Kthehu te lista
27 Maj 2020

ZKA-ja i rikthehet punës audituese në teren me kapacitete të plota

Puna ne terren 01

Pas lehtësimit të masave kundër përhapjes së virusit COVID-19, dhe në pajtim me udhëzimet e institucioneve relevante në vend, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) është rikthyer në zbatimin e planit vjetor të punës me intensitet të plotë.

Gjatë kësaj jave 39 ekipe të auditimit janë duke kryer auditime në teren për të vazhduar punën audituese në mënyrë që të përmbyllet me sukses vala e dytë e auditimeve.

Me këtë rast, Auditori i Përgjithshëm z. Besnik Osmani, ka monitoruar për së afërmi punën e ekipeve në Komunën e Prishtinës, Shtimes e Graçanicës; në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë si dhe në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, me të cilët ka biseduar në mënyrë të gjithanshme për sfidat e procesit dhe nevojën për angazhim shtesë që të sigurohet cilësia në auditim dhe të përfundohen projektet audituese të planifikuara.

Auditori i Përgjithshëm tha se është inkurajuese vullneti dhe profesionalizmi i auditorëve tanë, që përkundër sfidave të shkaktuara nga pandemia vazhdojnë me vullnet e profesionalizëm veprimtarinë audituese. Ai vlerësoi lartë gatishmërinë e personelit që të promovojnë drejtpërsëdrejti llogaridhënien e institucioneve publike, rrisin besimin në shpenzimin e fondeve publike dhe luajnë një rol aktiv në sigurimin e interesit të taksapaguesve dhe të palëve të tjera të interesit për rritjen e përgjegjësisë së organizatave buxhetore, për menaxhim të mirë të fondeve publike.

Në mënyrë të veçantë është vlerësuar sakrifica e personelit që përkundër mbylljes së çerdheve të fëmijëve kanë bërë zgjidhje alternative, në mënyrë që të dalin në punë dhe të vazhdojnë punën ekipore që e karakterizon punën në Zyrën Kombëtare të Auditimit.

Gjatë vizitave në teren është biseduar edhe me përfaqësuesit e entiteteve në auditim për të harmonizuar aspektet kohore të zbatimit të auditimit në mënyrë që Kuvendi i Republikës së Kosovës, krerët e institucioneve audituese dhe publiku të marrin sa më shpejt që është e mundur raportet finale të auditimit.

Edhe në kohën e masave për zbatimin e lëvizjes së kufizuar të qytetarëve, Zyra Kombëtare e Auditimit përmes punës online ka arritur që t’i përfundojë dhjetëra raporte të auditimit të rregullsisë dhe performancës.

Për këtë qëllim sot është realizuar edhe takimi me Kryetarin e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrje Financiare z. Bedri Hamza me ç’rast është konfirmuar kalendari i trajtimit të raporteve në komision për raportet e përfunduara dhe raportet tjera të cilat do të publikohen ditët në vijim.

Paralelisht me zbatimin e planit të auditimit, me kujdes të shtuar do të trajtohen të gjitha udhëzimet e institucioneve shëndetësore dhe shëndeti i personelit do të mbetet në prioritet të trajtimit gjatë marrjes së vendimeve.

Të ngjashme