Kthehu te lista
22 Korrik 2020

Sistemi aktual i arsimit dhe aftësimit profesional nuk i përgjigjet nevojave dhe kërkesave të tregut të punës

Foto 22.07.2020

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e auditimit “Efektiviteti i ndërlidhjes së arsimit dhe aftësimit profesional me nevojat e tregut të punës”. Auditimi është kryer në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe komunat: Prishtinë, Prizren dhe Ferizaj si dhe ka pasur për qëllim të vlerësojë efektivitetin e masave të ndërmarra nga institucionet publike për zhvillimin e njohurive dhe aftësive profesionale dhe ndërlidhjen e tyre me nevojat e vazhdueshme të tregut të punës.

Pavarësisht përpjekjeve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe të akterëve relevant për të rishikuar kurrikulat e profileve të arsimit dhe aftësimit profesional dhe për t’i bazuar ato në zhvillimin e standardeve të profesionit, ky qëllim nuk është arritur. Kjo për faktin se, një pjesë e konsiderueshme e kurrikulave nuk janë rishikuar ende dhe një numër shumë i kufizuar i institucioneve të arsimit dhe aftësimit profesional janë duke zbatuar kurrikulat e rishikuara.

Po ashtu, mësimi praktik në punëtoritë e Institucioneve të Arsimit dhe Aftësimit Profesional dhe praktika profesionale në biznese janë realizuar me vështirësi dhe ngecje të mëdha.

Institucionet përgjegjëse nuk kanë arritur të ofrojnë mundësi efektive për përvetësimin dhe zhvillimin e aftësive dhe shkathtësive dhe nuk kanë siguruar se janë krijuar kushtet e nevojshme për zbatimin e formave duale të arsimit, kushte këto që mundësojnë realizimin e mësimit praktik në ambientet e shkollës dhe praktikës profesionale në biznese. Kjo është pamundësuar për shkak të mungesës së pajisjeve të nevojshme në shkolla, mungesës së kabineteve apo punëtorive, problemeve me pajisjet aktuale, mungesës së materialit shpenzues, etj.

Me qëllim të adresimit të shpejtë të çështjeve për të ndërlidhur arsimin dhe aftësimin profesional me kërkesat dhe nevojat e tregut të punës, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë 16 rekomandime për institucionet përkatëse.

Raportin e plotë mund ta lexoni në këtë vegëz.

Të ngjashme