Kthehu te lista
26 Tetor 2020

Zyra Kombëtare e Auditimit -17 vjet punë, sfida dhe suksese!

17-vjetori

Shtatëmbëdhjetë vite më parë kur nisi rrugëtimin Zyra Kombëtare e Auditimit, çdo tetor e dëshmon domosdonë e themelimit të saj si institucion i rëndësishëm për mbikëqyrjen e fondeve publike dhe rritjen e kontrollit ekonomik dhe financiar në shtetin e Kosovës.

Rrugëtimi i Zyrës përgjatë gjithë këtyre viteve u  karakterizua me shumë punë dhe angazhim, ndërsa sukseset shtatëmbëdhjetë vite më pas janë të dukshme.

Gati dy dekada më parë Zyra Kombëtare e Auditimit kishte nisur punën e vet si institucion publik, me një numër të kufizuar të punonjësve dhe duke kryer dhjetëra auditime, kryesisht të rregullsisë. Tani ky institucion është rritur profesionalisht dhe ka në gjirin e vet rreth 170 të punësuar dhe realizon më shumë se 120 auditime në vit,  përfshirë auditimet e performancës dhe të ndërmarrjeve publike.

Falë profesionalizmit, integritetit dhe paanshmërisë, ZKA-ja sot gëzon kredibilitet të lartë dhe është vlerësuar si një ndër institucionet më të besueshme në Kosovë. Ka shënuar rezultate të kënaqshme edhe në nivelin ndërkombëtarë. Padyshim se një prej tyre, është anëtarësimi i ZKA-së me të drejta të plota në Organizatën Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI). Ky anëtarësim përbën arritjen më të madhe në historinë e auditimit të jashtëm, të sektorit publik të Republikës së Kosovës.

Sikurse deri më tani, Zyra Kombëtare e Audtimit, do të mbetet institucion i pavarur i sektorit publik, duke rritur cilësinë e punës së saj dhe duke i ofruar Kuvendit e publikut raporte kredibile dhe relevante. Përmes punës audituese dhe rritjes së ndikimit te institucionet shtetërore për të zbatuar rekomandimet e auditimit, ZKA synon të kontribuojë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës.

Në përvjetorin e 17-të ndanë me të gjithë bashkëpunëtorët krenarinë e përparimit të jashtëzakonshëm që ZKA-ja ka bërë ndër vite. Pjekuria dhe përgjegjshmëria e lartë profesionale, që karakterizon institucionin dhe punonjësit e saj, do të mundësojë një zhvillim edhe më të shpejtë e të shumëdëshiruar.

Zyra Kombëtare e Auditimit këtë përvjetor do ta shënojë në mënyrë simbolike, përmes aktiviteteve virtuale, për shkak të pandemisë dhe me qëllim të respektimit të masave për mbrojtje nga Covid-19.

Të ngjashme