Kthehu te lista
29 Dhjetor 2017

Sistemi Informativ Shëndetësor ballafaqohet me vështirësi gjatë zbatimit

Raporti i fundit i auditimit të performancës, i publikuar sot tregon se zbatimi i Sistemit Informativ Unik të Integruar Shëndetësor në vend karakterizohet me vështirësi në koordinimin e aktiviteteve ndërmjet institucioneve të përfshira në zbatim.

Raporti i Zyrës Kombëtare e Auditimit për “Efikasitetin dhe Efektivitetin në Implementimin e Sistemit Informativ Unik të Integruar Shëndetësor” gjithashtu ka gjetur se procesi i menaxhimit të zbatimit të këtij sistemi karakterizohet me parregullsi.

Mos planifikimi dhe mos koordinimi i aktiviteteve në nivelin e duhur nga Ministria e Shëndetësisë, vonesat në themelimin e mekanizmave koordinuese dhe monitorues ndër institucional, procedurat e tej zgjatura në procedurat e prokurimit për sigurimin e pjesës harduerike dhe softuerike, mungesat e mirëmbajtjes së sistemit, mungesa e kapaciteteve njerëzore, trajnimet jo efikase dhe të pa mjaftueshme për përdorim të sistemit, ngecjet në sigurimin me kohë të bazës së qendrës së të dhënave, vonesat në sigurimin e regjistrit civil të qytetarëve dhe një mori aktivitetesh të pa realizuara me kohë janë shkaktarët kryesor në funksionimin dhe zbatimin joefikas dhe joefektiv të këtij sistemi.

Auditori i Përgjithshëm Besnik Osmani, me rastin e publikimit të raportit ka nënvizuar se zbatimi i Sistemit Informativ Shëndetësor në vend është brengosës, jo vetëm se ky sistem nuk është duke funksionuar në mënyrën e duhur, por situata është duke u përkeqësuar. Nëse nuk ndërmerren masat për përmirësimin e tij, ky sistem mund të de-funksionalizohet plotësisht. Përdorimi i Sistemit Informativ Shëndetësor është vendimtar për shëndetësinë në vend dhe si i tillë duhet të ofroj shërbime të barabarta për të gjithë qytetarët.

Procesi i auditimit është zbatuar në Ministrinë e Shëndetësisë, Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit, Agjencinë për Regjistrim Civil, Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Spitalet Rajonale në Prizren, Pejë e Gjakovë dhe Komunën e Prishtinës.

Raportin e plotë mund ta lexoni në www.zka-rks.org

Ndërsa për informata shtesë ju mund të na kontaktoni në 038 60 60 04 10 12 ose 045 109 000

 

Të ngjashme