dhe keqpërdorimeve të mundshme dhe ekziston rreziku që të ndryshohen të dhënat e ruajtura në bazat e të dhënave pa u identifikuar.

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, lidhur me këtë auditim ka theksuar që rezultatet e auditimit tregojnë se aplikacionet që ka në shfrytëzim Agjencia nuk i përmbajnë standardet e kërkuara që të menaxhojnë në mënyrë efikase dhe të sigurt proceset për shpërndarjen e granteve dhe subvencioneve bujqësore.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar Ministrin  e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të ndërmarrë veprime të menjëhershme për koordinimin e aktiviteteve me Agjencinë e Zhvillimit të Bujqësisë në mënyrë që të siguroj qeverisje të mirë dhe integritet të sistemeve të informacionit.  Për këtë ZKA-ja ka dhënë 16 rekomandime.

Raportin e plotë mund ta lexoni këtu.

Të ngjashme