Kthehu te lista
30 Tetor 2020

Zyra Kombëtare e Auditimit mbetet e përkushtuar të përmbush misionin e saj kushtetues dhe ligjor

Konferencaa

Me aktivitete simbolike Zyra Kombëtare e Auditimit të premten ka shënuar shtatëmbëdhjetë vjetorin e themelimit. Në kuadër të këtyre aktiviteteve është mbajtur edhe një takim online si dhe janë ndarë mirënjohje për tridhjetë punonjës të cilët kanë mbushur 10 vjet punë në ZKA.

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, përgëzoj stafin për punën dhe sukseset e arritura gjatë këtyre viteve, me ç ‘rast tha se falë profesionalizmit dhe paanshmërisë, ZKA-ja gëzon kredibilitet të lartë dhe është vlerësuar si një ndër institucionet më të besueshme në Kosovë.

Ai vlerësoi se sukseset përgjatë këtyre viteve nuk kanë munguar, mirëpo sipas tij, ka ende shumë punë për t’u bërë meqenëse kërkesat për llogaridhënie po rriten gjithnjë e më shumë.

“Për të gjitha arritjet, aksionarë kryesor jeni ju auditor dhe punonjës të tjerë të Zyrës, që me përkushtim dhe profesionalizëm të lart po përmbushni misionin e ZKA-së si institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik dhe financiar në Republikën e Kosovës. Prandaj jam thellësisht mirënjohës secilit prej jush për punën e palodhshme, e veçanërisht gjatë kohës së pandemisë ku paralelisht me ruajtjen e shëndetit tuaj keni arritur të realizoni punë cilësore brenda afateve ligjore. Sukseset e arritura përgjatë këtyre viteve na bëjnë të ndihemi krenar, por jemi të vetëdijshëm se duhet bërë shumë më tepër meqenëse kërkesat për llogaridhënie po rriten gjithnjë e më shumë”, u shpreh Osmani.

Tutje ai bëri me dije se ZKA-ja këtë vit ka shënuar një sukses tjetër sa i përket procesit të digjitalizimit të punës audituese, duke zhvilluar sistemin elektronik për menaxhimin e auditimit i quajtur SITA. Osmani tha se ky sistem është një mjet i shkëlqyeshëm për të siguruar aplikim më efikas të metodologjisë audituese, për të rritur produktivitetin si dhe për të garantuar cilësi, veçanërisht në auditimet komplekse ku kërkohet siguri e lartë dhe pajtueshmëri me standardet, ligjet dhe rregulloret.

Ai tha se ZKA-ja mbetet e përkushtuar në përmbushjen e misionit kushtetues e ligjor, duke kryer auditime relevante, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Zyra Kombëtare e Auditmit që nga themelimi në mënyrë të vazhdueshme ka zhvilluar kapacitetet profesionale me qëllim të ofrimi të informacionit të besueshëm mbi menaxhimin e financave publike dhe performancën e organizatave buxhetore. Auditori i Përgjithshëm tha se ZKA-ja mbetet e përkushtuar që të kontribuojë në përmirësimin e jetës së qytetarëve përmes qindra auditimeve cilësore dhe rekomandimeve konkrete.

Pjesë e këtij takimi ishte edhe kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Transfere i Kuvendit të Kosovës, Hekuran Murati i cili me një fjalë rasti përshëndeti  të pranishmit si dhe vlerësoi Zyrën Kombëtare të Auditimit për punën e bërë gjatë këtyre 17 vitesh.

Ai tha se do të vazhdojë bashkëpunimi i Kuvendit, përkatësisht i Komisionit për Buxhet e Transfere me Zyrën Kombëtare të Auditimit.

Murati theksoi se Kuvendit dhe ligjvënësve u takon që të krijojnë mekanizma vepruese për zbatimin e rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm. Tutje ai tha se ZKA-ja duhet të vazhdojë t’i shtojë kapacitetet profesionale në mënyrë që në të ardhmen të auditohen të gjitha subjektet të cilat financohen nga paraja publike. “Ju uroj 17-vjetorin dhe ju përgëzoj për punën dhe sukseset e arritura”, tha Murati.

Kurse Violeta Kupa Smajlaj, Këshilltare e lartë për bashkëpunim me Kuvendin, e cila përfaqësoj grupin prej 30 punonjësve që morën mirënjohje jubilare, tha se është kënaqësi, ndër dhe përgjegjësi të punosh në Zyrën Kombëtare të Auditimit. “Rrugëtimi im 10 vjeçar së bashku me ZKA-në ka qenë sa sfidues aq edhe i bukur. Kur shoh entuziazmin e kolegëve të mi, jam e bindur për suksese të reja dhe për një të ardhme të ndritur. Paçim shëndet dhe festofshim gjatë së bashku. Ditë të mira na presin!”, tha Kupa Smajlaj.

Të ngjashme