Kthehu te lista
04 Maj 2018

Zyra Kombëtare e Auditimit përfiton nga praktikat e mira të auditimit në Bashkimin Evropian

ZKA_PermbylljaProjektit_ZKA_Polonise

Zyra Kombëtare e Auditimit e Republikës së Kosovës dhe Zyra Supreme e Auditimit e Polonisë kanë realizuar projektin e binjakëzimit “Zhvillimi i kapaciteteve profesionale lidhur me auditimin e ndërmarrjeve publike”, i financuar nga Bashkimi Evropian.

Në ceremoninë përmbyllëse të projektit, kanë marrë pjesë Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, Auditori i Përgjithshëm i Polonisë dhe Zëvendës Presidenti i EUROSAI, Krzystof Kwiatkowski, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit të Republikës së Shqipërisë Bujar Leskaj, Zëvendës shefi për bashkëpunim në Zyren e BE-së në Kosovë, Libor Chlad, si dhe deputetë, zyrtarë qeveritarë, drejtues të Ndërmarrjeve publike dhe auditorë të jashtëm nga Polonia dhe Kosova.

Me këtë rast, z. Osmani u shpreh mjaft i kënaqur me rezultatet e arritura në kuadër të projektit të binjakëzimit. Ai theksoi se ka një interesim të veçantë për auditimin e ndërmarrjeve publike, me qëllim të përmirësimit të menaxhimit financiar publik në Kosovë. Z. Osmani, ka theksuar se përmes këtij projekti institucionet e të dyja vendeve kanë shkëmbyer përvojat reciproke si dhe kanë krijuar lidhje të fortë miqësie dhe bashkëpunimi.

Z. Chlad në fjalën e tij, ka theksuar se Zyra e BE-së në Kosovës e vlerëson lartë punën dhe lidershipin e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Ai është shprehur se mbështetja për këtë institucion nuk do të mungojë në rrugën e përafrimit me rregullat e BE-së.

Z. Kwiatkowsi nga ana e tij, u shpreh se është mjaft i kënaqur që Zyra Supreme e Auditimit e Polonisë kishte nderin të përfaqësonte BE-në në këtë projekt. Ai ka shtuar se shpreson që puna e përbashkët në gjashtë muajt e fundit do të sjellë rezultatet e dëshiruara dhe do të hap një kapitull të ri në marrëdhëniet në mes të institucioneve dhe vendeve tona.

Ekipe të auditorëve nga ZKA kanë punuar intensivisht së bashku me ekspertët më të mirë nga Zyra Supreme e Auditimit e Polonisë dhe Zyra Kombëtare e Auditimit të Britanisë së Madhe në shqyrtimin dhe përditësimin e doracakëve dhe procedurave ekzistuese për auditimin e ndërmarrjeve publike. Lidhur me këtë janë zhvilluar trajnime, punëtori, vizita studimore, si dhe është bërë mentorimi i auditimit të tri ndërmarrjeve publike.

Të ngjashme