Besnik Osmani, Auditor i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës

BIOGRAFI E PËRMBLEDHUR

Besnik Osmani është Auditor i Përgjithshëm, që nga data 30 mars e vitit 2016 me mandat pesëvjeçar, i zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës pas propozimit nga Presidenti i Republikës së Kosovës.

Para zgjedhjes në këtë pozitë, Osmani ka qenë i përfshirë në mënyrë aktive në shtet-ndërtimin e Kosovës, si dhe në reforma të rëndësisë vitale në sistemin publik të Kosovës. Përgjatë dy dekadave, ka pranuar detyra me përgjegjësi rreth ndërtimit të administratës publike, duke udhëhequr organizata dhe procese të rëndësishme publike në vend.

Për katër mandate rresht, për më shumë se 11 vjet i zgjedhur nga Qeveria e Kosovës, Osmani ka shërbyer si Sekretar i Përgjithshëm i Administrimit të Pushtetit Lokal.

Prej vitit 2005 e deri më 2007, Osmani ka qenë Drejtor i Ndërmarrjes Publike “Ibër Lepenci”, si kompani publike, e cila merret me prodhimin e energjisë dhe sistemin e ujitjes në shkallë vendi.

Osmani, për më shumë se 15 vjet ka qenë shërbyes civil i nivelit të lartë, duke kryer detyra të rëndësishme në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë. Fillimisht, në Thesarin e Kosovës, duke marr pjesë aktive në dizajnimin dhe zbatimin e projektit fundamental të menaxhimit të financave publike dhe raportimit financiar, pastaj si Drejtor i Administratës Publike Qendrore dhe duke vazhduar si Drejtor i Departamentit për Bashkëpunim Ekonomik Ndërkombëtar që në portofolin e tij ka pasur koordinimin e ndihmës ndërkombëtare dhe menaxhimin e borxhit publik.

Osmani ka përvojë edhe në sistemin arsimor në vend dhe jashtë vendit. Për 5 vjet ka qenë i angazhuar në procesin e mësimdhënies në shkollën e Lartë Ekonomike dhe pastaj 3 vite në   Kolegjin AAB në Fakultetin e Administratës Publike në Kosovë.  Po ashtu, Osmani shquhet për pjesëmarrje aktive si prezantues dhe ligjërues mysafir në shumë konferenca e ngjarje ndërkombëtare, përfshirë ligjërimin në Universitetin “Cambridge”.

Krahas pozitave dhe angazhimeve të lartcekura, Osmani ka marrë pjesë edhe në procese të tjera të rëndësishme, të cilat e kanë karakterizuar shtetin e Kosovës gjatë këtyre dekadave. Me vendim të Qeverisë, për 5 vjet ka qenë Koordinator Nacional i Strukturave Operative për Bashkëpunim Ndërkufitar me Shtetet Fqinje, kurse i zgjedhur nga Kuvendi për një mandat ka qenë anëtar në Komisionin Shtetëror për regjistrimin e popullsisë dhe ekonomive familjare.

Paralelisht, që nga viti 2004 kur ka filluar dialogu midis Kosovës dhe Serbisë në Vjenë, Osmani ka qenë anëtar i Grupit të Ekspertëve dhe pastaj përgjatë bisedimeve në Bruksel, që nga viti 2014 ka qenë në Grupin Teknik për Administratë Publike.

Osmani ndër vite ka qenë edhe anëtar i Komitetit Ndërministror për Decentralizim; anëtar i Bordit Drejtues për Reformën në Administratën Publike; Kryesues i Bordit Kombëtar për Riintegrimin e Personave të Riatdhesuar; ekspert për Administratë Publike i angazhuar nga SIGMA dhe si anëtar i Këshillit Evropian për Çështje të Minoriteteve.

Edukimi profesional i Osmanit ndërlidhet me politikat publike, si dhe me administratën publike.

Ai është ekonomist i diplomuar në Universitetin Publik të Kosovës. Pos kësaj, është Magjistër i Shkencave në Politikat Publike dhe Administratë Publike (Instituti për Teknologji Rochester, SHBA, 2011) si bursist i USAID-së si dhe trajner i Certifikuar Ndërkombëtar për Administratë Publike nga Instituti i Vjenës në  Austri,

Në mënyrë të vazhdueshme ka ndjekur programe edukimi e trajnimi të veçanta në fushën e lidershipit dhe menaxhimit, financave publike dhe administratës publike në qendrat më prestigjioze në Evropë dhe SHBA.