Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
9/1/2026 7:16:00 PM

Auditorja e Përgjithshme: Forcimi i llogaridhënies dhe rritja e zbatimit të rekomandimeve duhet të jenë prioritet i institucioneve publike

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) të martën publikoi Raportin Vjetor të Auditimit (RVA) për vitin 2025, i cili përmbledh rezultatet e 131 auditimeve të realizuara gjatë sezonit auditues 2025/2026 dhe paraqet çështjet kryesore të identifikuara në menaxhimin e financave publike, pajtueshmërinë dhe performancën e institucioneve publike. Raporti, gjithashtu përmban rezultatet dhe opinionin e auditimit të “Raporti Vjetor Financiar i Buxhetit të Republikës së Kosovës” për vitin 2025. Në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor Raporti është dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës. 

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2025, ka dhënë opinion të kualifikuar. Çështjet kryesore të identifikuara në auditimet individuale të organizatave buxhetore të cilat janë reflektuar në Pasqyrat e Buxhetit të Shtetit dhe kanë ndikuar në kualifikimin e opinionit të auditimit janë: klasifikimi joadekuat i shpenzimeve në vlerë prej 77milionë euro, mbivlerësimi i pasurive në vlerë mbi 33milionë euro, mbivlerësim i detyrimeve kontingjente mbi 29 milionë euro, nënvlerësim i llogarive të arkëtueshme mbi katër milionë euro si dhe mbivlerësimi i detyrimeve të papaguara mbi dy milionë euro. 

Lidhur me mangësitë e identifikuara nga 131 auditime ZKA ka dhënë 1,032 rekomandime, prej të cilave 412 për nivelin lokal, 230 për nivelin qendror, 182 për ndërmarrjet publike, 169 për auditimet e performancës si dhe 39 për auditimet e pajtueshmërisë. Fushat me numrin më të madh të rekomandimeve lidhen me pasuritë, investimet kapitale, mallrat dhe shërbimet, llogaritë e arkëtueshme, të hyrat dhe pagat. 

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, vlerësoi se forcimi i llogaridhënies dhe rritja e zbatimit të rekomandimeve duhet të jenë ndër prioritetet e institucioneve publike. Ajo u bëri thirrje drejtuesve të institucioneve publike që të ndërmarrin masa konkrete dhe në kohë për adresimin e gjetjeve dhe rekomandimeve të auditimit si dhe trajtimin e rasteve me dyshime potenciale për mashtrim.  

“Auditimi mund të identifikojë problemet dhe të tregojë se çfarë duhet përmirësuar, por ndryshimi real varet nga veprimet që ndërmerren pas auditimit. Inkurajoj Kuvendin e Republikës së Kosovës që rezultatet e auditimeve t’i përdorë në mënyrë më aktive për të forcuar mbikëqyrjen dhe llogaridhënien e institucioneve”, deklaroi znj. Spanca. 

RVA për vitin 2025 vë në pah se krahas progresit të shënuar në përmirësimin e cilësisë së raportimit financiar, prezantimin e të dhënave dhe forcimin e kontrolleve të brendshme, niveli i zbatimit të rekomandimeve mbetet i pamjaftueshëm dhe kërkon angazhim të mëtejshëm nga institucionet publike. Nga 766 rekomandime të vlerësuara nga viti 2024, 274 apo 36% ishin zbatuar, 61 apo 8% ishin zbatuar pjesërisht, ndërsa 431 apo 56% nuk ishin zbatuar. 

Raportin Vjetor të Auditimit (RVA) për vitin 2025 e gjeni këtu. 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA: Sistemi arsimor nuk siguron ende mbështetje të barabartë dhe të qëndrueshme për nxënësit me nevoja të veçanta

ZKA: Sistemi arsimor nuk siguron ende mbështetje të barabartë dhe të qëndrueshme për nxënësit me nevoja të veçanta

Zyra Kombëtare e Auditimit ( ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të performancës “Mbështetja e Nxënësve me Nevoja të Veçanta në Shkollat Fillore dhe të Mesme të Ulëta në Kosovë” për periudhën 2022-2025, me fokus në funksionimin e mekanizmave për identifikimin, vlerësimin dhe ofrimin e mbështetjes së nevojshme për nxënësit me nevoja të veçanta arsimore. Subjekt i këtij auditimi kanë qenë  Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA) në Komunën e Prishtinës, Pejës dhe Mitrovicë, si dhe 10 shkolla publike. 

