Kthehu te lista
28 Maj 2020

Projektet e financuara nga grantet e DEMOS-it kanë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e infrastrukturës publike në komuna

Prezantimi i raportit te granteve DEMOS

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) dhe Projekti DEMOS – Decentralizimi dhe Përkrahja e Komunave kanë marrëveshje për auditimin e fondeve të dedikuara për këtë projekt. Në kuadër të kësaj është kryer edhe  auditimi i performancës “Projektet e financuara nga grantet e DEMOS-it”, raporti i të cilit u prezantua online me kërkesën e DEMOSIT- Decentralizimi dhe Përkrahja e komunave. Në prezantim morën pjesë përfaqësues nga DEMOS-i, Ambasada e Zvicrës, Ambasada e Norvegjisë si dhe nga Ministria e Administrimit të Pushteti Lokal.

Me këtë rast, drejtori i projektit DEMOS, Nobert Pijls, vlerësoi lartë punën e kryer nga Zyra Kombëtare e Auditimit duke thënë se po shqyrtohen mundësitë për bashkëpunim edhe në projekte të tjera në të ardhmen.

Pijls deklaroi se objektivë e përgjithshme e këtij auditmi të veçantë,  të realizuar në kuadër të marrëveshjes me ZKA-në, ishte vlerësimi nëse procesi i prokurimit për projektet kapitale është në pajtim me kërkesat ligjore që nga planifikimi deri te realizimi i kontratës.

Ndërsa Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Vlora Spanca, theksoi se një nga pritjet fundamentale të përcaktuara nga Standardet Ndërkombëtare të Auditimit është që Institucionet Supreme të Auditimit duhet të kryejnë auditime që janë të rëndësishme për qytetarët, Parlamentin dhe palët e interesit. Në këtë aspekt, Spanca tha se marrë parasysh që grantet bazuar në performancë kanë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e infrastrukturës publike në komuna, ZKA-ja ka pranuar kërkesën nga DEMOS për të audituar këto grante.

“Shfrytëzoi këtë mundësi për të falënderuar DEMOS që i besuan ZKA-së për të audituar fondet e tyre. Sigurisht që ky besim nuk është vetëm një privilegj, por është përgjegjësi e madhe meqë kërkohet nga ZKA-ja të kryejë auditime me cilësi të lartë”, tha Spanca.

Ndërkohë Drejtoresha e Departamentit të Auditimit, Fatlinda Ramosaj, prezantoi objektiven, metodologjinë dhe fushëveprimin e auditimit. Ramosaj bëri me dije se auditimi ka pasur dy objektiva, përveç se është vlerësuar procesi i prokurimit nëse është në përputhje me kërkesat ligjore,  objektivë tjetër e auditimit ishte të vlerësohet nëse projektet e realizuara nga granti i DEMOS-it kanë arritur qëllimin e synuar e që nënkupton nëse me anë të këtyre investimeve komunat kanë përmirësuar ofrimin e  shërbimeve publike ndaj qytetarëve.

Ramosaj shpjegoi se pjesë e këtij auditimi kanë qenë Komuna e Pejës, Prizrenit, Podujevës, Mamushës dhe Graçanicës. “Përzgjedhjen e komunave dhe projekteve për auditim e kemi bërë bazuar në shpenzimet më të larta edhe ato më të ulëta, në mënyrë që të kemi një pasqyrë të saktë për të gjitha llojet e projekteve. Periudha kohore ka përfshirë grantin e dhënë për vitin 2018”, tha Ramosaj.

Kurse udhëheqësja e ekipit, Donjetë Dreshaj, prezantoi në detaje gjetjet e raportit të performancës. Dreshaj tha se gjetjet e auditimit kishin të bëjnë kryesisht me planifikimin e projekteve; zhvillimin e procedurës së prokurimit, menaxhimin e kontratave, kohën e zbatimit të projektit, konsultimin me qytetarët gjatë vendimmarrjes për investime, pjesëmarrjen e grupeve të margjinalizuara etj.

Dreshaj falënderoi DEMOS-in dhe entitetet e audituara për bashkëpunimin korrekt të treguar gjatë gjithë procesit të auditmit.

Për të përmirësuar më tej zbatimin e projekteve të financuara nga DEMOS-i, ZKA-ja  në këtë raport të auditimit ka dhënë disa rekomandime. Të gjitha komunat e audituara janë pajtuar me gjetjet dhe rekomandimet, mirëpo ende nuk kanë dorëzuar planin e veprimit për zbatimin e rekomandimeve.

Të ngjashme