Kthehu te lista
27 Maj 2021

Auditori i Përgjithshëm Besnik Osmani mori pjesë në Konferencën “Pavarësia e Institucioneve Supreme të Auditimit”

Lajmi Konferenca 27.05.2021

Drejtuesit e Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) të enjten kanë marrë pjesë në konferencën online “Pavarësia e Institucioneve Supreme të Auditimit” të organizuar nga Institucioni Suprem i Auditimit të Polonisë, në të cilën është diskutuar për rëndësinë e pavarësisë institucionale.

Në këtë konferencë përvojat e tyre i kanë ndarë drejtuesit e Institucioneve Supreme të Auditimit të vendeve evropiane si Polonia, Norvegjia, Hungaria, Bullgaria, Malta,  Moldova, Rumania, Turqia, Ukraina, Kroacia dhe Kosova, si dhe përfaqësues nga Iniciativa për Zhvillim e INTOSAI-t. (IDI)

Punimet e kësaj konference i ka ndjekur edhe Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani. Në prezantimin e tij, Osmani ka thënë se Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, sipas Kushtetutës, është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik dhe financiar në Republikën e Kosovës, dhe ushtron mandatin, funksionet dhe përgjegjësitë e tij funksionale, financiare dhe operacionale në mënyrë të pavarur.

“Një Institucion Suprem i Auditimit, për  të përmbushë misionin dhe të rrisë ndikimin e tij për një jetë më të mirë të qytetarëve duhet të jetë vazhdimisht i vetëdijshëm për sfidat e mundshme për pavarësinë e tij në të gjitha aspektet, funksionalisht, financiarisht dhe operacionalisht”, ka deklaruar Osmani.

Tutje Osmani ka theksuar se përkundër se operon në një mjedis të brishtë dhe sfidues, Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës ka qenë në gjendje të përmbushë mandatin e saj dhe në vazhdimësi ka dorëzuar dhe botuar raporte të auditimit me profesionalizëm dhe të rëndësisë së veçantë.

Osmani ka treguar se megjithatë në disa raste ZKA-ja ka hasur në vështirësi dhe përpjekje për të ndërhyrë në punën dhe mandatin e saj, siç ka qenë rasti në vitin 2019, ku me Ligjin për Zyrtarët Publik është rrezikuar pavarësia  e Auditori të Përgjithshëm lidhur me çështjet që ndërlidhen me strukturën organizative, funksionimin, klasifikimin e pozitave të punës dhe kriteret e rekrutimit të stafit të ZKA-së por që është tejkaluar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. “Ky vendim ka rikonfirmuar vendosjen e drejtpërdrejtë të pavarësisë funksionale dhe organizative të Auditorit të Përgjithshëm në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe më në fund ka shmangur diskutimet e mëtejshme dhe mosmarrëveshjet e mundshme”, ka thënë Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani.

Po ashtu Auditorët e Përgjithshëm të vendeve pjesëmarrëse kanë prezantuar përvojat e vendeve të tyre dhe ka qenë konkludim i përbashkët që përpjekjet për ndërhyrje janë të vazhdueshme dhe gjerësisht të shprehura në shumë vende por të përhershme duhet të jenë edhe përpjekjet e ISA-ve që t’i parandalojnë dhe mënyra më e mirë është aleanca me mediat dhe shoqërinë civile.

Të ngjashme