Rezultatet e auditimit tregojnë se sistemi arsimor nuk siguron ende mbështetje të barabartë, të qëndrueshme dhe të bazuar në nevojat reale të nxënësve. Ekipet vlerësuese komunale nuk kanë funksionuar në mënyrë të qëndrueshme, ndërsa kapacitetet profesionale dhe mbështetëse në shkolla, përfshirë asistentët, mësuesit mbështetës, psikologët dhe pedagogët nuk janë të mjaftueshme dhe shpërndarja e tyre nuk mbështetet në analiza të dokumentuara të nevojave. 

Po ashtu auditimi ka evidentuar mangësi në monitorimin dhe koordinimin institucional. Të dhënat për nxënësit me nevoja të veçanta arsimore në Sistemin për Menaxhimin e Informatave në Arsim (SMIA) kanë shfaqur mospërputhje me gjendjen e evidentuar në terren, ndërsa në disa raste mungesa e mbështetjes institucionale është kompensuar nga prindërit përmes angazhimit të asistentëve privatë. 

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se arsimi gjithëpërfshirës nuk nënkupton vetëm përfshirjen e nxënësve në shkollë, por sigurimin e mbështetjes së duhur që u mundëson atyre të zhvillojnë potencialin dhe të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në procesin mësimor. Znj. Spanca tha se rezultatet e auditimit tregojnë se nevojitet një qasje më e koordinuar dhe e bazuar në nevojat reale të nxënësve në mënyrë që mbështetja të jetë e qasshme dhe në kohë për secilin nxënës. 

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dhënë 14 rekomandime me qëllim të  përmirësimit të funksionimit të ekipeve vlerësuese, planifikimit të kapaciteteve mbështetëse, cilësisë së të dhënave dhe monitorimit institucional. 

Raportin e plotë të auditimit të performancës “Mbështetja e Nxënësve me Nevoja të Veçanta në Shkollat Fillore dhe të Mesme të Ulëta në Kosovë” e gjeni këtu.

 

 

Lexo më shumë
Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në vizitën studimore në Autoritetin Kombëtar Italian Kundër Korrupsionit

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në vizitën studimore në Autoritetin Kombëtar Italian Kundër Korrupsionit

Me 1 dhe 2 shtator 2026, Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, mori pjesë në vizitën studimore të delegacionit të Kosovës në Autoritetin Kombëtar Italian Kundër Korrupsionit (ANAC). Vizita kishte në fokus vlerësimin e rrezikut të korrupsionit në prokurimin publik dhe sistemet e paralajmërimit të hershëm. 

Vizita studimore pati për qëllim shkëmbimin e përvojave dhe njohurive praktike për vlerësimin e rrezikut të korrupsionit në prokurimin publik dhe zhvillimin e sistemit të paralajmërimit të hershëm. Delegacioni i Kosovës u informua për qasjen e ANAC-ut për parandalimin e korrupsionit dhe vlerësimin e bazuar në rrezik, identifikimin e sinjaleve paralajmëruese në prokurimin publik, si dhe përdorimin dhe integrimin e të dhënave për mbikëqyrjen dhe ndërhyrjet parandaluese. 

Në kuadër të agjendës dyditore, pjesëmarrësit diskutuan edhe për bazën kombëtare të të dhënave të kontratave publike, ndërveprueshmërinë e sistemeve, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe përdorimin e të dhënave të hapura në funksion të parandalimit të korrupsionit. 

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, vlerësoi se kjo vizitë përbën mundësi të rëndësishme për të përfituar nga ekspertiza dhe përvoja e konsoliduar e ANAC-ut, duke theksuar vlerën e saj për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve dhe efektivitetit në përmbushjen e mandatit institucional.

Vizita studimore u realizua nën organizimin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit dhe mbështetjen e UNDP-së në Kosovë. 

Lexo më shumë