Kthehu te lista
12 Nëntor 2020

Zyra Kombëtare e Auditimit e Republikës së Kosovës anëtarësohet në EUROSAI

EUROSAI

Bordi Drejtues i Organizatës Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI), në takimin e 52-të, të mbajtur sot, ka miratuar me shumicë votash anëtarësimin me të drejta të plota të Zyrës Kombëtare të Auditimit në këtë Organizatë.

Në një deklarim publik, Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, ka falënderuar homologët e tij nga Institucionet Supreme të Auditimit anëtare të Bordit Drejtues, për mbështetjen dhe besimin e dhënë si dhe të gjitha institucionet relevante vendore për përkrahjen në këtë proces anëtarësimi.

“Zyra Kombëtare e Auditimit është e përkushtuar të jap kontributin e vet në këtë organizatë dhe të marrë  përsipër të gjitha obligimet”, tha Osmani.

Ky anëtarësim shënon edhe një hap të rëndësishëm në historinë e re të Zyrës Kombëtare të Auditimit si dhe përafrimit në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

ZKA në strukturat e EUROSAI-t do të promovojë përveç tjerash qeverisjen e mirë, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies si dhe ngritjen e kompetencës profesionale në fushën e auditimit publik.

EUROSAI është një nga Grupet Rajonale të Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI), e cila u krijua në vitin 1990 dhe atëherë kishte 30 anëtarë, Institucione Supreme të Auditimit të 29 shteteve Evropiane dhe Gjykata Evropiane e Auditorëve. Ndër vite numri i anëtarëve të EUROSAI-t  ka arritur në pesëdhjetë ndërsa Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës është anëtari më i ri, i 51-ti me radhë.

Zyra Kombëtare e Auditimit, kishte aplikuar për anëtarësim në EUROSAI me 24 shkurt 2020, ndërsa shqyrtimi i vendimit për anëtarësim ishte vendosur në agjendën e takimit të Bordit Drejtues të EUROSAI-t, i planifikuar të mbahej në qershor 2020. Për shkak të pandemisë me COVID -19 ky takim nuk u mbajt siç ishte planifikuar, ndërsa u realizua online sot me 12 nëntor 2020.

Për të mësuar më shumë lidhur me Organizatën Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit, vizitoni uebfaqen e tyre në: https://www.eurosai.org/en/about-us/about-eurosai/

 

Të ngjashme