Kthehu te lista
31 Janar 2021

Sukseset e Zyrës Kombëtare të Auditimit, publikohen në gazetën e INTOSAI-t

1+++++

Organizata  Ndërkombëtare e Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI) ka publikuar edicionin dimëror të gazetës së saj, ku pjesë e këtij edicioni nga lajmet për Institucionet Supreme të Auditimit është edhe Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA). Artikulli për ZKA-në paraqet rezultatet e punës, sfidat e përballjes me pandeminë me theks të veçantë  arritjet historike në rrafshin ndërkombëtar.

Në artikullin janë shpalosur vlerësimet për ZKA-në si një ndër institucionet me të besueshme në vend. ˝Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) daton që nga vitit 2003. Edhe pse një organizatë relativisht e re për nga mosha, ZKA-ja  konsiderohet si një ndër institucionet më të besueshme në vend, si nga partnerët vendor dhe ndërkombëtar dhe mbetet e përkushtuar për të zbatuar mandatin kushtetues e ligjor me integritet dhe profesionalizëm˝, theksohet në gazetë.

Sipas gazetës ZKA-ja është e vendosur që të kryej auditimin në mënyrë të pavarur, prandaj i kushton vëmendje të veçantë zhvillimit të vazhdueshëm në pajtim me standardet ndërkombëtare dhe praktikat e mira të auditimit dhe ka pasur rritje të konsiderueshme profesionale që prej themelimit. ZKA-ja ka 171 punonjës të cilët kryejnë 130 auditime në baza vjetore. Edhe pse auditimet financiare dhe të pajtueshmërisë përbejnë pjesën më të madhe të punës audituese, ZKA-ja vlerëson potencialin e madh në kryerjen e auditimeve të performancës dhe vazhdon të kontribuojë në rritjen e këtij trendi.

Në gazetë përmendet fakti se pavarësisht që viti 2020 ishte sfidues për të gjithë globin për shkak të pandemisë, ZKA-ja ka vazhduar zbatimin e planeve që synojnë rritjen Institucionale.

˝ZKA-ja kohëve të fundit ka lansuar sistemin për menaxhimin e auditimit i cili mbulon të gjitha proceset e auditimit. Ky është një ndryshim i madh në punën e përditshme dhe pritet të kontribuojë në efikasitetin dhe efektivitetin operacional duke përmirësuar menaxhimin e të dhënave të auditimit dhe duke rritur cilësinë e produktit të auditimit. Në të njëjtën kohë ZKA-ja ka vazhduar të rishikoj dhe të përditësoj metodologjinë e auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë për tu përshtatur më mirë me Standardet Ndërkombëtare të Auditimit të Institucioneve Supreme të Auditimit˝ përmendet tutje në gazetë.

Vëmendje dhe theks i veçantë i është kushtuar momentit historik në rrafshin ndërkombëtar me anëtarësimin e ZKA-së në Organizatën Ndërkombëtar të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI) dhe Organizatën Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI).

˝INTOSAI dhe EUROSAI ofrojnë platforma për Institucionet Supreme të Auditimit  për të shkëmbyer ekspertizë dhe praktikat më të mira që kontribuojnë në rritjen e përgjegjshmërisë dhe transparencës dhe shtojnë vlerë dhe përfitime në jetën e qytetarëve në të gjithë botën. ZKA-ja konsideron anëtarësimin në INTOSAI dhe EUROSAI si përkushtim profesional dhe mundësi.  Duke u zotuar për pjesëmarrje aktive, ZKA-ja është e etur për të ndarë përvojat me komunitetin global të llogaridhënies vazhdon artikulli˝ theksohet tutje.

Tutje, ZKA-ja pret me shpresë 2021, duke besuar se do të ndodhë të konsiderohet si një vit i punës së vështirë në rivendosjen e normalitetit dhe rindërtimin e ekonomive kombëtare.

Gazeta ˝The International Journal˝ është organ zyrtar i INTOSAI-t. Publikohet në baza periodike në gjuhën arabe, angleze, frënge, gjermane dhe spanjolle. Edicionin dimëror të gazetës mund ta lexoni në këtë vegëz.

 

Të ngjashme