Kthehu mbrapa
ZKA_Portretet_017

Vlora Spanca

Vlora Spanca është Ndihmës Auditor i Përgjithshëm në Zyrën Kombëtare të Auditimit, që nga muaji gusht i vitit 2017.

Ajo është përgjegjëse për Divizionin e një portofoli të departamenteve të auditimit, që përfshin: Departamentin e Auditimit të Performancës, Departamentin e Auditimit të Performancës dhe Teknologjisë Informativ, si dhe Departamentin e Auditimit për Prokurimin dhe Menaxhimin e Projektit. Po ashtu, ka qenë përgjegjëse për auditimin financiar të projekteve të financuara nga donatorë të ndryshëm, si Banka Botërore dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim. Gjatë periudhës 2017-2019, Spanca ka qenë koordinatore për implementim të projektit të financuar nga Banka Botërore për zhvillimin e kapaciteteve audituese në fushën e prokurimit publik.

Në Zyrën Kombëtare të Auditimit është punësuar në vitin 2007 dhe që nga viti 2009 deri në vitin 2016, Spanca ishte drejtoreshë e Departamentit të Auditimit për auditime të rregullsisë, që përfshin Ministritë dhe Agjencitë e Pavarura të krijuara nga Kuvendi i Kosovës. Gjatë periudhës 2015 – 2016, Spanca ishte përgjegjëse për auditimin e Pasqyrës Vjetore Financiare të Buxhetit të Kosovës.

Para se të punësohej në Zyrën Kombëtare të Auditimit, Spanca ka punuar për katër vjet me Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, për Zyrën e Zëvendës-Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm. Ajo ishte përgjegjëse kryesisht për mbështetjen e veprimtarive administrative për Zyrat Ndërlidhëse me Trupat Mbrojtëse të Kosovës, Strukturën e Përkohshme Administrative të Kosovës, si dhe për Drejtorinë për Çështje Rurale.

Spanca ka përfunduar studimet universitare në drejtimin e Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Është Auditor i certifikuar në sektorin publik dhe është certifikuar si menaxher i cilësisë së sistemit nga “Quality Austria”.