Kthehu te lista
07 Shkurt 2020

Zyra Kombëtare e Auditimit prezantoi raportin e performancës ‘Korniza Afatmesme e Shpenzimeve 2018–2020 në sektorin e arsimit dhe të infrastrukturës’

Prezantimi i raportit te KASH 2018 2020

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) sot bëri prezantimin publik të raportit të performancës  “Korniza Afatmesme e Shpenzimeve 2018–2020 në sektorin e arsimit dhe të infrastrukturës”, ku morën pjesë përfaqësuesit e Ministrisë së Financave, Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Zyrës për Planifikim Strategjik në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Kuvendit të Kosovës, shoqërisë civile dhe mediave.

Ndihmës-Auditori i Përgjithshëm, Vlora Spanca, tha se ky raport i auditimit do t’iu shërbejë institucioneve përkatëse që të rrisin llogaridhënien, transparencën, efikasitetin dhe efektivitetin në arritjen e objektivave strategjike përmes një planifikimi të mirëfilltë të aktiviteteve dhe buxhetit.

Më tutje Spanca tha se rezultatet e auditimit kanë nxjerrë në pah se procesi i hartimit të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve (KASH) dhe shfrytëzimi i saj është karakterizuar me disa mangësi  të cilat mund të pengojnë arritjen e objektivave dhe prioriteteve strategjike të vendit.

“Mangësitë janë që nga planifikimi i projekteve jashtë objektivave strategjike, planifikimi i aktiviteteve jashtë kompetencës dhe përgjegjësisë të ministrive, planifikimi i projekteve duke mos u bazuar në analiza të mirëfillta financiare dhe për pasojë të gjitha këto kanë ndikuar në mosefikasitetin e kryerjes së projekteve të cilat janë me rëndësi për qytetarët”, tha Spanca.

Ndërkohë drejtor i Departamentit të Auditimit të Performancës dhe Teknologjisë Informative, Samir Zymberi, tregoi se raporti i auditimit ka mbuluar periudhën e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve për vitin 2018-2020 me fokus viti 2018.

Ai tregoi se procesi i auditimit është zhvilluar në Zyrën e  Kryeministrit përkatësisht Zyrën për Planifikim Strategjik, në Ministrinë e Financave, në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit si dhe në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

“Objektivë kryesore e këtij auditimi ishte që të vlerësojmë nëse Korniza Afatmesme e Shpenzimeve 2018-2020 reflekton objektivat strategjike dhe nëse ka shërbyer si dokument kryesore për hartimin e buxhetit vjetor. Ndërsa me qëllim të përmirësimit të hartimit të KASH-it vijues ZKA-ja ka dhënë 1 rekomandim për Kuvendin e Kosovës dhe 10 rekomandime për palët e audituara. Prej tyre, 2  rekomandime janë për Zyrën e Kryeministrit, 4 për Ministrinë e Financave dhe 4  rekomandime për Ministrinë e Infrastrukturës dhe për Ministrinë e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë”, tha Zymberi.

Kurse udhëheqës i ekipit, Labinot Sadiku, në detaje prezantoi gjetjet e këtij auditimi, me ç’rast theksoi se objektivat strategjike në sektorin e arsimit dhe infrastrukturës janë përcjellë më disa mangësi. Ai fillimisht tha se KASH 2018-2020 është aprovuar për sektor dhe jo në nivel ministror dhe sipas Sadikut, kjo e bënë të vështirë ndërlidhjen, vlerësimin dhe mbikëqyrjen e aktiviteteve për organizata.

Tutje Sadiku theksoi se Zyra për Planifikim Strategjik në kuadër të Zyrës së Kryeministrit nuk ka bërë përpjekje të mjaftueshme për të monitoruar adresimin e objektivave strategjike.  Kurse Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit kërkesat buxhetore nuk i ka hartuar plotësisht sipas udhëzimeve për përgatitjen e KASH.

Për më tepër ai shpalosi dobësitë e gjetura në projektet individuale në MIT.  Ndërkaq tri projekte që i takojnë Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Sadiku tha se janë vendosur në programin e investimeve publike pa dokumente mbështetëse.

Ndërsa anëtarja e ekipit, Arlinda Mustafa-Selmani, tha se planifikimi i buxhetit për objektiva strategjike në MAShT dhe aktivitete të tjera nuk është bërë mbi bazën e analizave të mirëfillta.

Ajo tregoi se MAShT-i, ka pasur vonesa në tekstet shkollore, si dhe për hartimin e këtyre teksteve janë shpenzuar 1.9 milionë euro më shumë se sa vlera e planifikuar.

Mustafa-Selmani theksoi se si përfundim kjo tregon për një planifikim të paqëndrueshëm për këtë projekt.

Nga ana tjetër përfaqësuesit e institucioneve të audituara, kanë shprehur gatishmërinë për t’i zbatuar rekomandimet e dhëna nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

 

Të ngjashme