Kthehu te lista
16 Qershor 2021

Auditori rekomandon përmirësime në administrimin dhe sigurinë e Sistemit për Menaxhimin Informativ të Lëndëve në Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës

KOMUNIKATEPERMEDIA-01

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) të mërkurën ka publikuar raportin e auditimit të teknologjisë së informacionit “Sistemi për Menaxhimin Informativ të Lëndëve në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK)”. Auditimi kishte për qëllim vlerësimin e sigurisë dhe administrimit të sistemit informativ për menaxhimin e lëndëve, nëse është duke ofruar informacione të besueshme, me integritet dhe në kohë.

Projekti ka filluar të realizohet në qershor të vitit 2015 dhe ka për objektivë zëvendësimin e punës manuale duke mundësuar procesimin dhe menaxhimin elektronik të lëndëve në gjykata dhe prokurori si dhe rritjen e efikasitetit dhe transparencës. Po ashtu, mundëson përpunimin e të dhënave në kohë reale, lehtësimin e ofrimit të shërbimeve për zyrtarët e institucioneve dhe eliminimin e shkëmbimit të të dhënave në kopje fizike. Ky sistem është ende në fazën e zhvillimit dhe avancimit të mëtejmë për zbatimin në të gjitha instancat e gjykatave dhe prokurorive.

Pavarësisht përparimit të vazhdueshëm në SMIL në KGjK  dhe KPK, rezultatet e auditimit kanë treguar që ende nuk është realizuar shtrirja e plotë e zbatimit të këtij sistemi në të gjitha instancat në gjykata dhe prokurori. Shpërndarja automatike e lëndëve në gjykatë dhe prokurori, ndërveprimi i SMIL-it të prokurorisë dhe gjykatës për të gjitha shkresat dhe raportet statistikore me tregues të avancuar janë disa nga zhvillimet që duhet të finalizohen plotësisht. Përveç këtyre, ende nuk është hartuar strategjia e teknologjisë së informacionit në KGjK dhe procedurat standarde të operimit nuk kanë arritur të zbatohen plotësisht në KPK.

Këto mangësi mund të ndikojnë në administrimin jo të mirë të SMIL dhe pasqyrimin jo të saktë të efikasitetit, transparencës dhe planifikimit të burimeve të nevojshme në gjykata dhe prokurori.

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, lidhur me këtë auditim ka vlerësuar se zbatimi i plotë i Sistemit për Menaxhimin Informativ të Lëndëve është kritik për të përmbyllur këtë projekt me sukses. Përmes tij gjykatat dhe prokuroritë mund të marrin përfitimet e synuara në procesimin dhe menaxhimin e lëndëve.

Duke marrë parasysh rëndësinë e sistemit të drejtësisë për shtetin dhe në veçanti për qytetarët, Zyra Kombëtare e Auditimit për adresimin e shpejtë të çështjeve të qeverisjes së teknologjisë së informacionit dhe sigurisë së sistemeve të informacionit ka dhënë 16 rekomandime për KGjK  dhe 14 për KPK.

Raportin e plotë mund ta lexoni këtu.

Të ngjashme