Kthehu te lista
17 Shkurt 2021

Shpenzimet lidhur me Covid-19 në fokus të auditimit

Punetoria e SIGMA kryesore

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, në punëtorinë e organizuar nga SIGMA, ka folur për procesin e auditimit të shpenzimeve për Covid-19 nga perspektiva financiare dhe e pajtueshmërisë.

Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani dhe drejtoresha e Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qëndresa Mulaj, të mërkurën morën pjesë në punëtorinë e radhës “Auditimi i shpenzimeve të lidhura me Covid-19”. Punëtoria është organizuar nga SIGMA në kuadër të Rrjetit të Institucioneve Supreme të Auditimit të vendeve kandidate dhe kandidate të mundshme për në BE dhe Gjykata Evropiane e Audituesve.

Në këtë punëtori, përfaqësues të Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) nga regjioni dhe më gjerë,  shkëmbyen përvojat e tyre dhe diskutuan lidhur me auditimet e pajtueshmërisë, me theks të veçantë auditimin e shpenzimeve për Covid – 19. ISA- të Latvisë dhe Maqedonisë  së Veriut, kanë prezantuar në detaje përvojën e tyre dhe mësimet e nxjerra nga procesi i përcaktimit të auditimeve, qasjen, të gjeturat dhe mekanizmat e raportimit për të siguruar Parlamentin, Qeverinë dhe hisedarët tjerë për llogaridhënien dhe transparencën e shpenzimeve lidhur me pandeminë Covid-19 në vendet e tyre.

Në kuadër të diskutimit në panel, Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, ka prezantuar përvojën e Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe rolin e saj në menaxhimin e financave publike dhe përshtatjen me rrethanat e reja të krijuara si rezultat i pandemisë globale.

Osmani, ka thënë se pavarësisht rrethanave të krijuara, vitin e kaluar ZKA-ja ka arritur të publikoj sipas planit, 132 raporte të  auditimit. Ndërsa, për të adresuar nevojat e reja ZKA-ja ka përshtatur planin vjetor të auditimit dhe në këtë plan ka përfshirë edhe auditimin e shpenzimeve të lidhura me Covid-19 dhe mënyrën e menaxhimit të kësaj situate.

Më tutje, ai tregoi që shpenzimet për pandeminë Covid-19, janë duke u testuar nga perspektiva të ndryshme, si nga aspekti financiar dhe i pajtueshmërisë përmes auditimeve të rregullta vjetore, gjithashtu edhe përmes auditimeve të veçanta të performancës dhe projekteve për fondet e ndara për menaxhimin e pandemisë. Auditimet e  performancës do të fokusohen kryesisht për të vlerësuar nëse institucionet publike shëndetësore kanë qenë të përgatitura dhe në gjendje t’i përgjigjen në mënyrën e duhur nevojave për të menaxhuar pandeminë Covid-19, si nga aspekti i ofrimit të shërbimeve, furnizimeve dhe logjistikës. Ndërsa ekipet kanë filluar edhe  hulumtimet për menaxhimin e emergjencave në aspekt me të përgjithshëm dhe mbrojtjen e ekonomisë.

Kjo ishte punëtoria e dytë e organizuar në këtë format ndërsa SIGMA, planifikon të organizoj edhe punëtori të tjera me fokus në auditimin e Covid – 19, për të trajtuar në mënyrë specifike tema të veçanta që lidhen me rolin dhe përgjegjësitë e ISA-ve në këtë aspekt.

 

Të ngjashme