Kthehu te lista
14 Korrik 2021

Auditori i Përgjithshëm mori pjesë në tryezën “Ndikimi i subvencioneve dhe granteve në prodhimin bujqësor”

AP ne tryezen e GAP-it

Instituti GAP ka mbajtur tryezën e  diskutimit me temën “Ndikimi i subvencioneve dhe granteve në prodhimin bujqësor” ku u prezantua Raporti për grante dhe ai për subvencione. Në këtë tryezë morën pjesë drejtori i hulumtimeve në Institutin GAP, Jeton Mehmeti,  Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, kryetarja e Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë si dhe Gentian Gashi hulumtues në GAP.

Drejtor i hulumtimeve në Institutin GAP, Jeton Mehmeti, ka thënë se raporti ka pasur për qëllim analizimin e politikave zhvillimore për bujqësinë, duke qenë se bujqësia luan një rol të rëndësishëm në përmirësimin e bilancit tregtar, rritjen e punësimit dhe zhvillimin ekonomik. Por, përkundër skemave mbështetëse financiare nga ana e Qeverisë së Kosovës, të dhënat tregojnë se nuk janë arritur rezultatet e pritura.

Ndërsa Auditor i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, ka thënë se  Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) duke pas parasysh rëndësinë e sektorit të bujqësisë në zhvillimin ekonomik të vendit, përveç që në baza vjetore kryen auditimin e rregullsisë për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, poashtu ka kryer edhe dy auditime të veçanta të performancës dhe teknologjisë së informacionit, ˝Procesi i Menaxhimit të Granteve dhe Subvencioneve në Sektorin e Bujqësisë˝ dhe ˝Sistemet elektronike për menaxhimin e granteve dhe subvencioneve në AZhB-MBPZhR˝.

Osmani ka theksuar se gjetjet e këtyre raporteve, tregojnë se ka nevojë për përmirësime në të gjitha proceset,  që nga pikëpamja strategjike, e planit operativ, mungesën e monitorimit dhe vlerësimit të ndikimit që kanë grantet dhe subvencionet në sektorin e bujqësisë. Pra, ZKA-ja ka identifikuar se ka politika jo adekuate, menaxhim jo të duhur të fondeve, koordinim minimal mes nivelit qendror dhe njësive respektive si dhe komunave.

Ai ka shtuar se gjithashtu mungon sistemi adekuat për matjen e rezultateve dhe monitorimin e përmbushjes së kontratave dhe se qëllimi nuk është zvogëlimi i fondeve për sektorin bujqësor, por përmirësimi i procesit së dhënies së këtyre fondeve.

Tutje Osmani ka deklaruar se rezultatet e auditimit tregojnë se aplikacionet e teknologjisë së informacionit nuk i përmbajnë standardet e kërkuara që të menaxhojnë në mënyrë efikase dhe të sigurt proceset për shpërndarjen e granteve dhe subvencioneve bujqësore.

Lidhur me këto mangësi Osmani ka bërë me dije se ZKA-ja ka dhënë  36 rekomandime, zbatimi i së cilave do të përmirësojë gjendjen në këtë sektor. Këto rekomandime janë po aq të rëndësishme edhe për Komisionin për Bujqësi sepse i sjellin një informacion të detajuar se cilat janë çështjet e rëndësishme që kërkojnë intervenim dhe Kuvendi duhet t’i mbaj në llogaridhënie Qeverinë për t’i adresuar këto rekomandime.

Kurse Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë në Kuvendin e Kosovës, Fitore Pacolli,  ka thënë se deri tani bujqësia nuk është trajtuar si sektor për mbrojtjen e ushqimit, prandaj janë duke u rishikuar një mori ligjesh ekzistuese. Ajo ka thënë se Komisioni është  në angazhim të vazhdueshëm me ministrinë për krijimin e strategjive të reja të cilat do të mundësonin edhe akreditimin në mënyrë që të shfrytëzohen edhe fondet e Bashkimit Evropian.

Ndërkohë  Gentian Gashi, hulumtues në Institutin GAP, ka prezantuar të gjeturat e raportit duke theksuar se nga viti 2015 deri më 2019 janë shpërndarë rreth 134.7 milionë euro në pagesa direkte (subvencione) dhe 104.5 milionë euro grante nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) në prodhime bujqësore. Mungesa e arritjes së rezultateve të pritura përkundër përkrahjes së lartë financiare vë në pikëpyetje efektshmërinë e politikave bujqësore apo mënyrën e shpërndarjes së tyre.

Saranda Ramaj, Gazetare në “Koha Ditore” ka shprehur shqetësimin se dëmi mund të jetë ende më i lartë, duke i parë rastet e fundit korruptive të administratës në Ministrinë e Bujqësisë, ku raportet ekzistuese mund të tregojnë vlera jo reale.

Të ngjashme