Kthehu te lista
22 Tetor 2020

Raporti Vjetor i Auditimit për vitin 2019 i Zyrës Kombëtare të Auditimit dërgohet për shqyrtim në seancë të Kuvendit

Lajmi per prezantimin e RVA ne KMFP +

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, ka prezantuar para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Raportin Vjetor të Auditimit për vitin fiskal 2019 i cili përfshinë opinionin, gjetjet kryesore dhe rekomandimet e ZKA-së për Qeverinë dhe Parlamentin.

Auditori i Përgjithshëm ka thënë se përmes procesit të auditimit është konstatuar se ka një progres të lehtë në fushën e raportimit financiar por mangësitë dhe dobësitë më të theksuara vazhdojnë të mbeten në aktivitetet ekzekutive të buxhetit ku shumë projekte kapitale fillohen pa fonde të mjaftueshme, dhe për shkak të kësaj, ato rrallë herë përfundohen me kohë, ndërkohë që mbikëqyrja nuk parandalon devijimet e shumta nga kushtet e përcaktuara me kontrata.

Duke prezantuar para deputetëve rezultatet e auditimit të 2019-së, Osmani tregoi se janë publikuar 132 raporte të auditimit për 95 organizata buxhetore; 14 ndërmarrje publike; 9 projekte të donatorëve; 13 auditime të performancës; dhe Raportin për Pasqyrat Financiare të Qeverisë.

Nga 95 organizata buxhetore, prej tyre 69 kanë marrë opinione të pakualifikuara dhe 26 opinione të pakualifikuara me theksim të çështjes. Nga 14 Ndërmarrje Publike, 5 kanë marrë opinione të kualifikuara; 7 opinione të kundërt; 1 mohim të opinionit; dhe 1 opinion të pakualifikua më theksim të çështjes. Sa i përket rekomandimeve krahasuar me vitin 2018, në 2019-në numri i rekomandimeve të dhëna nga ZKA-ja është zvogëluar, përderisa është rritur përqindja e zbatimit të tyre.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ishte e pranishme në takim ndërsa ka deklaruar se Qeveria ka hartuar dhe dorëzuar planin  e veprimit dhe se do të angazhohet në adresimin e rekomandimeve të dhëna nga Auditori i Përgjithshëm. Pas një debati disa orësh nga anëtarët e Komisionit, Raporti Vjetor i Auditimit me rekomandime është miratuar dhe proceduar tutje për shqyrtim në seancë plenare të Kuvendit të Kosovës.

Të ngjashme