Kthehu te lista
17 Nëntor 2017

Procedurat dhe kontrollet në Sistemin për Menaxhimin e Performancës Komunale

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e auditimit të performancës “Procedurat dhe kontrollet në Sistemin për Menaxhimin e Performancës Komunale”

Përmes këtij auditimi ne kemi vlerësuar mënyrën e funksionimit të Sistemit për Menaxhimin e Performancës Komunale (SMPK) në përgjithësi dhe me fokus të veçantë në procedura dhe kontrolle për të konstatuar nëse sistemi prodhon të dhëna  të sakta, pra kemi vlerësuar aktivitetet e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe të gjashtë komunave të ndryshme për nga madhësia dhe përbërja etnike (Pejë, Ferizaj, Obiliq, Graçanicë, Junik dhe Mamushë) lidhur me krijimin e parakushteve për funksionimin e duhur të SMPK-së.

Që nga viti 2009 Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka filluar zbatimin e SMPK-së i cili ka adresuar performancën e komunave nga fushat e kompetencave vetanake të Komunave. Matja e performancës së komunave ka për qëllim që vetë komunat, MAPL, qytetarët dhe të gjitha palët e interesit ta kuptojnë se deri në çfarë shkallë komunat kanë arritur të ofrojnë shërbime në kohën dhe cilësinë e duhur, në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve.

Ne kemi konstatuar se Komunat kanë vështirësi në aplikimin e procedurave dhe kontrolleve të parapara me sistem. Në Komunat  e audituara procedura e mbledhjes së të dhënave nuk ishte e duhur dhe kontrolli nga koordinatori komunal nuk kishte qenë efektiv. Të gjeturat tregojnë se probleme ka në mënyrën e mbledhjes, raportimit dhe verifikimit të të dhënave. Gjithashtu  ka probleme lidhur me sigurimin e qasjes në të dhëna nga njësitë komunale. Si rrjedhojë e kësaj vetëm 51% e të dhënave të raportuara ishin mbështetur në dokumente ndërsa 32% e të dhënave të raportuara nuk ishin mbështetur në dokumente të fushave përkatëse. Pjesa tjetër e të dhënave nuk ishte raportuar saktë ose nuk ishte raportuar fare.

Ne kemi rekomanduar që Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal sa më parë të miratojë rregulloren e rishikuar për SMPK-në  dhe të hartojë një procedurë për menaxhim të ndryshimeve të sistemit e cila do të specifikojë qartë se kush është përgjegjës për inicimin, zhvillimin, aprovimin dhe zbatimin e ndryshimeve në sistem. Kjo për të evituar mangësitë që mund të lindin nga ndryshimet e mundshme të ardhme të sistemit.

Ndërsa Kryetarëve të komunave u rekomandojmë që t’ua komunikojë të gjitha njësive organizative të komunës obligimin që ka Komuna lidhur me procesin e raportimit për Sistemin për Menaxhimin e Performancës Komunale në mënyrë që të jenë të përgatitura për të ofruar të dhënat e kërkuara. Po ashtu, i rekomandojmë që të sigurojnë bashkëpunim të ngushtë mes zyrtarëve përgjegjës për raportim dhe drejtorive komunale si dhe të sigurohet se koordinatori komunal dhe zyrtarët përgjegjës për raportim i kanë kuptuar drejtë  procedurat e  mbledhjes, raportimit dhe verifikimit të të dhënave si dhe të njëjtat i kanë ushtruar.

Raportin e plotë mund ta lexoni në ueb faqen tonë: www.zka-rks.org

Të ngjashme