Kthehu te lista
30 Gusht 2017

Zyra Kombëtare e Auditimit e Republikës së Kosovës nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi bilateral me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë

KNAO_Marreveshja_SNAO

Sot, në Prishtinë, Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës z. Besnik Osmani dhe Zëvendës Auditori i Suedisë z. Magnus Lindell kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim bilateral në mes të dy institucioneve përkatëse.

Marrëveshja trevjeçare ka për qëllim shkëmbimin e përvojave institucionale dhe do të ndihmoj Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA) për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale dhe zbatimin e standardeve ndërkombëtare për institucionet supreme të auditimit.

Marrëveshja parasheh zhvillimin e aktiviteteve specifike në fushat si: Auditime të Performancës, Auditime të Rregullsisë (financiare dhe të pajtueshmërisë), Lidership, Menaxhim të Burimeve Njerëzore, Komunikim dhe Planifikim Strategjik.

Auditori i Përgjithshëm, z. Osmani me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit theksoi rëndësinë që ka për Zyrën Kombëtare të Auditimit vazhdimi i bashkëpunimit me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë si një institucion senior në fushën e auditimit të jashtëm. Ai me këtë rast u zotua për përkushtimin e personelit të ZKA-së në zbatimin e plotë të marrëveshjes me qëllim të avancimit të mëtejshëm të cilësisë së procesit të auditimit dhe të produkteve të tij.

Z. Lindell, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm i Suedisë, vlerësoi arritjet e ZKA-së dhe shprehu gatishmërinë e institucionit të tij për një bashkëpunim afatgjatë me institucionin suprem të auditimit të Kosovës. Ai theksoi që pavarësisht dallimeve kulturore dhe zhvillimore, institucionet e të dyja vendeve e bazojnë punën e tyre në një pako standardesh ndërkombëtare që e qeverisin fushën e auditimit të jashtëm dhe kjo është një bazë e mirë për bashkëpunimin bilateral. Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, Z. Lindell mbajti një ligjëratë tematike për Lidership për menaxhmentin e ZKA-së.

Bashkëpunimi institucional në mes të dy institucioneve supreme të auditimit daton që nga viti 2011 me fokus në ngritjen e kapaciteteve për audtimet e performancës.

Të ngjashme