Kthehu te lista
08 Dhjetor 2017

Prezantimi i çështjeve kryesore të auditimit për vitin 2016 dhe progresi në zbatimin e rekomandimeve të dhëna në raportet e auditimit

3

Sot, Zyra Kombëtare e Auditimit, ka organizuar tryezën me përfaqësuesit e lartë të institucioneve publike të Republikës së Kosovës, ku janë prezantuar çështjet kryesore të auditimit për vitin 2016 dhe progresi në zbatimin e rekomandimeve të dhëna në raportet e auditimit.

Hapjen e tryezës e ka bërë Auditori i Përgjithshëm z. Besnik Osmani, ndërsa një fjalë rasti ka mbajtur edhe kryeministri z. Ramush Haradinaj dhe kryetari i Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike të Kuvendit të Kosovës, z. Driton Selmanaj.

Auditori i Përgjithshëm në fjalën e tij ka thënë se pas publikimit të raporteve tona në të cilat kemi prezantuar rezultatet e punës audituese dhe pas raportimit të rezultateve në Kuvendin e Kosovës, sot ato duam t’i ndajmë edhe me organizatat që kanë qenë subjekt i auditimit dhe t’i informojmë lidhur me punën e Auditorit të Përgjithshëm si institucion suprem i kontrollit ekonomik dhe financiar në përmbushjen e mandatit kushtetues.

Ai shtoi se në tryezë ne do t’i prezantojmë çështjet kryesore lidhur me pasqyrat vjetore financiare dhe auditimin e pajtueshmërisë me rregullat përkatëse për të cilat me keqardhje duhet të konstatojmë se kanë rezultuar me dobësi derisa auditimet e performancës si rishikim i vlerës për para të arritur nga përdorimi i burimeve kanë nevojë ende të përmirësohen.

Rekomandimet nga puna e kryer nga auditorët e Zyrës Kombëtare të Auditimit kanë vendosur theksin në çështjet e rëndësishme që kanë të bëjmë me menaxhimin e pasurisë jofinanciare, menaxhimin e prokurimit publik, menaxhimin e llogarive të arkëtushme dhe të obligimeve. Këto rekomandime po zbatohen me ritëm të ngadaltë dhe si të tilla nuk sigurojnë qeverisje efektive dhe përdorim ekonomik të fondeve publike, theksoi Auditori Osmani.

z. Osmani kërkoi nga Qeveria të zbatojë një proces sistematik për zbatimin e rekomandimeve të dhëna në raportet e auditimit dhe të kërkojë nga të gjitha organizatat buxhetore që të zbatojnë dhe raportojnë mbi progresin e arritur, e njëjta shtoi ai, kërkohet të bëhet edhe nga institucionet tjera publike të Republikës së Kosovës.

Nga ana e tij, Kryeministri Ramush Haradinaj, ka vlerësuar lartë punën e Zyrës Kombëtare të Auditimit duke theksuar se Auditori i Përgjithshëm është një nga institucionet më kredibile të shtetit tonë, në parametra dhe në drejtim të duhur. Ai tha se e inkurajon edhe më tej për punë të mirë Zyrën Kombëtare të Audimit dhe u zotua se Qeveria e drejtuar nga ai do t’i merr seriozisht gjetjet dhe do t’i zbatojë rekomandimet e raporteve të Auditorit të Përgjithshëm.

Kryeministri Haradinaj theksoi se raportet e auditimit paraqesin gjendjen reale të menaxhimit të financave publike në vendin tonë dhe u bëri thirrje të gjithë përfaqësuesve të lartë shtetëror për një angazhim më të madh për të përmirësuar këtë gjendje.

z. Driton Selmanaj, deputet dhe kryetar i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike të Kuvendit të Kosovës, tha se Zyra Kombëtare e Auditimit është një nga institucionet e rralla që Kosova mburret me të. Në fjalën e tij, z. Selmanaj ka vënë theksin në dy çështje që konsiderohen si shqetësuese për Komisionin të cilin përfaqëson: niveli i zbatimit të rekomandimeve të auditimit nga institucionet publike dhe se pret nga Qeveria e Kosovës përkushtim më serioz në këtë aspekt, se Kuvendi i Kosovës pret nga Qeveria që ta sjellë sa më parë planin e veprimit dhe që të shfrytëzohen raportet e Auditorit të Përgjithshëm në përmirësimin e gjendjes në vend.

Ndërkaq prezantimin e çështjeve kryesore të auditimit për vitin 2016 dhe progresin në zbatimin rekomandimeve nga raportet e auditimit e ka bërë z. Qerkin Morina, Ndihmës Auditor i Përgjithshëm. Për vitin 2016, ZKA, ka nxjerrë 106 raporte të auditimit, prej të cilave 92 auditime të rregullsisë të organizatave buxhetore, 4  auditime të ndërmarrjeve publike, 2 auditime të projekteve të donatorëve, dhe 7 auditime të performancës – që kanë të bëjnë me projektet dhe programet, me theks të veçantë ekonominë, efikasitetin dhe efektivitetin në përdorimin e burimeve si dhe Raporti Vjetor i Auditimit për buxhetin e shtetit. Nga to kanë dalë 24 opinione të pamodifikuara, 58 opinione të pamodifikuara me theksim të çështjes, 5 opinione të kualifikuara, 7 opinione të kualifikuara me theksim të çështjes dhe 2 opinione të kundërta. Në përqindje 85% opinione të pamodifikuara (pozitive) dhe 15% opinione të modifikuara (negative).

Pjesa e dytë e tryezës ka vazhduar me diskutime në panel e moderuar nga z. Ilir Salihu, Zëvendës Auditor i Përgjithshëm. Anëtarë të panelit ishin: z. Mahir Yagcilar, Ministër i Administratës Publike, z. Fatmir Gashi, Zëvendësministër i Financave, z. Naim Ismajli, kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe z. Isuf Zejna, përfaqësues i shoqërisë civile nga organizta D+ si.

Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin edhe një numër i konsiderueshëm i kryetarëve të komunave, sekretarë të përgjithshëm të ministrive të ndryshme, përfaqësues të institucioneve publike, organizatave ndërkombëtare në Kosovë, shoqërisë civile dhe mediave.

 

Të ngjashme