Kthehu te lista
26 Prill 2019

Prezantimi i raportit të auditimit të performancës “Zhvillimi i Kapaciteteve në Procesin e Bërjes së Politikave dhe Koordinimit”

Zhvillimi kapaciteteve ne procesin e berjes se politikave dhe koordinimit

Sot, Zyra Kombëtare e Auditimit, ka bërë prezantimin publik të raportit të perfomancës, “Zhvillimi i Kapaciteteve në Procesin e Bërjes së Politikave dhe Koordinimit”, projekt i financuar nga Sida dhe zbatuar nga Zyra e Kryeministrit”. Pjesëmarrës në këtë prezantim ishin zyrtarë të Ministrive, Zyrës së Kryeministrit, projektit SIDA, shoqërisë civile, mediave, organizatave ndërkombëtare si dhe përfaqësues të Ambasadës Suedeze në Kosovë dhe Universitetit të Kembrixhit.

Me këtë rast, Ndihmës Auditorja e Përgjithshme Znj. Vlora Spanca, nën udhëheqjen e të cilës është kryer ky auditim, falënderoj Ambasadën Suedeze dhe Zyrën e Kryeministrit për besimin e dhënë që Zyra Kombëtare e Auditimit të kryej auditimin e një projekti kaq të rëndësishëm. Marrja përsipër e një angazhimi të tillë përveç që ishte privilegj kërkonte përgjegjësi dhe kompetence të lartë profesionale. Një angazhim si ky tregon po ashtu për besueshmërinë qe shtetet e tjera dhe institucionet publike kane ndaj Zyrës Kombëtare të Auditimit, shtoi ajo.

Znj. Myrvete Gashi, drejtore e Departamentit për Auditime të Performancës, tha se Zyra Kombëtare e Auditimit vlerësoi objektivin e përgjithshëm të Projektit duke pasur për synim zhvillimin e qëndrueshëm të kapaciteteve në fushën e procesit të zhvillimit të politikave.

Auditimi ka konkluduar se Projekti ka arritur rezultate të rëndësishme duke kontribuar në ngritjen e kapaciteteve në zhvillimin e politikave brenda qeverisë. Sidoqoftë, përkundër progresit të bërë nga Projekti në procesin e zhvillimit të politikave, ka disa të meta që mund të rrezikojnë efektivitetin dhe qëndrueshmërinë e procesit të zhvillimit të politikave, tha Gashi.

Ndërsa, prezantimi detaj i raportit përfshirë gjetjet konkluzionet dhe rekomandimet e auditimit , është bërë nga  Fikret Ibrahimi udhëheqës i ekipit auditues.

Në anën tjetër nga Zyra e Kryeministrit z. Arben Krasniqi, ka vlerësuar lartë kontributin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për ecurinë e projektit. Ai është zotuar se rekomandimet e dhëna në këtë raport do të adresohen dhe së shpejti do të dorëzohet edhe plani i veprimit për adresimin e tyre.  Ndërsa, përfaqësuesi nga Fondacioni Kosovar për shoqërinë civile (KCSF), Dren Puka, foli për rolin dhe rëndësinë e pjesëmarrjes së shoqërisë civile në procesin e hartimit të politikave.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka filluar të bëjë prezantimin publik të raporteve të auditimit dhe të bashkëbisedoj me palët përgjegjëse të përfshirë në proceset e auditimit, me anëtarë të komisioneve parlamentare, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe të mediave, për secilin raport të auditimit të performancës. Qëllimi është që të bëhet sa më transparente puna audituese dhe të sqarohen gjetjet dhe rekomandimet për publikun e gjerë, në mënyrë që të mos ketë keqkuptime dhe keqinterpretime.

 

Raportin e plotë mund ta lexoni në këtë vegzë.

Të ngjashme