Kthehu te lista
11 Shkurt 2020

ZKA-ja dhe Insitucioni Suprem i Auditimit të Emirateve të Bashkuara Arabe diskutojnë për shkëmbimin e përvojave

Diskutimi me SAI EBA 01

Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, të martën priti në takim bilateral presidentin e Institucionit Shtetëror të Auditimit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Dr. Harib Saeed Al Amimi.

Osmani dhe Dr. Harib Saeed Al Amimi diskutuan për intensifikimin e bashkëpunimit bilateral me qëllim të shkëmbimit të informatave dhe përvojave, në interes të avancimit të mëtejmë të auditimit të jashtëm dhe përmirësimit të menaxhimit të parasë publike.

Me këtë rast, Osmani e njoftoi homologun arab për punën dhe rezultatet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, si dhe për ndikimin e rekomandimeve për të rritur llogaridhënien dhe qeverisjen e mirë të institucioneve.

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, falënderoi presidentin e Institucionit Shtetëror të Auditimit i Emirateve të Bashkuara Arabe, Dr. Harib Saeed Al Amimi, i cili në vazhdimësi e ka përkrahur Zyrën Kombëtare të Auditimit dhe për kontributin e dhënë në procesin e anëtarësimit të ZKA-së në INTOSAI.

Në anën tjetër, presidenti i Institucionit Shtetëror të Auditimit i Emirateve të Bashkuara Arabe, Dr. Harib Saeed Al Amimi tregoi se e përcjellë në vazhdimësi punën e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, me ç’rast përgëzoi Osmanin për arritjet e deritanishme.  Ai tha se me anëtarësimin në INTOSAI, ZKA-së do t’i mundësohet shkëmbimi i njohurive dhe përvojave me Institucionet Supreme të Auditimit simotra.

Institucioni Suprem i Auditimit i Emirateve të Bashkuara Arabe ka një përvoje të madhe në organizimet dhe projektet ndërkombëtare në fushën e auditimit, duke qenë se për tri vjet (2016-2019) ka drejtuar INTOSAI-n.

Ky takim u realizua në kuadër të vizitës së Dr. Harib Saeed Al Amimi në Kosovë për të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “Domethënia dhe rëndësia e anëtarësimit në INTOSAI: ndikimi dhe përfitimet për Institucionet Supreme të Auditimit”.

Kjo konferencë do të mbahet me rastin e anëtarësimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës me të drejta të plota në Organizatën Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI).

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, delegacioni nga Emiratet e Bashkuara Arabe do të takohet me përfaqësues të Kuvendit, Qeverisë dhe organizatave të shoqërisë civile.

Të ngjashme