Kthehu te lista
24 Shtator 2020

Zbatimi i rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm garanton qeverisje më të mirë në komuna

Debati ne Kamenice

Të enjten në Komunën e Kamenicës u mbajt debati i parë nga BIRN Kosova në kuadër të projektit “Mbështetja e shoqërisë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe llogaridhënien e institucioneve publike të Kosovës” i mbështetur nga Zyra e Jashtme e Komonuelthit përmes Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë.

Pjesëmarrës në këtë debat ishin kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Naser Arllati, Udhëheqësi i Auditimit, Astrit Bllaca, redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza si dhe asamblistë të kësaj komune.

Me këtë rast, Udhëheqësi i Auditimit, Astrit Bllaca, tha se raportet e auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) promovojnë drejtpërsëdrejti llogaridhënien dhe ofrojnë bazë të qëndrueshme për Kuvendin dhe aksionarët për t’iu kërkuar llogari drejtuesve të organizatave buxhetore dhe menaxhereve të ndërmarrjeve publike. Ai tha se rëndësia e raporteve të auditimit qëndron në identifikimin e dobësive në sistemet e qeverisjes, veçanërisht të sistemeve financiare, ndërsa zbatimi i rekomandimeve të auditimit shërben si një mekanizëm për sanimin e këtyre dobësive dhe bërjen e sistemeve më efikase dhe efektive në arritjen e objektivave.

Bllaca bëri me dije se për vitin 2019 Komuna e Kamenicës ka opinion të pamodifikuar, që nënkupton se Pasqyrat Financiare Vjetore paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale dhe në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit për Sektorin Publik. “Komuna e Kamenicës kishte shpenzuar 92% të buxhetit final për vitin 2019, 2% me shume krahasuar me vitin 2018. Kontrollet mbi të hyrat dhe shpenzimet në përgjithësi janë të përshtatshme, megjithatë nevojiten përmirësime të mëtutjeshme në fushën e subvencioneve, investimeve kapitale, menaxhimin e pasurisë, obligimeve, llogarive të arkëtueshme dhe klasifikimin e shpenzimeve në kategorinë e duhur ekonomike”, u shpreh ai.

Ndër të tjera Bllaca tha se niveli i zbatimit të rekomandimeve është treguesi më i mirë se si menaxhmenti po përmirëson proceset ekzistuese dhe po rrit kontrollet në fushat ku janë identifikuar gabimet dhe parregullsitë. Ai tha se Komuna e Kamenicë qëndron shumë mirë në aspektin e zbatimit të rekomandimeve në raport me komunat e tjera.  “Për vitin 2018 kemi dhënë nëntë rekomandime, prej tyre pesë janë zbatuar, dy nuk janë zbatuar dhe dy konsiderohen të mbyllura. Ndërsa për vitin 2019 janë dhënë nëntë rekomandime, shtatë prej të cilave janë rekomandime të reja dhe dy të përsëritura”, theksoi Bllaca.

Ndërkohë kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, tha se për herë të parë Komuna e Kamenicës ka një opinion të pamodifikuar dhe pa theksim të çështjes nga Auditori i Përgjithshëm. Ai theksoi se ky opinion është motiv për këtë komunë që të avancojë qeverisjen dhe shërbimet ndaj qytetarëve.

“Për funksionimin sa më të mirë të institucionit pjesa më rëndësishme është auditimi, qoftë auditimi i jashtëm apo i brendshëm. Më sa kam informacion Komuna e Kamenicës për herë të parë ka pranuar një raport të auditimit me opinion të pamodifikuar dhe pa theksim të çështjes. Kjo na ka bërë të ndihemi mirë dhe na motivon që të angazhohemi edhe më shumë dhe të avancojmë tutje”, u shpreh Kastrati. Ai u zotua se do të angazhohet edhe më tutje në zbatimin e rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm.

Duke folur për qeverisjen e kësaj komune, Kastrati tha se në vitin 2018 Kamenica ka qenë komuna me përqindjen më të lartë të rritjes së inkasimit të tatimit në pronë. Ai rikujtoj se është rritur edhe buxheti për investime kapitale dhe subvencione krahasuar me dy vitet paraprake. Kastrati tha se problem për Komunën e Kamenicës do të jetë çështja e pagesave për pagat jubilare për mësimdhënës përmes vendimeve gjyqësore. Ai tha se për Kamenicën do të jenë të papërballueshme vendimet e tilla.

Ndërsa redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza, duke folur për analizën e raporteve të auditimit dhe zbatimin e rekomandimeve, tha se në dy vitet e fundit Komuna e Kamenicës  ka rritur investimet kapitale dhe kjo është një punë e mirë që është bërë.

Ai tha se Komuna e Kamenicës vazhdimisht ka pasur opinion jo të mirë të Auditorit, kurse tani ka arritur që të ketë opinion të pamodifikuar dhe pa theksim të çështjes.  “Lajm i mirë është që për vitin 2019 opinion i Auditorit për Komunën e Kamenicës është i pamodifikuar dhe pa theksim të çështjes. Sa i përket çështjes së zbatimit të rekomandimeve duhet të cekim se komunat qëndrojnë jashtëzakonisht keq, është diku rreth 40 % mesatarja e nivelit të zbatimit të rekomandimeve”, tha ai.

Prebreza vlerësoi se komunat duhet të rrisin kontrollin e brendshëm dhe zbatimin e rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm. Ai tha se Kamenica nuk qëndron keq në këtë aspekt. “Komuna e Kamenicës ndër vite nuk ka pasur shumë rekomandime,  në dy vitet e fundit kemi më pak rekomandime dhe po ashtu gjatë kësaj periudhe është rritur niveli i zbatimit të rekomandimeve. Në raportin e fundit të auditimit për këtë komunë janë dhënë vetëm nëntë rekomandime, prej të cilave disa janë lehtë të zbatueshme”, deklaroi ai.

Të ngjashme